Haradinaj i jep presidentit të UET, Civici medaljen e Skënderbeut
Haradinaj i jep presidentit të UET, Civici medaljen e Skënderbeut
I ftuar në Forumet UET, nën moderimin e përgjegjëses së Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit, prof. asoc. dr. Belina Budini, kryeministri kosovar vlerësoi presidentin e UET “Për kontribut të çmuar në të mirën e kombit”
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ishte i ftuar nderi në Forumet UET.
Nën moderimin e përgjegjëses së Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit, prof. asoc. dr. Belina Budini, ai bëri disa komente të forta në lidhje me çështje të aktualitetit politik në Kosovë.
Debati i tij me studentë, pedagogë e gazetarë ishte vërtet interesant dhe prodhoi jo vetëm lajme për mediat, por edhe emocione në sallë.
Haradinaj tha disa herë se respekton armikun e vërtetë, se nuk urren askënd dhe nuk mëson askënd për të urryer. Ai shtoi se shqiptarët kanë vlera dhe duhet t’i respektojnë, pa kërkuar që të kopjojmë vlera kur i kemi ato.
Para pak ditësh, Haradinaj priti në zyrën e tij rektorin e larguar tashmë të UET, Tonin Gjuraj, të cilit i konfirmoi se do vinte në Tiranë për të marrë pjesë në forumet e Universitetit Europian të Tiranës.
Në fjalën e tij hapëse, Gjuraj vlerësoi lart Haradinajn.
“Sipas meje, të flasësh për Kryeministrin Haradinaj është e pamundur. Asnjë detaj i mëvetësishëm i qenies, sjelljes apo veprimit të tij nuk mund ta përkufizojë atë. Ritmi me të cilin ai vepron, energjia me të cilën ai punon, përkushtimi me të cilin ai u jepet shqetësimit të popullit në çështjet e Kosovës, thjesht ndjekin atë që është në fakt Haradinaj. Një njeri me zemër të madhe, zemra e të cilit ka rrahur me fuqi për Kosovën, kur ai ishte komandant i luftës kundër serbëve dhe vazhdon me po atë fuqi të rrahë edhe sot. Unë e di që është shumë e vështirë të flasësh për politikanët kur ata janë në detyrë, pasi janë duke ushtruar politikën. Debati i ditës, lufta politike, gabimet njerëzore, interpretimet e njëanshme e bëjnë të pamundur edhe vlerësimin e drejtë siç e bëjnë të pamundur kritikën e drejtë. Por për energjinë dhe pasionin me të cilin Haradinaj vepron në dobi të Kosovës, nuk ka askush dyshime. Për kurajën dhe trimërinë në luftë, për dhembshurinë dhe shpirtin e pasosur të sakrificës për popullin e Kosovës nuk ka askush dyshime”, -tha Gjuraj.
“Haradinaj ka luftuar në rresht të parë. Ai ka qenë komandant i zonës së Dukagjinit, ushtarët e tij dhe ai mes tyre si njëri ndër ta u nisën të flijohen për vendin që digjej, zbrazej dhe vritej nga serbët. Nga trupat e tij ka shumë dëshmorë, nga familja e tij ka dëshmorë. Sakrifica e Ramush Haradinaj ka vijuar dhe në kohën kur Kosova u bë e lirë. Serbia me mjetet dhe pushtetin e saj ndërmori një fushatë të shëmtuar shpifjesh për të njollosur Haradinaj. Por njëherazi përmes tij të gjithë luftën e drejtë të shqiptarëve kundër gjenocidit serb. Kjo luftë e Serbisë bëri që ndaj tij të ngriheshin akuza të tmerrshme. Me kurajën, besimin dhe forcën që e karakterizon, Haradinaj la zyrën e kryeministrit, la detyrën që i kishte ngarkuar populli i tij dhe shkoi personalisht në Hagë. Pas vitesh të tëra burgu edhe gjyqi, ai u shpall i pafajshëm. Me vështirësitë e reja të Kosovës, në luftën politike, në luftën për demokratizimin e vendit, në luftën për ta rreshtuar Kosovën mes kombeve të botës së qytetëruar, Haradinaj është përfshirë me po atë dashuri dhe me po atë energji siç u përfshi në luftë. Në fund të fundit, Kosova është dashuria e tij. Kosova është edhe dashuria jonë. Është dashuri e çdo shqiptari. Ne e duam Kosovën për historinë, për popullin e mrekullueshëm që është gjaku ynë, për dhimbjet dhe sakrificat. E duam për Shaban Polluzhën, për Azem Galicën, për Isa Boletinin, për Lidhjen e Prizrenit. Që janë në zemër të identitetit tonë kombëtar. E duam për Esat Mekulin, Azem Shkrelin, për Jusuf Buxhovin etj., që janë gurë të mëdhenj në kulturën tonë. E duam për Ibrahim Rugovën, për atë lëvizje të rrallë politike dhe për rezistencën ndaj Serbisë. E duam për UÇK dhe martirët e saj. Por e duam dhe për njerëz dhe politikanë si Ramush Haradinaj, që janë shëmbëlltyrë e përpjekjeve më të larta njerëzore për të çuar përpara vendin e tij”.
Kurse Haradinaj e nisi fjalën e tij me një retrospektivë, për ta lidhur me realitetin.
“Në Kosovë jemi në etapë të tillë të jetës sonë ku ne e kemi parë se ku do të mbërrijmë. Dikur kur kemi qenë në kohë të okupimit, nuk e shihnim, e dëshironim , e mendonim, e ëndërronim, ku do të mbërrijmë. Edhe atëherë janë kërkuar idealistët më të mëdhenj të mundshëm. Disa që e kanë ëndërruar, imagjinuar ku do jemi. Tani në Kosovë ne jetojmë dhe e shohim se ku duhet të jemi, po se kemi mbërritë. Pra është një farë sfide sikur i afrohesh majës, për të cilën ke rrugëtuar gjatë dhe je shumë afër, por ende s’e ke mbërritë”.
“Kemi shumë sfida shumë probleme në Kosovë. Dhe ato nuk janë vetëm të Kosovës problemet tona. Duhet përmbyllur shtetbërja e Kosovës. Vetëm atëherë kur e përmbyllim shtetbërjen mund të shtrojmë pyetje të tjera. Si dëshirojmë të jetojmë, të ndarë apo të bashkuar?”.
“Nëse ne punojmë për zhvillim ekonomik, ne punojmë kundër një teze se Kosova është e paqëndrueshme, se ekonomia e saj dikur ishte e lidhur me një ekonomi tjetër. Se resurset e saj nuk janë të gjenerueshme nga po këta njerëz. Edhe kësisoj lista është e gjatë. Unë e kam marrë udhëheqjen e qeverisë së vendit, ka një vit kohë, mbi një parim, nuk do të kritikoj dhe humb kohë me fol për pararendësit e mi. Por çdo minutë, çdo kohë, çdo orë që më jepet do përballem me të gjitha temat sado tabu të jenë, të vogla, të mëdha, me implikime”.
Teksa në Prishtinë, Haradinaj dhe Gjuraj diskutuan për çështjen e një tregu të përbashkët dhe konkurrues të arsimit të lartë, në Tiranë Haradinaj tha se do e shihte me përparësi problemin e të diplomuarve me doktoratura të UET në Kosovë.
Ai tha se i dukej e pakuptimtë që të diplomuarit nga Kosova kanë probleme në vendin e tyre, ndërkohë që UET është akredituar dhe ka marrë njohje ndërkombëtare.
Haradinaj tha se i shpreh mirënjohje Universitetit Europian të Tiranës pasi e ka mbështetur në kohë të vështirë.
Këtu ai përmendi edhe botimin e librit të Michael O‘Reilly “Haga e Ramush Haradinajt’ nga UET-Press.
Sot te ju kam ardhur dhe për një arsye, nuk e fsheh asnjëherë. “Në kohën e sfidave të mia, Universiteti Europian i Tiranës, që atëherë, e përkrahu botimin e një libri kushtuar mua, nga një njeri që s’ishte i kombit tonë, por një njeri shumë i çmuar, Michael O’Railly, një irlandez i respektuar, një intelektual i mirë i vendit të vet, por dhe një mik i yni. Ju faleminderit shumë”, -tha Haradinaj.
Në fund, Haradinaj dekoroi presidentin e UET, Ardian Civici me medaljen “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu”.
Medalja iu dha Civicit me motivacionin: “Duke qenë i afërt me angazhimin tuaj të shkëlqyeshëm në fushën e arsimit, si kontribut i çmuar në të mirën e përgjithshme të kombit tonë, kam nderin që si kryeministër i Republikës së Kosovës, t’ju dhuroj: Medaljen “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu”.
“Ju uroj fat dhe suksese në jetën tuaj personale dhe profesionale dhe shpreh gatishmërinë time për bashkëpunim në të ardhmen”, përfundonte vlerësimi.
Reagimi i UET
Patëm nderin dhe kënaqësinë të prisnim në kuadër të Forumeve UET, Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Z. Ramush Haradinaj!
Bashkëbisedimi për çështje që prekin Kosovën dhe Shqipërinë, nxiti pyetje nga studentët, pedagogët dhe gazetarët pjesëmarrës, përgjigjet e të cilave u shoqëruan me duartrokitje dhe vlerësim!
Për UET është një vlerësim i madh prezenca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, pasi ashtu siç u shpreh edhe vetë Z. Haradinaj: “Fakti që unë jam këtu, tregon shumë për vlerësimin tim ndaj universitetit tuaj…”. Gjithashtu, Z. Haradinaj i dorëzoi prof. dr. Adrian Civici, dekoratën Gjergj Kastrioti Skënderbeu, si shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi!
Ky moment ishte i veçantë për prof. dr. Adrian Civicin, por edhe për të gjithë universitetin dhe stafin!
Një falënderim publik në emër të të gjithëve, për vlerësimin! Ju mirëpresim sërish, ashtu si edhe premtuam, për bashkëpunime të mëtejshme!.