[:en]Florian Plaku: UET, universiteti që garanton meritokraci[:]
[:en]
Florian Plaku: UET, universiteti që garanton meritokraci
Elda Dedja
Florian Plaku, ish-student në Universitetin Europian të Tiranës, rrëfen mbi eksperiencën e të qenët një student ndërkombëtar
Florian Plaku ka studiuar në Universitetin Europian të Tiranës për degën Informatikë Ekonomike dhe ka qenë një prej studentëve ekselentë të tij. Ai ka bërë zgjedhjen të avancojë studimet e larta në ciklin Master në Universitetin Duisburg-Essen në Gjermani, për po të njëjtën degë.
“Është një përvojë vërtet e pazëvendësueshme, një sfidë përgjatë së cilës ti mëson ashtu siç nuk do të kishe mundur të mësoje në asnjë situatë tjetër. Është e vërtetë që nuk është e lehtë të studiosh në një vend të huaj, ku flitet një gjuhë e huaj, në një vend të ndërtuar nga një shumësi kulturash krejt ndryshe nga e jotja, por në fund të ditës janë të gjitha këto elemente që të ‘pasurojnë’ dhe ndikojnë thellësisht në formimin tënd personal dhe atë profesional”, thotë Floriani, i cili thekson se ndonëse fillimi mund të shoqërohet me pasiguritë e veta, nëse i ke të qarta objektivat e tua dhe këmbëngul duke punuar fort për t’i arritur ato, të ambientohesh nuk është aq e vështirë.
Florian Plaku shton se është i lumtur për këtë kontakt me kultura të reja dhe që po gëzon mundësinë e thellimit të njohurive në dimension ndërkombëtar. Ai thekson se përgatitja e përftuar gjatë studimit në Universitetin Europian të Tiranës ka ndikuar ndjeshëm në këtë eksperiencë.
“Në UET jam përkushtuar shumë që të investoj në dije, në mënyrë që të jem i përgatitur për t’i bërë ballë çdo sfide, kështu që kam marrë një bazë të fortë. Tani që studioj në një vend europian e them me bindje se nëse je i aftë dhe i përkushtuar mund t’ia dalësh kudo. Për fat nuk kam ndier mangësi dhe statusi i një studenti internacional më bën të ndihem krenar. Gëzohem që kam mundësinë të përfaqësoj vendin tim në ato vlera pozitive që do të duhet të transmetohen realisht në Europë e përtej saj.”
Thotë se pas përfundimit të studimeve të tij në Gjermani dhe fitimit të një përvoje profesionale në këtë vend, do të dëshironte të rikthehej për të kontribuuar në vendin e lindjes.
“Sigurisht, në një të ardhme, pasi të përfitoj nga ky investim, dua të kthehem në Shqipëri për të kontribuuar sadopak për vendin tim. Njoh shumë studentë të tjerë, që si unë kanë zgjedhur të formohen më tej në një universitet perëndimor, por që një ditë duan të rikthehen në Shqipëri, pavarësisht se mund të jetë më e vështirë. Për mua është e rëndësishme që ne të kemi hapësirat e nevojshme për të sjellë një ndryshim. Në Shqipëri, gjatë këtyre viteve kemi parë modele të vjetra, ndaj edhe jam i mendimit se duhet një frymë dhe eksperiencë e re”, thekson Floriani.
Në vitin e tij të parë të studimeve në UET ai u bë fitues i një gjysmëburse ekselence dhe në vijim, i bursës së plotë të ekselencës. Rezultatet e larta akademike bënë që Floriani të ishte pjesë e rrjetit të Ekselencës për dy vite.
“Në UET meritokracia është e garantuar për të gjithë studentët. Bursa e Ekselencës është një motivim shumë i mirë, pasi ndikon shumë jo vetëm në dëshirën për të studiuar më fort, por edhe në formimin e vetëbesimit. Është pikërisht kjo cilësi që të shoqëron gjatë gjithë jetës dhe bëhet faktor vendimtar për sukseset e së ardhmes.”
Ajo çfarë e solli pranë UET në fakt ishte reputacioni i mirë i këtij universiteti, ndaj edhe pritshmëritë ishin të larta.
“Jam interesuar për Universitetin Europian të Tiranës që përpara maturës dhe në fakt fjalët që kam dëgjuar asokohe për të kanë qenë shumë pozitive edhe nga miq apo të afërm të mi që kishin studiuar atje. Kështu që nuk jam menduar dy herë përpara se të vendosja ku do të studioja. Sigurisht pritshmëritë ishin të larta dhe studimi në ciklin Bachelor m’i ka përmbushur ato. Them se një nga pikat më të forta të këtij universiteti është marrëdhënia e shëndoshë mes pedagogëve dhe studentëve. Në këndvështrimin tim është pikërisht ky bashkëpunim i vazhdueshëm, mbështetja e pakursyer në këshilla dhe orientim që bën ndryshimin”, thotë Floriani, tashmë në statusin e një Alumni, duke shtuar se, ndër të tjera, vlerëson shumë edhe jetën studentore të UET dhe aktivitetet e shumta që zhvillohen përgjatë vitit. Ai vetë ka qenë një ndër studentët aktivë, që janë angazhuar si brenda auditorit ashtu edhe jashtë tij.
“Në UET hapësira për të qenë aktiv në debate dhe bashkëbisedime është vërtet e madhe. Leksione të hapura rreth tematikave të ndryshme, me të ftuar personalitete nga bota e biznesit apo profilit të studimit, pa harruar lektorët e huaj, janë ato të cilat e bëjnë më tërheqëse degën e studimit. Klubet studentore po ashtu, si dhe mundësia e aktivizimit nëpërmjet tyre apo Qeverisë Studentore është po ashtu një element që e kam vlerësuar gjithnjë gjatë periudhës së studimeve. Pikërisht studentëve do t’u thosha të mos i linin pa shfrytëzuar këto mundësi, pasi do ta vënë re më vonë se sa të rëndësishme janë në formimin e gjithsecilit. Për më tepër që përbëjnë një nga mundësitë më të mira për të krijuar një rrjet të madh kontaktesh, që në shoqërinë e sotme është një domosdoshmëri. Ndërsa për maturantët, që ende nuk kanë marrë një vendim, do t’i sugjeroja me dashamirësi që të zgjedhin të studiojnë në një ambient ku promovimi dhe vlerësimi i punës është kryefjalë dhe për mua, personalisht, UET e ka përmbushur këtë tërësisht.”
Gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri, Floriani ka mundur të bëhet pjesë edhe e tregut të punës falë një eksperience disamujore në një institucion shtetëror.
“Pasi përmbylla studimet e mia në ciklin Bachelor, falë mundësisë që na krijoi universiteti, unë dhe disa studentë të tjerë kryem një internship pranë Ministrisë së Bujqësisë. E ndjeva veten të përgatitur dhe të sigurt në këtë përballje të parë me kërkesat reale të punëdhënësve, ku eprorët shprehën vlerësime për punën dhe kontributin në grup, ndaj meje dhe studentëve të tjerë.”
Ndërkohë që tashmë është i pozicionuar në Gjermani dhe në përfundim të vitit të tij të parë të studimeve, tregon se ka nisur përpjekjet e para për t’u integruar edhe atje në profesionin e tij.
[:]