Faruk Kaba: Në pak vite, UET ndër universitetet më të mira për inxhinieri
Në ciklin e Forumeve UET, për një bashkëbisedim me pedagogë dhe studentë këtë të martë, në moderimin e përgjegjëses së Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit, Prof. Asoc. Dr. Belina Budini, ishte i ftuar një ndër ekspertët më të njohur të ndërtimit të rrugëve, Dr. Ing. Faruk Kaba, për të ndarë eksperiencën shumëvjeçare si dhe opinionet e tij në lidhje me Fakultetin e ri të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës në UET.
Dr. Ing. Faruk Kaba është një figurë mjaft e njohur në fushën e inxhinierisë. Ai është projektues rrugësh dhe veprash të rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri, përfshirë këtu edhe Rrugën e Arbërit. Ai ishte edhe i ftuari i parë me ekspertizë në fushën e inxhinierisë, në forumet UET, në kuadër edhe të hapjes së Fakultetit më të ri, atij të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës. “Unë kam dhënë mësim në Universitetin e Tiranës me Lëndën e Rrugëve që nga viti 1984 deri më 1993. Në vitin 1993 u përfshiva në disa punë të tjera publike dhe më pas u angazhova përsëri në disa universitete. Ftesën nga Universiteti Europian i Tiranës e pranova pasi u konsultova me disa miq të mi. Ideja ime dhe dëshira ime është që ky universitet të ngrihet dhe të bëhet një universitet jo si ai shtetërori pasi unë kam qenë vetë atje. Universiteti shtetëror për një arsye shumë madhore mund të quhet një universitet i dështuar sepse i gjithë profesorati është përfshirë në punë konsulence inxhinierike. Profesorët nuk e kanë mendjen në mësimdhënie por në kompanitë e tyre private të projektimit gjë që është jashtë interesave të shtetit shqiptar. Është hera e parë që unë po e them këtë. Në qoftë se ata inxhinierë do të angazhohen në një strukturë konsulence të universitetit është plotësisht e pranueshme, ky është standardi ndërkombëtar”.
“Unë besoj dhe shpresoj se bashkë me stafin dhe kolegët këtu, Universiteti Europian i Tiranës do të bëhet universitet i cili do të ngrejë kuotat dhe të jetë në rang-listën e universiteteve më të mira, veçanërisht për inxhinieri. Këtë gjë e shpresoj, e uroj dhe e besoj”, u shpreh ai në lidhje me iniciativën që UET ka ndërmarrë për të zgjeruar ofertën e tij akademike edhe me degët e inxhinierisë.
Përgjatë forumit janë prekur një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me inxhinierinë dhe urbanistikën në Shqipëri. Për sa i përket situatës urbane sot, dr. Kaba u shpreh: “Sot kemi një situatë urbane që personalisht mendoj që ka shumë të meta. Lëvizja është shumë e vështirë, kemi shumë segmente rrugore të cilat ngarkohen jashtë mase dhe kemi segmente të tjera të cilat janë të pashfrytëzuara”.
Ai tha se për të përmirësuar këtë situatë janë bërë shpeshherë shumë përpjekje, nga ai vetë si edhe nga kolegët e tij. Pyetjes se përse kjo situatë nuk ka marrë ende zgjidhje ai i është përgjigjur se zgjidhja vjen vetëm nëse urbanistika shoqërohet me inxhinieri dhe jo të jetë primare pjesa estetike.
“Disa vite më parë, në Shqipëri erdhi një specialist nga Suedia, i cili ishte një nga ekspertët më të mirë të kësaj fushe dhe tha se ne e kemi trafikun të çoroditur por me pak ndërhyrje mund të rregullohet. Unë i besoj shumë asaj ideje të tij. Kjo situatë në të cilën jemi sot, nuk gjen zgjidhje ndoshta, sepse siç thashë në fillim, urbanistika kërkon shumë inxhinieri brenda. Nuk është si arkitektura, e cila është edhe art edhe kompozim dhe ide. Urbanistika është tjetër gjë. Numri një i urbanistikës janë rrugët, pastaj vijnë ‘pjesët’ e tjera, parqet, sheshet, parkingjet etj. Kam përshtypjen se duke i bërë gjërat të fragmentuara, duke i ndarë, duke mos patur një ide, një koncept, qendra është ngarkuar jashtë mase. Kjo është detyrë e pushtetit lokal, të orientohet shumë më tepër në anën inxhinierike, në lëvizjen, të studiojë trafikun…”, shtoi inxhinieri Faruk Kaba.
Pikërisht këtë ‘kaos’ urban ku qytetarët ndeshen çdo ditë me këtë problematikë, ai e ka ilustruar me kryqëzimin në rreth-rrotullimin e Zogut të Zi duke shprehur jo vetëm mendimin e vet, por edhe të shumë ekspertëve të kësaj fushe. “Është e pamundur që të konceptohet një kryqëzim i tillë me rreth-rrotullim. Rreth-rrotullimi teorikisht mban vetëm 2000 mjete në orë. Kaq e ka kapacitetin, pastaj duhet zgjidhur në disnivel, se quhet kryqëzim në nivel. Aty kalojnë mbi 4000-5000 mjete në orë dhe kjo kërkon një zgjidhje tjetër. Dhe ajo zgjidhje është dhënë nga inxhinierë dhe nuk e kuptoj pse autoritetet publike, Bashkia, nuk veprojnë, thjesht po e rregullojnë nga ana estetike si rreth-rrotullim, por nuk është zgjidhja e cila i duhet qytetarit dhe përdoruesit të rrugës. Nga qendra e Tiranës deri në aeroportin e Rinasit dhe deri në portin e Durrësit nuk duhet të ketë asnjë pengesë në kryqëzime në nivel, dhe është diçka që mund të realizohet”.
Ndërkohë inxhinieri i njohur ka diskutuar edhe në lidhje me projektin e shumëpërfolur infrastrukturor, Bypass-in e Fierit, i cili është një dështim më shumë i sektorit publik sesa një dështim i projektuesve të këtij bypass-i.
“Bypass-i i Fierit është një dështim total, po jo i inxhinierisë shqiptare. Është dështim total për mendimit tim, i sektorit publik, i strukturave shtetërore, duke përfshirë edhe autoritetet rrugore dhe Ministrinë e Transporteve, në përzgjedhjen e kontraktorëve. Një firmë ndërtimi që kishte një eksperiencë të ngjashme të dështuar në Shqipëri, e cila gabimisht u përzgjodh dhe koha tregoi që ishte një dështim. Por në koncept edhe bypass-i i Fierit ka qenë një zgjidhje jo e drejtë. Në vitin 1988 është bërë studimi i aksit veri-jug. Është miratuar nga qeveria shqiptare dhe kalimi në Fier nuk ka qenë nga ana perëndimore siç është ky bypass i cili është në proces ndërtimi. Ka qenë nga ana lindore, për arsyen e thjeshtë se kushtonte disa herë më pak, shkurtonte distancën me gjithë jugun e Shqipërisë rreth 12 km, zgjidhte në mënyrë shumë të mirë bypass-in dhe lidhjen me Vlorën dhe kjo që është bërë sot i ka kushtuar shtetit shqiptar rreth 60 milionë Euro më tepër dhe zgjatje të transportit publik rreth 20 milionë Euro çdo vit me trafikun prej rreth 10 mijë mjete që lëvizin në 24 orë”.
Si pjesëmarrës në shumë grupe pune, pozicione shtetërore e private, Kaba tregoi më tej edhe ngërçin, krizën në infrastrukturën tonë aktuale. “Mendoj se ne nuk jemi vend i pasur, mund të ishim shumë herë më mirë me këto resurse natyrore, me pozicionin gjeografik duhet të ishim shumë herë më mirë. Në situatën aktuale, me këto kushte, në Shqipëri nuk mund të bëhen mrekullira me kushtet që kemi, me buxhetet që kemi, por rreth 10 miliardë euro janë përdorur për ndërtimin e infrastrukturës së transportit dhe infrastrukturat e tjera, janë një shifër astronomike. Unë jam përpjekur t’ua transmetoj dhe autoriteteve kryesore të Ministrisë, të Drejtorisë së Autoritetit Rrugor që ne po ndërtojmë gjithë këtë infrastrukturë por ne nuk kemi asnjë organizim në sensin e mirëmbajtjes së kësaj infrastrukture, pasi rregullat janë shumë striktë. Një nga kërkesat kryesore janë ngritja e atij instituti që detyrë kryesore ka monitorimin e infrastrukturës. Është edhe çështje fuqie financiare e shtetit Shqiptar por problemi kryesor është që atë që kemi ta administrojmë sa më mirë. Të shpenzosh shifra kaq të mëdha për infrastrukturën dhe të kesh një produkt të tillë siç e kemi aktualisht është e patolerueshme”.