Çel siparin Panairi i Librit, UET PRESS me 50 tituj të rinj
Sot çel siparin Panairi i Librit, ndërsa UET PRESS fton lexuesit në stendën e saj, ku do të jenë mbi 50 tituj të rinj, botime të vitit 2021, duke shenjuar një vit të mbarë në prurjet që mbajnë logon UET PRESS dhe duke ruajtur, përtej vështirësive që solli pandemia, një trend shumë të mirë botimesh.
I sjellim publikut shqiptar një ngasje të re për të shijuar leximin, si atë artistik-letrar ashtu edhe atë më të ftohtë intelektual e profesional, gjithmonë të kujdesur për të mbërritur në duart e lexuesit si botime dinjitoze.
“UET PRESS vjen në këta panair me tituj dhe autorë përfaqësues, duke ruajtur veçantinë e saj si shtëpi botuese që promovon autorët dhe letërsinë shqipe, si edhe librat e mendimit – këtu do të veçoja botimet e kolanës Scripta Manent, ose ndryshe librat e kujtesës, ku personazhe me protagonizëm dhe gjurmë në jetën e vendit, sjellin dëshmitë e tyre si kontribut për kultivimin e kujtesës kolektive. Studimet, monografitë, punime të autorëve autoritete në fushat e tyre, të gjithë bashkë janë një shtysë intelektuale për të nxitur debat, reflektim e kësisoj emancimim në mendësinë e shqoërisë shqiptare.”, thotë drejtorja e UET PRESS, Suela Mino.
Në kolanën Leteratura spikat shkrimtari Preç Zogaj me dy botime të reja, përmbledhjen me poezi “Një e tretë, dashuria” dhe novelën “Bija e vjetër e nënës së re”.
“Si poet, Preç Zogaj është ngjitur tashmë në disa lartësi ku të paktë njerëz të letrave janë ngjitur, atje ku asgjë nuk mund t’i fshihet më ‘shqisës së shtatë të metaforës’ e ku Engjëlli i thotë ‘ngadalë vjen njerëzimi tek arti’”, ka vlerësuar shkrimtari Besnik Mustafaj për këtë botim.
Ndërsa studiuesi Gëzim Basha thotë: “Novela “Bija e vjetër e nënës së re” ka një ton të thellë elegjiak: jetimët e viteve 50-të bëhen minatorë që vdesin para kohe prej ekspozimit ndaj pluhurit të minierave, mjaft të afërm rrënohen nga lufta e klasave, Kisha rrënohet e humb, varreza rreth saj vithiset e mbulohet nga shkurret e barërat bashkë me kryqet dhe eshtrat e Nënës së Re. Bija e Vjetër mbahet ende për të na kujtuar jo thjesht çfarë kemi humbur, por edhe mënyrën se si e humbëm.”
Një tjetër libër që do të befasojë lexuesin është ai i autores Miranda Haxhia, roman i jetuar “Vaji i Gurit”. Inxhinier Riza Alizoti flet me botën e të gjallëve nga përtej varrit dhe…rrëfen.
“Djali me biçikletë” i shkrimtarit të njohur izraelit Eli Amir është vepra e parë e letërsisë izraelite që vjen e përkthyer nga gjuha hebraike në gjuhën shqipe, nën logon e UETPress.
Tashmë lexuesi shqiptar është njohur me romanin autobiografik “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën” të shkrimtarit të njohur izraelit Amos Oz, i cili përshkruan periudhën e krijimit të Shtetit të Izraelit nga kënvdështrimi i një të riu hebre ashkenazit me prejardhje nga Europa Lindore. Romani “Djali me biçikletë” na e përcjell të njëjtën periudhë në këndvështrimin e një të riu hebre iraken sefardit nga Lindja Arabe. Dy këndvështrime të ndryshme, nga dy botë të ndryshme, si këndvështrimet e Lindjes e të Perëndimit.
“Djali me biçikletë” vjen për lexuesin shqiptar nën shqipërimin skrupuloz të përkthyesit Alban Rreli.
Fituesi i Çmimit Kadare 2021, autori Gani Mehmetaj do të jetë në stendën e UETPress me romanin e tij “Zogjtë e Qyqes”, duke sjellë për lexuesit një kënd të ri të të parit të Ballkanit me sytë e ‘tjetrit’. Edmond Budina vjen romanin “Kokëmushkat”- Pas një nate pasioni, Enkelejda Borshi zhduket. Në kërkim të së vërtetës, i fejuari i saj italian, Emanuele D, përplaset me një mur të pakapërcyeshëm të një bote të panjohur. A do ta zbulojë vallë enigmën e zhdukjes së saj?
Kalvari i një vajze me një det ëndrrash për të ardhmen, e cila beson marrëzisht tek dashuria. Një mjedis sa real, aq edhe absurd, ku ndërthurren e shkuara me të tashmen… Cili do të jetë fundi i dashurisë së tyre?
Autori i njohur Loer Kume sjell pas një dekade “LUX”. “LUX është ciceron dritëhijesh. Peri i kuq që përshkon e përmbledh të gjitha rrëfimet e tij është gërshetim i ndërlikuar kontrastesh, mbi një idé letërsie në sfond që pajton kundërthëniet ekstreme të ekzistencës. Ato midis të shkruarit dhe shuarjes te “Lux”, vlerëson shkrimtari Shqiptar Oseku për këtë libër me tregime.
Shkrimtari Odise Kote vjen me dy botime të reja, përmbledhjen me tregime “Biletë për në qiell” dhe vëllimin poetik “Pengje të gurëve”. Poeti I mirënjohur Bardhyl Londo veçon në paratënien e këti librij se “Odise Kote shkruan jo se shikon, por se ndjen. Ai nuk përshkruan, por zbërthen. Ai nuk noton në sipërfaqe, por zhytet në thellësi për të kërkuar perlat e vërteta.”
“Përsiatje”, është një tjetër botim i kolanës Leteratura, një përmbledhje tregimesh e novelash post-moderniste nga autori Bjorn Kamberi. “Kur endesh mes për mes leximit në “Përsiate”, pandeh se po çapitesh e lëkundesh me pasiguri në një hapësirë të mjergullt, ku gjithçka së pari duket e paqartë. Nëse nuk heziton të bësh përpara, pamja të qartësohet dhe atje tej njeh krijesa që kaluan në këtë botë si udhëtarë që ngatërruan drejtimet dhe mbetën të patjetërsuar nëpër udhëkryqe ku shënuan emrat dhe fatet e tyre ekzistenciale.”, vlerëson studiuesi Ermir Nika.
Autori Sami Milloshi vjen me përmbledhjen me tregime “Ora e Murit”, me një stil original dhe rrëfim shumë original, si edhe romani “Prushi Pellazg i autorit Miço Mone, dedikuar Dhimitër Pilikës.
Ndërkohë që UETPRESS vjen me disa botime dinjitoze në kolanën Scripta manent, ku spikasin ndër të tjera jetëshkrimi i gjuhëtarit Bahri Beci, i cili skanon tre periudha historike nën titullin “Përjetime/ 1936-2021”, apo ai i një personazhi si Kurt Kola me titullin “Tranzicioni neokomunist në Shqipëri”, apo përmbledhja me intervista nga gazetari i njohur Roland Qaforku “%0 pyetje për 50 personazhe – Historitë e jetës së shqiptarëve më të famshëm”.
Nga kolanat Monografi, Studime, Acta Scentarium vijnë emra – autoritete në fushat e tyre, botime që kultivojnë debatin dhe mendimin kritik, duke pasuruar mjedisin shqiptar me kontribute të spikatura. Juristi i njohur Denar Biba vjen me “Të drejtat e njeriut dhe Konstitucionalizmi”, ndërsa vjen në shqip një tekst profesional autoritativ nga dy personalitete botërore të fushë: “Marrëdhëniet Publike Sot”, nga Trevor Morris dhe Simon Goldsworthy, botim i prestigjiozes “Macmillan Education Pelgrave”, përkthyer nga një grup pedagogësh të Departamentit të Komunikimit në UET, nën udhëheqjen e Dekanes së Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Belina Budini.
Këto dhe shumë tituj të tjerë i gjeni në stendat e UETPress, përgjatë 5 ditëve të Panairit të 24-ët të Librit në Tiranë.