A duhet lejuar eutanazia? Neurokirurgu me famë botërore, Henry Marsh jep leksion në UET
A duhet lejuar eutanazia? Neurokirurgu me famë botërore, Henry Marsh jep leksion në UET
Universiteti Europian i Tiranës ka organizuar një leksion të hapur me të ftuar doktorin e njohur Henry Marsh, një nga neurokirurgët më në zë anglez, i cili ka botuar edhe disa libra best-seller, si ‘Mos bëj dëm’ dhe ‘Rrëfimet: Jeta si kirurg’.
Tema e leksionit ishte Eutanazia – Pro apo Kundër.
Eutanazia, ose ndryshe ‘vdekja e asistuar’ përbën një debat mjaft të përfolur në shumë vende të botës. Një pjesë e këtyre vendeve e lejon ligjërisht këtë praktikë mjekësorë ndërkohë që pjesa tjetër mbetet kundër saj. Ky debat nuk është thjesht mjekësor, por po aq edhe filozofik, juridik, politik dhe social. Ky aktivitet është i pari në kuadrin e hapjes së Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike dhe i paraprin aktiviteteve të tjera që pritet të vijojnë përgjatë vitit akademik me të ftuar të tjera figura të njohura të fushës.
Përgjegjësja e Departamentit të Imazherisë, Dr. Marsida Duli e vlerësoi praninë e doktorit të njohur Henry Marsh, si një ogur të mirë, në fillimin e rrugëtimit të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike në UET.
“Kemi nderin që në aktivitetin e parë shkencor që Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike pranë Universitetit Europian të Tiranës organizon, të kemi të pranishëm Henry Marsh, i cili është një figurë shumë e shquar, një mjek neurokirurg shumë i njohur anglez dhe pioner i përparimeve të neurokirurgjisë me kontribute të veçanta. Nëse do të isha studente, nëse do të isha në vendin tuaj sot, do ndjehesha shumë me fat që në vitin e parë të studimeve, dhe në javët e para të studimeve, të merrja pjesë në një leksion të hapur me një profesionist, një profesor me famë botërore, siç është profesor Henry Marsh. Ky leksion do t’i paprijë edhe aktiviteteve të tjera shkecore që Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike do të organizojë. Prania e Henry Marsh këtu sot le të na shërbejë si një ogur i mbarë për nismën që UET ka ndërmarrë në fushën e mjeksësisë.”
Profesori i nderuar, Henry Marsh i cili zhvilloi një leksion të hapur për studentë dhe pedagogë të UET, është shprehur se eutanazia është tashmë një çështje shumë e rëndësishme për diskutim në shumë vende të Europës:
“Jam shumë i lumtur që jam këtu sot, në Unversitetin Europian të Tiranës. Duket ndoshta disi e çuditshme që doktorët të flasin për vdekjen dhe eutanazinë, por në shumë vende të Europës tashmë kjo është çështje e madhe politike. Eutanazia, të cilën unë e quaj ‘vdekje të asistuar’, është e ligjshme në disa vende, Holandë, Belgjikë, Zvicër dhe në shumë vende të tjera europiane ka shumë argumente politike për të. Unë mendoj që ndonëse Shqipëria nuk është ende mjaftueshëm gati për të diskutuar mbi këtë çështje, jam i sigurt që në të ardhmen do i duhet të zhvillojë një diskutim të tillë”.
“As diellin, as vdekjen, nuk mund ta shohësh vendosmërisht në sy”, me këtë shprehje të Francois de La Rochefoucauld e ka nisur leksionin e tij Henry Marsh, në të cilin paraqiti një sërë argumentash pro dhe kundër mbi çështjen e lejimit apo jo të eutanazisë. Henry Marsh i ka shpjeguar auditorit, se çfarë është kjo praktikë mjeksore dhe përse është kthyer në një debat kaq të përfolur politik. Gjithashtu ai ka parashturar dilemat etike që shoqërojnë eutanazinë, dhe ka specifikuar se vendimi për t’i dhënë fund jetës merret në mënyrë vullnetare dhe nuk vendoset nga mjekët. Ka shumë rrugulla të cilët shoqërojnë këtë proces dhe elementë ‘sigurie’, të cilët nuk lejojnë abuzimin në këtë procedurë. Doktori i njohur ka treguar se argumentat kundër eutanazisë janë kryesisht të karakterit fetar, ndaj edhe debati vijon akoma edhe në aspektin politik.
I pranishëm në këtë leksion ka qenë edhe neurokirurgu i njohur shqiptar Mentor Petrela, i cili ka përkthyer dy libra best-seller të Marsh.
“Ju si studentë, duhet të keni parasysh një gjë, që njerëz si Henry Marsh nuk vijnë shpesh në Shqipëri. Sjellja në shqip e librave të Henry Marsh, është një privilegj por njëkohësisht edhe një ‘detyrim’ karshi edukimit. Detyra dhe impenjimi jonë sidomos kundrejt gjeneratës së re, ka qenë që të shkojnë drejt librit. Mos harroni që libri është ai që do t’ju bëjë të ëndërroni pak më tepër. Duke lexuar librin, duke zhvilluar leximin, shoqëria shkon përpara”, është shprehur Prof. Dr. Petrela.
Henry Marsh ka studiuar politikë, filozofi dhe ekonomi në Universitetin e Oksfordit përpara se të niste rrugën e gjatë dhe të sukesshme në mjekësi. Ai është diplomuar në spitalin Royal Free në Londër. Që prej vitit 1984 është anëtar i Kolegjit Mbretëror të Kirurgëve dhe u emërua këshiltar neuro-kirurg te spitali Atkinson Morley’s St George në Londër në 1987, ku vazhdon të punojë me kohë të plotë. Henry Marsh ka qenë tema e dy filmave dokumentarë të rëndësishëm, “Jeta në duart tuaja”, i cili fitoi Royal Television Society Gold Medal dhe “The English Surgeon”, i cili paraqiti punën e tij në Ukrainë dhe fitoi çmim Emmy. Ai u bë CBE commander of British Empire. Henry Marsh, si Best-Seller i ‘Mos bëj dëm’ solli në Shqipëri The New York Times që botoi në 2016 një reportazh “The terrible Beauty of Brain Surgery” mbi operacionet e kryera në Tiranë.
Henry Marsh ka kaluar një jetë në frontin e kirurgjisë. Ka pasur ngritje ngazëlluese dhe ulje shkatërruese, por dashuria e tij për praktikën e neurokirurgjisë nuk është zbehur kurrë. Ka punuar në Ukrainë dhe Nepal si vullnetar. Në librin e tij rrëfimet ai përshkruan vështirësitë e punës në këta shtete të trazuar dhe të varfër si dhe çfarë ka kuptuar më tej nga praktika e mjekësisë.