Grackat që ngre mosnjohja e Komunikimit
Miriam Shyti
Mendohet se njohja e Komunikimit dhe edukimi mediatik janë të lidhur ngushtë me aftësinë për të gjykuar në mënyrë kritike dhe të pavarur, me mundësinë për t’I rezistuar mesazheve të ekzagjeruara, dhe gjithashtu me aftësinë për të reflektuar mbi veprimet tona dhe veten. Ky shkrim qëndron për të bërë një hap sado të vogël drejt zgjedhjes së të kuptuarit se si ndërtohen mesazhet në media, duke dyshuar motivet e përmbajtjeve mediatike, për identifikimin e llojeve të ndryshme të tyre, për të vlerësuar, për të identifikuar dhe menaxhuar risqe, për këto dhe për formën e komunikimit krah formës që merr shoqëria jonë.
Jeta jonë është një jetë ‘likuide’, me kusht e paaftë për të mbajtur të pandryshuar formën dhe për të ndjekur të njëjtin drejtim në shtrirje të gjata. Është ky mendim, ekstremisht I sintetizuar I përkufizimit të jetës moderne sipas Zygmunt Bauman, autor I shumë publikimeve të suksesshme që prekin tema si globalizimi dhe implikimet sociale që ai sjell. Për sociologun polak, vazhdimësia e pandërprerë e fillimeve të reja na krijon perceptimin se jetojmë në kushte pasigurie të vazhdueshme, me frikën se mos zihemi në befasi, me frikën e të mos qenit të denjë për diçka, të të ngelurit mbrapa, të të harruarit ‘datat e dorëzimit’ të një projekti, të të humburit të një eventi të rëndësishëm dhe kapërcimit të gjithçkaje që nuk ka kthim. Të gjitha këto ndodhin aty ku ajo çfarë ka rëndësi është shpejtësia dhe jo kohëzgjatja.
Në këtë kornizë komunikimi nuk bën përjashtim, madje pasqyron një shoqëri që ka zgjedhur sasinë, shpejtësinë dhe konsumin si imperativë ndaj të cilëve të konformohet. Kështu ai shfaq disa vështirësi, duke u bërë gjithnjë e më I shpejtë por gjithnjë e më pak I aftë të përkthejë pa tradhëtuar kompleksitetin e mesazhit, duke ngatërruar një pjesë me të tërën rrezikon të bëhet një komunikimin konsumues, pa një vlerë të vërtetë të shkëmbimit por i destinuar si një përdorimsh, pa angazhim dhe pa përgjegjësi të ndërsjellë ndërmjet komunikuesve.
Por çfarë ndihmon të parandalohet kjo rrjedhje? Ndërveprimi mediatik favorizon çdo ditë nevojën në rritje për informim mbi gjithçka, të shpejtë, të shfrenuar dhe prandaj edhe të paplotë. Analiza në çelës multimedial e këtij komunikimi dhe pasojave në shoqërinë bashkëkohore për mua nisin nga një aksiomë e Paul Watzlawick, që thotë se individi e ka të pamundur të mos komunikojë. Pamundësia për të mos komunikuar përkthehet praktikisht në pamundësi për të mos patur një sjellje, një reagim. Sjellja nuk ka të kundërt, nuk mund të mos të mos kesh sjellje. Të mos komunikosh, nuk ndodh as kur marrësi, apo bashkëbiseduesi vendos të tërhiqet nga biseda, apo zgjedh të mos I përgjigjet një pyetjeje apo një veprimi, ai është I influencuar përmes veprimeve të ndryshme dhe ai sapo ka komunikuar tërheqjen e tij. Pra ne jemi gjithmonë të përfshirë në komunikim.
Nëse sapo thamë projektohet në kontekstin e sotëm të komunikimit multimedial, duket e qartë se të tërhiqesh, të largohesh, t’I ikësh bombardimit mediatik bëhet pak e vështirë. Mes dy komunikuesish, individi dhe media, I pari bëhet marrës I thjeshtë I një mesazhi që mund të jetë një lajm I fundit, një gossip, një emision televiziv, ngjarja që I ka ndodhur një personazhi të njohur etj, ndaj të cilave ai reagon duke u përshtatur, duke u mbrojtur apo duke u izoluar emocionalisht.
Nga ana tjetër, influenca e mediave në përditshmërinë tonë, në politikë dhe shoqëri ka thelluar rrënjët e veta, ndaj edhe studimi I tyre merr tepër rëndësi. Mediat sociale në veçanti, janë tashmë kanali personal I transmetimit për këdo, japin mundësi çdo individi të shprehë vetën, të shpërndajë përmbajtje, të komunikojë në forma që I quajmë personale. Por nëse çdo përdorues ka vërtetë zërin dhe fytyrën në rrjet, nëse kjo është kaq personale saç perceptohet prej nesh apo është e induktuar, e lidhur me një sërë mekanizmash të tjerë, kjo ngre shumë pyetje, përgjigjet për të cilat na i mundëson vetë njohja dhe studimi I Komunikimit. Secili nga këto mjete, ka si të thuash lakminë e vet, që ndonjëherë arrin të tërheqë në vetvete përmbajtje të përziera, të copëtuara nga mjete të tjera, Kultura e të mësuarit, e akumulimit të të dhënave, nuk mund të ndalet përpara kësaj kulture të shkëputjes, të ndërprerjes dhe harresës.
Ideja e likuiditetit që përshkon çdo aspekt të marrëdhënieve njerëzore, shtrihet në kohë aq sa ia lejon rëndësia e së menjëhershmes me përshpjetimin e vazhdueshëm teknologjik. Problemi në perceptim shfaqet tek vëmendja sipërfaqësore e publikut, si pasojë e kësaj përhapje të kapilarizuar. Avantazhi I përvojës së fituar në mënyrë të menjëhershme ekziston, por duhet parë edhe se si kjo kompromenton në mënyrë të rrezikshme sigurinë, angazhimin, hulumtimin dhe mendimin kritik, madje edhe memorien e së shkuarës dhe besimin në çfarë do të vijë, duke qenë se qasja bëhet gjithnjë e më e përshpejtuar. Pra nëse ndalemi tek koha, ndryshimi materializohet këtu dhe tani, duke e mbajtur individin të lidhur në rrjet arrin edhe të gërryejë kohën e privates.
Rrjeti ka lejuar aksesin në sferën publike, duke dhënë informacion të disponueshëm aty për të gjithë, por gjithashtu zbulon padyshim edhe anën negative të kësaj disponueshmërie, që është ekspozimi I privatësisë, I intimitetit, humbjen e tij dhe duke e shëndrrërruar në një lloj teatri shumëllojshmërish në axhendën publike e veçanërisht duke bërë që të vijnë në vëmendjen e përgjithshme me disa pasoja jo indiferente. Kjo na çon të përballemi edhe me paradoksin e fshehur që për të tërhequr vëmendjen e për të krijuar disa reagime të paramenduara, ndodh çrregullimi dhe personalizimi I detyrave dhe funksioneve që ndodhen midis Shtetit dhe individit. Për këtë vëmendje që manipulohet u jepen përgjigje të thjeshta disa pyetjeve të vështira, kampionohen disa çështje që nuk mund të jenë zëvendësuese të disave të tjera madhore dhe krijohet shpesh iluzioni I përfshirjes së thellë.
Në këtë tërbim mediatik të cilit I nënshtrohet individi çdo ditë, për të tërhequr vëmendjen lajmet përforcohen, dramatizohen, vijnë të ndara në sekuenca të vogla që shpesh edhe përgënjeshtrojnë njëra-tjetrën. Komunikimi I tyre kalon nga smartphone-t e deri tek emisionet e televizionit të “së vërtetës” që strukturohen si trajtim I tematikave rreth historive që sjellin lajmet më shqetësuese, duke u specializuar si analiza më njerëzore dhe shoqërore, por ku përherë e më shpesh shohim ata që Bourdieu përmend si fast-thinkers, mendimtarët e shpejtë me përgjigjet e menjëhershme që zëvendësojnë reflektimet e arsyetimet e gjera, që ofrojnë ‘ushqim të shpejtë’ kulturor. Këto përgjithësojnë, bëjnë të mendohet se gjithçka u trajtua goxha mirë dhe të gjithë u qartësuam pasi gjuha e përdorur ishte shumë popullore. Këto madje duket ndonjëherë se kanë marrë edhe formën e istancave pedagogjike të një lloji të ri. Pasojat e kësaj gare prodhimesh e riprodhimesh, ngrenë në mënyrë urgjente edhe nevojën e një kontrolli më të kujdesshëm të kanaleve multimediale, një ‘pastrimi’ informacioneve që marrim.
Ndryshimi që sjellin mjetet e komunikimit vjen si bartës I një filozofie që gjeneron një lloj të ri të njeriut dhe shoqërisë. Ne jemi dëshmitarë tashmë të një procesi të pashmangshëm midis asaj që shpesh është situata dhe asaj që duket prej lajmeve, ajo pra që tregohet, manipulimi, montimi. Opinioni publik gjendet I ngopur dhe I mësuar me shumëformësinë e të njëjtit lajm dhe reagon me një lloj letargjie shqisore, që izolon mendimin, vetëdijen dhe sensin kritik. Përzgjedhja e komunikimit cilësor na ndihmon për t’u mbrojtur nga hiper shpërndarja mediatike e lajmit tragjik apo manipulimit si thashethem, nga standardizimi gjithnjë e më I theksuar I skemave të zakonshme, që I imponojnë individit uniformitetin në të menduar dhe të ndjerë, duke anulluar çdo subjektivitet kritik. Në këtë përpjekje për të evidentuar të pavërtetat apo kufizimet e të vërtetave, mund të gjejmë mënyra për të rizbuluar dhe për të rifituar një komunikim më autentik njerëzor.
Për sektorin e arsimit konsiderohet si thelbësore mënyra e zbatimit të këtij çelësi të leximit të mediave me mendim kritik, një lexim me një bazë të shëndoshë dhe të qëndrueshme në procesin mësimor dhe kjo arrihet në studimin e Komunikimit. Ai synon të sjellë ndryshim, përmirësim, për të nxitur mendimin e përgjegjshëm e të fuqizuar të qytetarëve. Kjo shihet në tërësi me qëllim për të negociuar një konsensus të gjerë në një klimë opinioni pluralist dhe për të siguruar zhvillimin e mëtejshëm të një mendimi demokratik e të vazhdimësisë.