[:en]Florjan Kalaja: Nevoja për reformën e së drejtës civile në Shqipëri[:]
[:en]
Florjan Kalaja: Nevoja për reformën e së drejtës civile në Shqipëri
I ftuar në ciklin e forumeve UET, në kuadrin e UET Open Weeks, këtë të martë ka qenë z. Florjan Kalaja, këshilltar në Gjykatën e Lartë. Në një bashkëbisedim të moderuar nga drejtori i Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publikun në UET, z. Edi Vlusha, me studentë dhe pedagogë në Universitetin Europian të Tiranës, z. Kalaja ka trajtuar një sërë tematikash kryesisht me fokus tek e drejta civile shqiptare në reformën e sistemit të drejtësisë.
Z. Kalaja ka prezantuar një studim mjaft interesant që ai ka kryer, ku trajtohen çështje të tilla si 90-vjetori i Kodit të Parë Civil Shqiptar, jurisprudenca e Gjykatës së Diktimit, konstitucionalizmi i Kodit Civil të vitit 1929 përmes jurisprudencës së Gjykatës së Diktimit, trashëgimia jurisprudenciale e autoritetit më të lartë gjyqësor shqiptar si shkak rekursi, sipas nenit 479 KPC, nenit 59 të Ligjit nr. 49/2012, nenit 432 të KPP, sfida kushtetuese e shekullit XXI kundër dekodifikimit të së drejtës shqiptare, si dhe nevoja për reformën e së drejtës civile në Shqipëri.
Në fjalën e tij ka shpjeguar për studentët rolin dhe rëndësinë e Gjykatës së Diktimit, si dhe ka ilustruar momente të ndryshme ku vendimmarrjet e kësaj gjykate kanë shënjuar historinë. Ai vuri theksin te rëndësia për reformimin e Kodit Civil, i cili përgjatë gjithë kësaj periudhe ku kanë ndodhur ndryshime të shumta në aspekte të tjera juridike në vend nuk ka marrë vëmendjen e duhur.
“Më 1 prill të vitit 1929, hyri në fuqi për herë të parë në Shqipëri një ligj civil kuadër shqiptar, Kodi Civil i Mbretërisë Shqiptare. Është pikërisht ky moment që shënon historinë e shtetit shqiptar, përkatësinë e traditës së sistemeve të së drejtës, që do të thotë se nga ky moment Shqipëria u rendit në një ndër shtetet që përfaqësonin filozofinë e sistemit kontinental, filozofinë e sistemi ‘civil law’ dhe filozofinë e së drejtës së kodifikuar”, ka shpjeguar ai.
Ndërkohë ndau me studentët një fakt mjaft interesant, atë që kontrolli kushtetues në Shqipëri ka lindur me Gjykatën e Diktimit.
“Gjykata e Diktimit për herë të parë në historinë e Shqipërisë zhvilloi një kontroll incidental të ligjit dhe mënyra se si monarkia jonë funksionon, themeli i saj është që Kuvendi nuk mundet të miratojë ligje që vijnë në kundërshtim me parimet themelore të ndërtimit të shtetit, nëse kjo do të ndodhë, atëherë gjyqtari nuk do të mund të zbatojë ato ligje që vijnë në kundërshtim me parimet themelore të shtetit dhe duke qenë se është kështu, gjyqtari ka të drejtë të bëjë kontrollin e konstitucionalitetit të ligjit. Imagjinoni se çfarë vetemancipimi pushteti gjyqësor krijoji karshi pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv të asaj kohë”, u ka thënë ai studentëve.
Ndërkohë, krahas çështjeve të tjera, u ndal dhe te fakti se është e rëndësishme për ne si vend që të mos mendojmë se pas çdo ndryshimi të sistemit gjithçka zerohet, por duhen mbajtur parasysh të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur përgjatë historisë.
“Konkluzion i studimit është që në të vërtetë si shkak rekursi do të duhet të shërbejë edhe jurisprudenca e Gjykatës së Diktimit, edhe jurisprudenca e Gjykatës së Lartë nga viti ’45 – ’91, jurisprudenca e Gjykatës së Kasacionit dhe pse jo dhe jurisprudenca e Gjykatës së Lartë para ndryshimeve të reformës në drejtësi. Për të dhënë mesazhin që ‘ADN’-ja jurisprudenciale apo identiteti i jurisprudencës së autoritetit më të lartë gjyqësor në Shqipëri nuk mund të fshihet, nuk mund të nisë gjithçka nga e para duke neglizhuar edhe ato që sot mungojnë në jurisprudencën e qoftë Gjykatës së Lartë apo qoftë edhe Gjykatës Kushtetuese.”
Ai gjithashtu shpjegoi prirjen që ekziston sot për një dekodifikim të së drejtës shqiptare dhe arsyet përse ky është një “lajm” i keq për vendin. Ndërkohë nënvijëzoi faktin se Kodi Civil është tepër i rëndësishëm dhe domosdoshmërinë që ekziston sot për ta përmirësuar atë. Z. Florjan Kalaja ka një eksperiencë të gjatë në fushën e drejtësisë si jurist, prej 10 vitesh magjistrat. Me një jetëshkrim të pasur, ai ka qenë anëtar i disa institucioneve të rëndësishme të drejtësisë në vend. Njëkohësisht z. Kalaja është botues i një sërë librash, si dhe një zë aktiv ndër vite, në jetën publike, me shkrime të shumta publicistike në disa prej gazetave më të rëndësishme në vend.
[:]