UET prezanton nismën për themelimin e Urdhrit të Profesionistëve të Fitnesit në Shqipëri

Çfarë kriteresh duhen për të punuar si trajner personal fitnesi? A të bën ekspert pasioni dhe ndjekja e videove në YouTube? A duhet të jenë të nevojshme apo të detyrueshme certifikimet e vazhdueshme? Çfarë standardesh duhet të ndiqen për të hapur një ambient palestre? Kush mban përgjegjësi në raste dëmtimesh gjatë stërvitjes?
Ishin këto disa nga pyetjet që morën përgjigje gjatë diskutimit të zhvilluar në Universitetin Europian të Tiranës me pedagogët dhe studentët e Departamentit të Psikologjisë, Edukimit dhe Sporteve ku u prezantua nisma për themelimin e Urdhrit të Profesionistëve të Fitnesit.
Pedagogu i Edukimit Fizik dhe Sporteve, PhD(c) Gert Metani, autor i kësaj nisme, tha se një rregullator i tillë u shërben të gjithëve, por sidomos studentëve të programeve të sportit, në universitetet publike dhe jopublike, pasi është një mundësi më tepër për punësimin e tyre, duke garantuar shërbim cilësor për qytetarët.
“Kemi Urdhrin e Psikologut, Urdhrin e Infermierit, Urdhrin e Mjekut, që rregullojnë, licencojnë, bëjnë trajnimin dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme. Profesionisti i fitnesit, trajneri personal, ai që bën stërvitjen në grup apo ai që merret me rehabilitime të ndryshme, është i parregulluar”, tha Metani.
Pavarësisht tentativës nga Universiteti i Sporteve të Tiranës për të krijuar një urdhër të tillë, tregu ka mbetur në kaos duke mos pasur standarde, organe kontrolluese apo mbikëqyrëse.
Përgjegjësja e Departamentit të Psikologjisë, Edukimit dhe Sporteve, prof. asoc. dr. Erika Melonashi tha se UET është tashmë i njohur në mbështetjen që jep për politika dhe vendimmarrje që shkojnë përtej fushës së akademikes, për një funksionim sa më të drejtë të tregut të punës.
Duke përgëzuar pedagogët për këtë nismë, Melonashi theksoi se rregullimi me ligj është shumë i rëndësishëm për pjesën e mirëfunksionimit brenda një profesioni dhe për garantimin e cilësisë që duhet në një shërbim të tillë.
“Kur flasim për urdhra profesionalë, flasim për individë që plotësojnë disa kritere dhe edukohen në vijimësi për të mbajtur cilësi të lartë në profesionin tyre. Është një profesion që ka përhapje të madhe në Shqipëri se është trend, dhe tregu kërkon të shkojë te më i miri te ai që plotëson standardet. Tashmë është kërkesë e tregut.”
Duke sjellë përvojën nga terreni, prof. dr. Agron Cuka tregoi se instruktorët e palestrave zakonisht nuk kanë njohuritë minimale për anatominë, fiziologjinë, apo si funksionon trupi. “Situata në palestra, sa e njoh unë, është shumë keq. Fusin në të njëjtën seancë palestre, me të njëjtin ritëm, me të njëjtën kohë, një vajzë 18-vjeçe dhe një grua 65-vjeç.”
Prof. Cuka vlerësoi sidomos faktin se kjo nismë do të krijojë mundësi për studentët dhe të kualifikuarit në këtë fushë. Sa i përket mënyrës se si mund të realizohet, ai tha se mund të ndiqet e njëjta metodë funksionimi siç ndodh me disa profesione të tjera të njohura me ligj.
“Ashtu si mësuesi që kalon disa faza, merr diplomën e shkollës, më tej plotëson detyrimin ndaj shtetit, një gjë e ngjashme mund të bëhet edhe për marrjen e licencës së trajnerit të fitnesit, apo trajnerit personal. Pasi studenti të ketë marrë diplomën mund të kryejë një kurs 2-3 mujor për nivele, apo sektorë të ndryshëm, derisa kualifikimi të plotësohet.”
Sipas profesorit, hapi madhor është që ky profesion të futet në profesionet e njohura me ligj dhe pastaj përcaktohen të gjitha kriteret.
Pedagogët dhe studentët sollën gjithashtu raste konkrete nga palestrat e kryeqytetit ku punohet me çmime ta zhbalancuara, punohet në ambiente pa standarde, shiten steriode të ndaluara, mungon ndihma e shpejtë.
“Kush mban përgjegjësi për këto raste? Por për dëmtimet, kush e dëmshërblen? Palestra nuk e merr përsipër. ISHP-ja bën kontrolle vetëm për kushtet e higjienës, dhe në raste minimale për punonjësit. Shumica vetëshpallen instruktorë, bëjnë një kurs, kanë njohuri autodidakte, kanë bërë palestër etj. Nëse nuk trajnohen, nuk certifikohen, cilësia mbetet e dobët”, tha Metani, duke shtuar se çdo student që mbaron programin Edukim Fizik dhe Sporte duhet të marrë titullin e instruktorit.
Përtej anës estetike, ky profesion në lulëzim është një domosdoshmëri e kohës që jetojmë, pasi njerëzit po punojnë më shumë në zyra, kanë gjithnjë e më pak kontakt me natyrën, po pakësojnë aktivitetet sociale.
Prof. asoc. dr. Tomi Treska theksoi se një aspekt i rëndësishëm i rregullimit të këtij profesioni është përcaktimi i kodit etik, i cili përfshin udhëzime të qarta për të siguruar që instruktori të ketë njohuri të mjaftueshme për sigurinë dhe mirëqenien e klientëve të tij.
Po ashtu u fol për domosdoshmërinë e zhvillimit të trajnimeve të vazhdueshme për profesionistët e fitnesit, në mënyrë që të qëndrojnë të përditësuar me teknikat dhe kërkesat e reja në industrinë e fitnesit.