[:en]Bursa të plota për studentët e UET në Mälardalen University Sweden[:]
[:en]
Bursa të plota për studentët e UET në Mälardalen University Sweden
Studentët e UET përfitojnë bursa të plota studimi në Mälardalen University Sweden, që mundësojnë diplomë të dyfishtë
Në vitet e fundit, globalizimi ka çuar në nivele të pashembullta të ndryshimit në fusha të ndryshme, nga ekonomia në mjedis, nga mënyra se si bëjmë biznes në mënyrën se si ndërveprojmë me mediat. Në aspektin e ndërkombëtarizimit, Universiteti Europian i Tiranës ka vite që investon. Një institucion i arsimit të lartë ka si pjesë të përgjegjësive të tij prodhimin e dijes dhe njohurive akademike, si dhe transmetimin e plotë dhe sa më cilësor të tyre te studentët. UET-i ka vite që me anë të marrëveshjeve të bashkëpunimit mundëson mobilitetin e studentëve, si dhe stafit të tij akademik në universitetet më të mira në Europë, për një periudhë kohore nga tre deri në dhjetë muaj, duke pritur njëkohësisht studentë europianë në auditorët e tij.
Një nga bashkëpunimet më të fundit është ai mes UET dhe Mälardalen University Sweeden. Trembëdhjetë studentë shqiptarë do të mund të shkojnë me bursë të plotë në Suedi për 10 muaj, në një program studimi Master në fushën e Teknologjisë dhe Informacionit. Ndryshe nga shkëmbimet e zakonshme Erasmus+, ku bursa mbulon shpenzimet mujore, shpenzimet e jetesës dhe tarifat e universitetit, avantazhi më i madh i kësaj marrëveshjeje është që universiteti pritës në fund ofron edhe një diplomë. Pra studentët që fitojnë këtë mundësi do të përfitojnë diplomë të dyfishtë; një diplomë të Masterit Profesional nga universiteti suedez, si dhe një diplomë të Masterit Shkencor nga UET. Më tepër rreth kësaj mundësie, flet drejtuesja e Zyrës së Projekteve dhe Partneriteteve në UET, Dr. Ketrina Çabiri Mijo.
“Marrëveshja është një marrëveshje Erasmus+ mes Mälardalen University Sweden dhe Universitetit Europian të Tiranës. Është nënshkruar këtë vit dhe parashikon për studentët shqiptarë bursa studimi që fillojnë të aplikohen që nga shtatori. Në thelb, shkëmbimi ka të njëjtat përfitime si çdo shkëmbim tjetër Erasmus+, por me avantazhin që në përfundim të studimeve përfitojnë një diplomë masteri profesional me 60 kredite. Në momentin që kthehen në UET, studentët bëjnë konvertimin e lëndëve që kanë ndjekur në Mälardalen University Sweden dhe vazhdojnë masterin e tyre shkencor dhe në fund të dy viteve dalin me dy diploma.”
Në shtator të këtij viti, studentët e UET, të cilët kanë përfituar një bursë të plotë studimi, do të bëhen pjesë e auditorëve suedezë.
Antonela Bregu: UET ka qenë për mua universiteti i mundësive
Antonela Bregu është studente në Universitetin Europian të Tiranës për degën Informatikë-Ekonomike, në vitin e tretë të studimeve dhe ka përfituar një bursë të plotë studimi pranë Mälardalen University Sweden. Thotë se e motivuar nga eksperienca e mëparshme e shkëmbimit studentor, pranë universitetit “Aldo Moro” në Bari të Italisë, vendosi të aplikojë për këtë mundësi të re e tërhequr jo vetëm nga kultura dhe mjedisi suedez, por edhe nga dualiteti i diplomës.
“Eksperienca në Erasmus+ ka qenë një nga përvojat më interesante, ku janë ndërthurur në mënyrë perfekte studimi, argëtimi, njohjet, kultura dhe psikologjia e vendasve dhe një shkëmbim shumë efektiv i tipareve ndërkulturore. Ndërkohë që ishte hera e parë që isha rezident në një vend të huaj. Mësova gjuhën italiane, të cilën nuk e dija, pashë se si funksiononte sistemi i arsimimit italian, që ishte relativisht i vështirë, dhe mund ta konsideroj një sfidë të madhe, por që mendoj se arrita t’ia dal dhe jam shumë e lumtur që e kam zhvilluar. Kështu që sapo pashë thirrjen që ishte hapur për bursat studimi në Mälardalen University Sweden vendosa të aplikoj. Më ka pëlqyer gjithnjë Suedia si vend, fakti që ka standard shumë të lartë jetese dhe cilësi në arsimim, por mbi të gjitha më tërhoqi fakti që ky shkëmbim shoqërohej me një diplomë në fund, ishte një element që më motivoi më tepër për të aplikuar”, thotë Antonela.
Ajo shprehet se pas përfundimit të studimeve në Suedi është e lumtur që do të rikthehet në Universitetin Europian të Tiranës, pasi e cilëson atë si universitetin e mundësive.
“UET është fillimi i rrugëtimit tim, kam përfituar shumë mundësi prej tij. E kisha menduar që studimet e mia Master t’i kryeja në UET, dhe dëshira ime ishte të realizoja një tjetër periudhë mobiliteti ndërkohë, por kjo bursë studimi, e cila në një farë mënyre erdhi papritur, më krijoji një perspektivë të re për të ardhmen.”
Aleksandër Pulla: Bursa, një shans më tepër për formimin tim akademik, kulturor, social
Student në vitin e parë në Master, për degën Teknologji-Informacioni, Aleksandër Pulla, ka fituar të drejtën e studimit në Mälardalen University Sweden. Për të, ky do të jetë shkëmbimi i parë studentor ndaj është i bindur se do të jetë një eksperiencë mjaft e veçantë.
“Për mua është hera e parë që po studioj jashtë vendit dhe është programi i parë i shkëmbit studentor që ndjek. Shembuj të studentëve që kanë qenë fitues dhe më parë, kanë treguar se sa shumë vlen studimi jashtë dhe sa i kërkuar është ai për tregun e punës në ditët e sotme. E vlerësoj si një shans më tepër për formimin tim akademik, kulturor, social dhe pse jo të përvetësoj akoma dhe më shumë gjuhët e huaja. Përpara se ta aplikoja jam interesuar për universitetin dhe ai ka lidhje të forta me industrinë atje dhe kjo më duket shumë pozitive. Mua më pëlqen shumë kërkimi shkencor dhe kur të shkoj në Suedi kam dëshirë të ndjek sërish lëndë që kanë të bëjnë me të, dhe përse jo të kthehem në Shqipëri për t’u marrë me projekte.”
Aleksandri fillimisht ka studiuar për Financë, pranë universitetit publik dhe shprehet se kalimi në degën Teknologji Informacioni erdhi për shkak se ai mendon që kërkesat e tregut të punës janë të orientuara drejt kësaj dege.
“Jam shumë i kënaqur nga UET deri më tani, kurrikula është shumë cilësore, pedagogët të mbështesin shumë, gjithashtu vlerësoj faktin se po përgatitemi në mënyrë efektive nga ana praktike, jo vetëm teorike.”
Edvin Parmeza: Çfarë më shtyu të aplikoj për bursën e studimit
Ndryshe nga studentët e tjerë, Edvini ka një lidhje tjetër me Mälardalen University Sweden, për shkak se vëllai i tij ka studiuar atje. Student në vitin e parë master për Inxhinieri Informatike, Edvin Parmeza do t’i përmbyllë studimet e tij në Suedi. Tregon se mundësinë për përfitimin e kësaj burse e zbuloi rastësisht: “Si çdo semestër në Universitetin Europian të Tiranës hapen thirrjet për shkëmbimet studentore në universitetet më me emër në Europë. Thirrjet ishin të hapura në disa shtete dhe unë spikata një prej tyre, për të cilën u interesova më pas te Zyra e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, dhe më sugjeruan ta konsideroja edhe mundësinë e studimit në Suedi, thirrje e cila më kishte ‘shpëtuar’. Sapo dëgjova për universitetin dhe mundësinë e diplomës së dyfishtë aplikova pa asnjë hezitim. Vëllai im ka studiuar atje dhe ka qenë në të vërtetë një eksperiencë fantastike, edhe për shkak të institucionit, por edhe për shkak të Suedisë, që është me të vërtetë një vend i veçantë. E vlerësoj si një mundësi që më ndihmon të hedh baza të forta drejt së ardhmes dhe më formon si individ në të gjitha drejtimet. Do jetë një eksperiencë e vlefshme për çdo hap që do të hedh dhe do të mundohem të jap maksimumin tim, për të përfituar maksimumin.”
Gerald Tukseferi: Avantazhi që krijojnë dy diplomat, ajo shqiptare dhe suedeze
Në vitin e tretë për degën Informatikë Ekonomike, Gerald Tukseferi është një prej studentëve të UET që do të ndjekë studimet e tij në ciklin master, në Suedi. Pjesë e Rrjetit të Ekselencës në Universitetin Europian të Tiranës, ky nuk është shkëmbimi i parë studentor prej të cilit Tukseferi përfiton.
“Kam tri vite që kam bursën e plotë të Ekselencës në UET, ndërkohë që vjet në semestrin e dytë, pata mundësinë falë programit Erasmus+ të studioja në Almeria të Spanjës. Eksperiencë shumë e bukur në të gjitha elementet e saj, ndaj kisha dëshirë që ta përsërisja. Më ka dhënë mundësinë të krijoj shoqëri të reja, me njerëz nga vende të ndryshme të botës, më ka ndihmuar të kuptoj kultura të ndryshme, të socializohem dhe mbi të gjitha të marr përsipër ndryshimin. Megjithatë ajo çfarë e bën ndryshe këtë përvojë në Mälardalen University Sweden lidhet me faktin që në përfundim të studimeve ne do të përfitojmë dy diploma, një nga universiteti suedez dhe një nga UET. Është një përgatitje, e cila krijon avantazh kudo në tregun e punës, qoftë në Shqipëri, qoftë jashtë. Sa i përket universitetit, jam shumë i kënaqur që do të jem student atje për një vit, kam parë kurrikulën e tyre, kushtet dhe jam i mendimit se përshtaten shumë jo vetëm me interesat e mia, por edhe me trendet e kërkesave të punëdhënësve sot.”
[:]