Internship për tre studentet fituese të konkursit “Eseja më e mirë” në UET

Çfarë do të ndodhë me tregjet financiare pas prekjes nga Inteligjenca Artificiale? A do të përmirësojë AI të kuptuarit e elementëve apo aktorëve financiarë? A do të thellohen aftësitë dhe njohuritë tona për menaxhimin e parasë dhe investimin e saj?
Ishte kjo tematika e konkursit “Eseja në e mirë”, e zhvilluar në kuadër të lëndës “Tregjet Financiare”, pjesë e Departamentit të Ekonomiksit dhe Financës në Fakultetin e Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit.
Konkursi i organizuar nën kujdesin e pedagoges, PhD Emirgena Nikolli, vjen me mbështetjen e Economic Fundamentals Initiative (EFI) dhe Qendrës për Edukim dhe Zhvillim (CED).
Juria e edicionit XIV përbëhej nga pedagogë, ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve financiare në vend, si: dr. Elona Shehu, përgjegjëse e Departamentit të Ekonomiksit dhe Financës, UET; Eris Poshi, përgjegjës i Sektorit të Mbikëqyrjes së Grupeve të Sigurimit, Drejtoria e Mbikqyrjes së Tregut të Sigurimeve në AMF; Alda Dhamo, eksperte për sipërmarrje novative; Manjola Islami, Menaxhere e lartë në Departamentin e Konsulencës Financiare në Grant Thorton dhe ish-pedagoge në UET; Majlinda Bara, menaxhere projekti dhe përfaqësuese e EFI-t.
Duke vlerësuar pedagogët për vijimësinë e kësaj tradite, presidenti i UET, prof. asoc. dr. Selami Xhepa, përshëndeti pjesëtarët e jurisë për gjetjen e kohës për t’u njohur me idetë dhe punimet e studentëve. Duke iu referuar tematikës së këtij edicioni, Xhepa tha këto janë problemet e vërteta me të cilat përballet shoqëria shqiptare, por që në media u jepet pak hapësirë zërit dhe nxitjes së të rinjve për të dhënë kontributin e tyre.
“Shqetësimet e vërteta të shoqërisë sonë janë një transformim i rëndësishëm i problemeve me të cilat përballet Shqipëria, por nga ana tjetër edhe përkthimi i atyre që janë trendet më të rëndësishme në inxhinierinë financiare për t’i përkthyer në sfida për ekonominë dhe shoqërinë tonë.”
Për dekanin e Fakultetit të Ekonomisë dhe Zhvillimit, prof. asoc. dr. Mateo Spaho, përdorimi i AI na krijon mundësinë që të jemi në të njëjtën kohë me zhvillimet globale. Prandaj, ai inkurajoi studentët që të bëhen pjesë e kësaj gare, e cila nuk është brenda UET-it apo Shqipërisë, por është globale.
“Shfrytëzojini këto raste, këto mundësi dhe përdoreni kuriozitetin tuaj si një benzinë që në të ardhmen t’iu japë mundësi për të qenë të parët kudo.”
Para përzgjedhjes dhe shpalljes së skuadrës me idenë më të mirë, dr. Elona Shehu theksoi se konkursi “Eseja më e mirë” është një projekt i ruajtur me shumë fanatizëm, i cili i mbijetoi edhe pandemisë për të vijuar traditën e tij.
“Ky është vërtet një projekt në kuadër të një detyre kursi por ne vlerësojmë disa komponentë bashkë: prezantimin, gjetjen, origjinalitetin, dobinë që sjell etj.”, nënvizoi përgjegjësja e Departamentit të Ekonomiksit dhe Financës.
Përveç një çmimi modest financiar dhënë nga EFI, për tre studentet me idenë më të mirë do të ofrohet mundësia e një internshipi një mujor në një institucion prestigjioz në sektorin financiar në Shqipëri.