Industria e turizmit dhe sfida për partneritet me akademinë
Departamenti i Menaxhimit dhe Marketingut organizoi një workshop, në kuadër të lançimit të projektit të UET-së, “Projektimi i ofertës turistike bazuar në perspektivën e zhvillimit të qëndrueshëm”, i cili u përzgjodh fitues nga Agjencia Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacion (AKKSHI). Të ftuar në këtë event ishin ekspertë dhe sipërmarrës nga industria e turizmit, të cilët ndanë me studentët e profilizuar në këtë fushë, problematikat dhe potencialet që ka ky sektor, duke u përqendruar edhe te sfidat që hasin në fushën e burimeve njerëzore.
Organizatorja e eventit Prof. Dr. Ermira Qosja, njëkohësisht drejtuese e projektit, tha se turizmi mbetet një fushë që ka shumë për të eksploruar, teksa theksoi se ka qenë vazhdimisht në fokusin e UET, me bashkëpunime, aktivitete dhe së fundi me zhvillimin e projektit të parë kërkimor.
“Ne kemi krijuar tashmë një histori të vogël në turizëm. Tre vite më parë kur e vendosëm si profil brenda programit të Bachelorit të Menaxhimit dhe Masterit profesional të Marketingut, nuk ishim 100% të bindur për këtë hap, por thamë: “Përderisa ka investim në turizëm, do të ketë edhe zhvillim, do të ketë nevojë edhe për burime njerëzore”. Ndërkohë, kemi bërë disa evente, disa bashkëpunime, derisa vijmë në këtë projekt të parë kërkimi në turizëm”, nënvizoi Qosja.
Rektori i UET, Tonin Gjuraj vlerësoi grupin e punës dhe drejtuesen për projektin, duke çmuar punën e bërë në konceptim dhe ide, teksa nënvizoi rëndësinë e marrjes së një projekti të tillë nga një universitet privat.
“Jam në dijeni të përpjekjeve dhe garës që ka qenë për ta fituar këtë projekt nga AKSHI. Në projektet që financohen nga BE, janë disa partnerë dhe shpërndarja e tyre ka një lloj gjeopolitike. AKSHI është i orientuar drejt sektorit publik dhe duan që projektet të financohen nga Ministria dhe Qeveria, prandaj ka prioritet më tepër publikja. Është jashtëzakonisht e vështirë të fitosh një projekt nga sektori privat i arsimit të lartë, por ju falë punës tuaj ia dolët”, tha Gjuraj.
Projektimi i ofertës turistike është në qendër të projektit të Universitetit Europian i Tiranës, të konceptuar nga një grup pedagogësh të UET-së, me drejtuese Prof. Dr. Ermira Qosja, e cila ka një përvojë të gjatë në fushën e kërkimit shkencor. Pavarësisht treguesve mjaft pozitivë që ka sektori i turizmit aktualisht në Shqipëri, të tilla si: vlera financiare, duke qenë një nga sektorët me kontribut në rritje në buxhetin e shtetit; rritja e forcës së punës; trendi pozitiv i shtimit përgjatë viteve të sipërmarrjeve dhe strukturave akomoduese turistike, ky sektor vijon të ketë mjaft problematika që pengojnë shpërfaqjen e gjithë potencialit turistik që mbart vendi ynë.
Grupi i kërkuesve, shohin si problematikë mungesën e një oferte turistike të larmishme e gjithëpërfshirëse, e cila kombinon më mirë atraksionet turistike dhe që sipas tyre ka kufizuar potencialin për rritjen e qëndrimeve të turistëve, rritjen e shpenzimeve të tyre dhe shpërndarjen e ekuilibruar në territor. Për këtë arsye, projekti i tyre ka pasur si qëllim projektimin e ofertës turistike bazuar në perspektivën e zhvillimit të qëndrueshëm, duke marrë si rast studimi Qarkun e Durrësit dhe Vlorës.
Kërkimi është në përputhje të plotë me qëllimet strategjike të qeverisë shqiptare, për më tepër që dy qarqet e marra për studim janë prioritete të qeverisë për pozicionin e tyre gjeografik, për investimet private të kryera, por dhe për planet afatgjata të investimeve të qeverisë shqiptare. Për një periudhë 14 mujore, projekti synon që të arrijë disa objektiva: Vlerësimin e gjendjes aktuale të ofertës turistike të biznesit të sektorit të turizmit dhe akomodimit në Qarkun Vlorë dhe Durrës; Përcaktimin e kërkesës dhe ofertës së ardhshme për produktet turistike; Projektimin e ofertës së re turistike për Qarkun Vlorë dhe Durrës; Marketimin e ofertës së re turistike për Qarkun e Durrësit dhe Vlorës. Projekti do të shoqërohet me realizimin e botimeve të natyrës shkencore, aplikative dhe promovuese.
Kontributi që ky projekt do të sjellë, do të jetë në formën e një policy paper, e cila do t’iu shërbejë politikë-bërësve qendrorë dhe lokalë, si dhe Shoqatës Shqiptare të Turizmit. Për subjektet private të dy qarqeve do ofrohen dy guida, të cilat do të përmbajmë produktet e reja turistike, që do të përmirësojmë ofertën turistike të zonave, me produkte të reja turistike shumë më të diversifikuara dhe tërheqëse për klientin. Gjithashtu, përqasja e projektit do jetë e tillë që të krijojë një bashkëpunim mes operatorëve turistikë, strukturave akomoduese dhe subjekteve të sektorit të mikpritjes, trashëgimisë kulturore e historike.
Mungesa e burime njerëzore, një realitet jo vetëm shqiptar
Agim Mehmeti, Menaxheri i përgjithshëm i shitjeve në AlbtoursD, apo siç njihet ndryshe Vas Group, një nga kompanitë më të madha si agjenci turistike në vend, kujtoi rrugëtimin e tij 23 vjeçar në këtë fushë. Një rrugëtim i ngadaltë do ta quante ai, por që me shpërthimin e teknologjisë, konceptet e biznesit dhe turizmit morën tjetër dimension. Duke kujtuar kohën në auditorët e Fakultetit Ekonomik me profesor Gramoz Pashkon, Mehmeti tha se ngacmimin për të hyrë në industrinë e turizmit e mori pikërisht nga një organizim i ngjashëm në vitin 1994, ku në panel ishte edhe një mësuese amerikane. Sipas tij, problemi i burimeve njerëzore nuk është një fenomen shqiptar, por i hasur edhe më gjerë.
“Unë mendoj se i gjithë tregu shqiptar vuan nga burimet njerëzore, jo vetëm industria e turizmit. Ne jemi të dënuar nga padija jonë dhe gabimet që kemi bërë rrugës. Po kërkojmë individë të shëndetshëm që të jenë ‘open minde’ që këto gabime që janë bërë në të kaluarën, të kenë mundësi t’i avancojnë me një ritëm më të shpejtë për të kapur kohën. Kriza e burimeve njerëzore që po kalojmë nuk është rastësore. Ne kemi zyra në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut. Po ashtu edhe zyra jonë e Turqisë është duke bërë një performancë fantastike, ndërsa hapëm zyrën më të fundit në Dubai. Po penetrojmë në tregje të tjera. Problemi i burimeve njerëzore nuk është vetëm shqiptar, është edhe në këto vende të tjera, pra është global. Qasja është sesa i aftë je të ftosh individin e duhur dhe sa i vendosur është ai që të kuptojë saktë që ky është vendi i duhur për të bërë karrierën e tij. Kjo është në sfidë që ndodh edhe në Tiranë edhe në destinacionet e tjera”, u shpreh Mehmeti.
Në të njëjtën linjë mendimi ishte edhe Janaq Kongjini, Drejtori operativ i Stela Resort. Duke treguar eksperiencën e vet personale, ai tha se arsyet e krizës që has ky sektor janë të ndryshme. Sipas tij, me hovin që po merr industria e turizmit, bizneset janë të detyruar të gjejnë burime njerëzore edhe në forma të tjera.
“Mangësitë në burimet njerëzore janë globale. Nëse në tregjet e tjera pjesa e tranzicionit në burimet njerëzore është 30-40%, tek ne është shumë herë më tepër. Arsyet janë të shumta. Mund të përmendni arsyet ekonomike, por nuk është vetëm kjo. Përgjithësisht e shohin si momentale dhe më pas fokusohen te profesionet e tyre. Unë kam 10 vite të Stela Resort dhe nisja ime ka qenë si punonjës shërbimi, mirëmbajtës pishine. Këtë nuk ua them për të marrë merita, në lidhje me ngritjen dhe arritjet këtu ku jam, por për t’iu thënë se vendi ynë të gjithëve iu ofron mundësi për t’u zhvilluar dhe rritur. Ka qenë e vështirë. Ne si punëdhënës duam që të shohim njëlloj sigurie, stabiliteti prej të gjithëve. Pjesa e pagesës është relative. Shqipëria është çdo vit duke u zhvilluar në tregun e industrisë. Çdo vit po hapen hotele, resorte me 4-5 yje që kanë nevojë për burime njerëzore. Biznesi është i detyruar që të gjejë burime njerëzore në çfarëdolloj forme”, u shpreh Kongjini.
Ikin shqiptarët, vijnë të huajt
Deklarata e kryeministrit Edi Rama para disa muajsh, se në Shqipëri do të vijnë forca pune nga Bangladeshi, u trajtua me nota humori në rrjetet sociale. Por për sipërmarrësit në fushën e industrisë së turizmit, ky është një realitet jo i largët. Drejtuesja e Palace Hotel në Durrës, Besiana Bregasi tha se bizneset po kërcënohen nga globalizimi, i cili krijon hapësirë për lëvizje dhe për rrjedhojë largimin e punonjësve të trajnuar jashtë Shqipërisë.
“Sot na kërcënon globalizmi. Muajin e kaluar na u larguan tre punonjës, ndër më të mirët: Një në Gjermani, një në Zvicër dhe një në Francë. Tre në muaj është nivel i konsiderueshëm, sepse 60- 70 punonjës kemi gjithsej. Po sigurisht që globalizmi na jep edhe ne shanse që të shohim opsione të tjera. Ka oferta për staf nga Bangladeshi, Maroku, Afrika dhe Meksika. Kush nuk ka paragjykime background, patjetër mund t’i akomodojë. Pra mundësi të tjera do të ketë, flas për nivele teknike. Për nivele menaxheriale unë iu përgëzoj për hapjen e këtij programi në UET. Në nivele menaxheriale nuk kemi burime. Kemi pasur qasjen që t’i marrim të vegjël, të nisin nga bazat, të mësojnë teknikat e sektorit që mbulojnë. Nuk është mënyra më e mirë sepse kërkon shumë input nga ana jonë që t’iu rrimë në kokë dhe t’i mësojmë. Hoteleria ka një konkurrencë të jashtëzakonshme sot dhe janë shumë fleksibël ndaj ofertës financiare. Kështu që gjejmë mekanizma të tjera për t’i mbajtur, i ‘lidhim’ me bonuse”, u shpreh ajo.
Bregasi tregoi më tej, se Palasë akomodon 200 mijë njerëz në vit, me një rritje natyrale rreth 20% nga viti në vit, përtej pandemisë apo tërmetit. Duke qenë në një status të tillë, gjetja e burimeve njerëzore ka qenë gjithmonë një sfidë, por që iu ka ardhur në ndihmë edhe hapja e një shkolle profesionale në Durrës, nëpërmjet të cilës kanë siguruar mjaft kuadro cilësorë.
“Ne kemi krijuar terrene mëse të mira, përveçse oferta financiare është e kënaqshme, për të ngritur kapacitete në burimet njerëzore. Hoteleria mund të jetë një nga sektorët më të mirë paguar dhe duhet ta konsideroni këtë pjesë. Jemi përfshirë në projekte që kanë në fokus rritjen e kapaciteteve në aftësim profesional dhe shoh se ka prurje nga profile të tjera, njerëz që nuk kanë arsim të lartë, ose nuk kanë pasur sukses në profesionet që kanë zgjedhur. Tregu do të ketë furnizim të mjaftueshëm me burime njerëzore”, theksoi Bregasi.
Drejtuesi i Departamentit të Menaxhimit dhe Marketingut në UET, Kreshnik Bello tha se aktivitete të tilla që bëhen në UET, janë një mundësi e mirë për studentët për t’i njohur me ofertat që vijnë nga tregu i punës.
“E ku më mirë së në aktivitete të tilla ne mund t’iu japim studentëve qasjen drejt biznesit dhe tregut të punës. E ku më mirë se në aktivitete të tilla ne mund të përballim biznesin me burimet potenciale njerëzore. Ne mendojmë se studentët nuk duhet t’i përballim vetëm në aspektin teorik, por duhet t’i përballim edhe me realitetin, aspektin praktik”, u shpreh Bello.
Turizmi, e ardhmja e Shqipërisë
Me ndryshimin e sistemeve politike, liberalizmin e tregut dhe të ekonomisë, turizmi është parë si sektori i zhvillimit të ekonomisë në Shqipëri. Vitet e fundit, me përparimet teknologjike, lëvizjen e njerëzve, turizmi në vendin tonë ka pasur tjetër vëmendje dhe fokus. Për drejtuesen dhe botuesen e revistës “Travel Magazinë”, Flora Xhemani, turizmi është e ardhmja e Shqipërisë. Edhe pse strukturat qeveritare e kanë shpallur turizmin prioritet, sipas saj ai nuk është ende i tillë, pasi sektori publik mbetet problematik dhe nuk lidhet në mënyrë organike me sektorin privat që është shumë më i zhvilluar.
“Turizmi është një prej degëve të ekonomisë që ka larmishmërinë më të madhe të zgjedhjeve profesionale, që do të thotë asnjë sektor tjetër nuk ka më shumë alternativa zgjedhjesh për të bërë dikush diçka. Ka rreth 150 mijë të punësuar formal në sektorin turistik dhe rreth 300 mijë në mënyrë indirekte. Ka nevojë për më shumë se 15 mijë individë çdo vit që duhet të punësohen në turizëm. Sikur gjithë kontingjenti i studentëve të diplomuar çdo vit t’i drejtohen turizmit nuk e përmbushin nevojën për burime njerëzore. Këto shifra tregojnë sesa të nevojshëm jeni ju në këtë sektor”, tha ajo për studentët.
Sipas Xhemanit, mungesa e bashkëpunimi klasik mes sektorit publik dhe sektorit privat në 25 vitet e fundit, ka bërë që ky i fundit të zhvillohet prej hiçit, duke qenë një sfidë personale e gjithsecilit që ka gjetur suksesin në këtë drejtim. Më tej, ajo përgëzoi Universitetin Europian të Tiranës që ka hapur një profil në Turizëm.
“Jam e lumtur që të gjitha universitet kanë hapur degë dhe profile për turizmin, por duhet të kemi në të ardhmen universitet turizmi, ku të gjitha degët e turizmit të profilizohen më tej, si menaxherët e lartë, menaxherët e mesëm etj. Ka nevojë akute gjithë tregu turistik. Madje do të sugjeroja që resortet të krijojnë departamente të burimeve njerëzore. Nëse do të kemi departamente të burimeve njerëzore në të gjitha resortet që trajnojnë vazhdimisht ose rekrutojnë stafin i tyre, stafi le të qarkullojë në mënyrë të trajnuar”, u shpreh Xhemani.