InnoPlatform/ Si do të mund të përdoren InnoTools nga SME-të?
Në kuadër të projektit, ekspertët e angazhuar nga Qendra UET së bashku me kolegë të Universitetit Europian të Tiranës janë duke organizuar ditë informuese për sipërmarrësit në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. Qëllimi i këtyre takimeve është që SME-të të njihen me produktet konkrete të projektit sikurse edhe InnoTools dhe të marrin këshillim sesi t’i përdorin ato. Deri më tani është organizuar dita e parë informuese në Tiranë dhe më tej do të organizohen rreth pesë të tjera në të gjithë vendin.
Duke qenë se përmes ditëve informuese mund të arrihet vetëm një numër i kufizuar sipërmarrjes, platforma online innoplatform.eu është një burim shumë i mirë për SME-të për të marrë jo vetëm informacion të dobishëm si p.sh. fondet mbështetëse, por edhe për të punuar konkretisht me instrumentet e sipërpërmendura. Pra, nëse një menaxher në një kompani të vogël do të zhvillojë një produkt të ri apo të përmirësojë një shërbim të caktuar, atëherë përmes aksesit në këtë platformë mund të shkarkojë të gjithë format apo udhëzimet e nevojshme për t’u përgatitur për këtë.
Për më tepër përmes përdorimit të këtyre instrumenteve dhe përmes mbështetjes apo këshillimit nga projekti në fjalë, SME-të mund të përmirësojnë pozicionin e tyre në treg, të përdorin më mirë burimet e tyre dhe të përmirësojnë performancën duke përqafuar inovacionin si në procese edhe në zhvillim produktesh apo shërbimesh. Natyrisht që ky nuk është një proces i lehtë, por megjithatë është frytdhënës.
Çfarë ofron konkretisht InnoStrategy për një sipërmarrje të vogël apo të mesme?
Së pari, ofron mundësinë për të analizuar mjedisin e jashtëm që rreth një sipërmarrje si p.sh. kushtet politike, ekonomike, sociale, teknologjike apo mjedisore. InnoStrategy u ofron SME-ve formate dhe aplikacione konkrete sesi mund të bëhet analiza e thelluar e mjedisit të jashtëm. Një element tjetër është analiza e kushteve të brendshme të SME-vë, apo që njihet si Hartëzimi VRIO. Një element klasik është edhe analiza SWOT, pra pikët e forta, të dobëta, mundësitë dhe kërcënimet ndaj SME apo një produkti të caktuar që synon të zhvillojë. Me interes janë format apo aplikacionet që ofron për analizën e zhvillimit të një projekti për një produkt të ri apo shërbim të ri, segmentimi i tregut, vlerësimi i konkurrueshmërisë dhe potencialit për të penetruar në treg. Në mënyrë që SME-të të rrisin kapacitetin e tyre për inovacion kërkohet shumë më shumë sesa instrumente për të fotografuar situatën ku janë. Andaj InnoStrategy u mundëson një qasje sistematike për të adresuar inovacionin. Gjetja e burimeve financiare dhe e burimeve të tjera të nevojshme për këtë mbeten sfiduese.