Forumi në UET/ Liria e shtypit, domosdoshmëri për një vend demokratik
Edukimi mediatik i të rinjve, si nevojë për të qenë më të orientuar në një kaos informativ global
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, Departamenti i Shkencave Humane dhe Komunikimit në UET, zhvilloi një forum me të ftuar Valbona Sulçe, trajnere e edukimit mediatik dhe Kleina Kasanai, drejtore e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Rinisë. Nën moderimin e përgjegjëses së këtij departamenti, pedagoges Belina Budini, studentët patën mundësi të zhvillojnë një bashkëbisedim mbi rolin e medias dhe gazetarit në shoqëritë demokratike dhe konkretisht në kohërat e sotme, të sfiduara nga shumë faktorë, por mbi të gjitha nga pandemia, e cila lindi nevojën e një riorganizimi në shumë sektorë dhe fusha të jetës.
Gjithashtu, studentët u njohën edhe me mundësitë që ofrohen nga Agjencia Kombëtare e Rinisë, për zhvillimin e projekteve të ndryshme që kontribuojnë për një rini dhe më të tej një shoqëri më të shëndetshme.
Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Belina Budini tha se vitet e fundit në UET është rritur interesi i maturantëve dhe studentëve për t’i ndjekur studimet në profilin e Gazetarisë, ndërkohë që ky universitet përveç pjesës teorike, ofron mundësi të mira edhe në aspektin praktik, për t’i aftësuar dhe njohur studentët me punën dhe proceset që do të kryejnë kur të dalin jashtë auditorëve.
“Ne kemi studentë që ndjekin profilin e Komunikimit dhe Marrëdhënieve Publike, por edhe të Gazetarisë, një profil që po bëhet popullor kohët e fundit në UET. Ne nuk e kemi ofruar që në fillim të themelimit të programeve tona profilin e Gazetarisë, por vitet e fundit ka pasur goxha kërkesë. Ka pasur dhe kemi një aktivitet shumë aktiv profesionistësh që punojnë në institucione të tilla, si: Kryeministria, Bashkia, kudo në administratën publike, padyshim edhe në institucionet private. Por është lajm i mirë që Gazetaria josh dhe tërheqë profesionistë. Një pjesë e tyre janë të angazhuar në aktivitete si MediaLab që e kemi themeluar në bashkëpunim me Gazetën Liberale, ku praktika është një alternativë, por kemi edhe një laborator në dispozicion të studentëve, që mund të shkruajnë, mund të kompozojnë video, .
Jemi përpjekur t’i mbajmë studentët aktivë dhe t’i përfshijmë në punë praktike. Një pjesë e fushatës sonë rekrutuese, të PR dhe Komunikimit, zhvillohet nga vetë studentët. Pra është në dorën e tyre që t’i adresohen gjeneratës së vet, në mënyrë efektive që i përgjigjet nevojave dhe kërkesave që ata kanë, kundrejt tregut, profesionit dhe edukimit”, u shpreh Budini.
Më tej, duke e vendosur theksin në edukimin mediatik, Budini e vlerësoi këtë pjesë si të rëndësishme, duke shpresuar që kjo tematikë të jetë pjesë e kurrikulave në shkollat para universitare, pasi një nevojë e tillë është ndjerë dhe po bëhet më e ngutshme me ndryshimet që ka pësuar shoqëria dhe media.
Edukimi mediatik, Valbona Sulçe: Pa median dhe gazetarët, bota do të ishte më e keqe
Trajnerja për Edukimin Mediatik, Valbona Sulçe, e rikthyer tashmë në UET si ish-gazetare, pas drejtimit të Zyrës së Marrëdhënieve Publike në këtë universitet në vitin 2010, u fokusua në rolin e gazetarit, pse është i rëndësishëm për shoqërinë.
Si një ish-gazetare televizioni dhe më pas e përfshirë në organizata civile, duke pasur një njohje më të gjerë të realitetit mediatik shqiptar dhe botëror, Sulçe tha se kohët e fundit profesioni i gazetarit po nënvlerësohet dhe është zbehur dëshira e të rinjve për ta ndjekur, teksa nënvizoi se një botë pa median do të ishte më e keqe dhe jodemokratike.
“Kur unë e kam filluar ishte një pozicion shumë i lakmuar, i dëshiruar dhe fisnik, saqë të gjithë donin të bëheshin gazetarë. Ndërsa tani e shoh që dëshira ka ardhur në ulje dhe nuk më pëlqen kjo gjë, sepse nëse do të kemi një botë pa gazetarët do të jetë sigurisht në botë më e keqe.
Kur u shpall karantina në pandemi, ne u gjetëm në një amulli totale, ku politikanët kishin mëtuar prej shumë kohësh ta zëvendësonin median si ndërmjetës të informacionit, u gjetën pa aleatë në informimin e publikut dhe ata që humbisnin ishin ne. Ka qenë momenti më i vështirë, por edhe më ndriçues për rrugën në të cilën kishte hyrë marrëdhënia e medias me politikën, sepse kishte 2-3 vjet që kishte një sulm total ndaj medias në përgjithësi, duke filluar me “armik i popullit” nga Trump në SHBA e deri te etiketimet si kazan. E gjithë kjo strategji për të deligjitimuar rolin e medias si në një faktor që është në ADN-në e demokracisë na tregoi se një botë pa gazetari, pa lirinë e shprehjes, është një botë e keqe. Sigurisht ju keni lexuar në histori, që të gjitha diktaturat nuk e duan median dhe lirinë e shprehjes.
Dua të jemi shumë të kujdesshëm më natyrën historike të profesionit të gazetarit. Pse lindi gazetaria? Pse kishte nevojë shoqëria njerëzore që të shpikte një profesion si ai i gazetarit? Për të mbajtur të monitoruar të gjitha pushtete e tjera, të cilët nuk mund ta monitorojnë dot veten. Shoqëria dhe institucionet e patën si nevojë të brendshme që të kishin dikë të ishte mbi palët dhe të informonte për vendimet që merreshin në emër të tyre”, tha Sulçe.
Më tej, Valbona Sulçe u ndal tek nevoja edukimit mediatik, si një nevojë për një shoqëri më të shëndetshme, pasi sipas saj konsumimi i informacionit është njëlloj si me ushqimin, një informacion i pasaktë ‘helmon’ shoqërinë. Sipas saj, mediat, gazetarët janë të vetmit që bëjnë ndarjen e lajmeve, mes atyre që janë të sakta dhe ‘fake news”.
“Është e rëndësishme që të rinjtë dhe fëmijët ta fillojnë edukimin e tyre që në moshë të re, për t’u orientuar në këtë botë që nuk quhet më pandemia, por infodemia, për shkak të obezitetit të informacionit, të ndryshimit të qëllimit të aktorëve për të informuar publikun. Sot çdokush informon, nga portieri i pallatit te kryeministri i vendit, sepse kanë mjetet për ta bërë këtë gjë. Pyetja është a janë këto informacione të besueshme, që na duhen dhe na sigurojnë një shoqëri pluraliste?
Është thelbësore që qytetarët të zhvillojnë ndjesitë e tyre për informacionin dhe respekt për profesionin, por edhe të jenë mbrojtës të gazetarit. Ka pasur një krisje mes gazetarëve dhe publikut, në sensin e besimit të ndërsjellët, për një sërë faktorësh, që nga pjesa e anësisë, por unë do iu inkurajoja të shihni pjesën e shëndoshë dhe të atyre njerëzve që sakrifikojnë shumë nga dita dhe jeta e tyre për ta mbajtur këtë shoqëri demokratike. Mos harroni diktaturat lulëzojnë në errësirë dhe demokracia është vend për dritë”, tha Sulçe.
Kleina Kasanai: Agjencia e Rinisë, një mundësi realizimi për projektet organizatave rinore
Universiteti Euroian i Tiranë, një lement të rnëdëssiëhm të jetës akademike, ka edhe zhvillimin e projekteve kombëatre dhe ndërkombëtare, ku është edhe lider në këtë pjesë. Tashmë një rrugë e re bashkëpunimi është krijuar edhe me agjencinë Kombëatre të Rinisë, një institucion nën varësinë e Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, i cili vjen i rimodeluar dhe me synime të reja.
Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare e Rinisë, Kleina Kasanai tha se në fokus të këtij institucioni është rinia, ku nëpërmejt granteve do të mbështeten organizatat rinore, për realizimin e projekteve që mund të krijojnë, ndërsa një nevojë e shtuar është gjithnjë e më shumë për profesionistë të PR dhe komunikimit.
“Agjencia Kombëtare e Rinisë është një agjenci e rimodeluar, pasi më parë ka qenë Shërbimi Kombëtar për Rininë, ku ka pasur në varësi edhe qendrat rinore. Me rimodelimin e saj ndryshoi struktura dhe u atashuan disa detyra te reja, nëpërmjet të cilave do të kemi mundësinë të bëjmë punë të mira dhe të kemi projekte konkrete. Shumë shpejt, nëpërmjet granteve do të kemi mundësi të mbështesë organizatat rinor, por dhe bashkitë nëpërmjet projekt propozimeve të tyre. Aty të rinjtë mund të gjejnë veten, sepse do të punojmë me projekte konkrete dhe t’i mbështesim me një projekt të dedikuar që kemi.
Në fokus ka qenë shpesh arsimi, por ne do të përpiqemi që fokusi i institucioneve mbi ne, pao edhe posjtë nesh, të jetë nga rinia. Ne e shohim nga takimet me ambasadat, hulumtimet pafund dhe shohim çfarë bëjnë vendet e rajonit, po Evropa, ku vëmendja është ndaj të rinjve.
Agjencia në vetvetenuk mbështet individ apo grupe informale. E tillë është ideuar, por gjatë rrugës mund të shihet edhe hapësira për mbështetjne e një individi”, tha Kasanai.