[:en]Stefan Pinguli, sipërmarrësi i pasionuar pas “rrënjëve tona”[:]
[:en]
Stefan Pinguli, sipërmarrësi i pasionuar pas “rrënjëve tona”
I ftuar në ciklin e forumeve UET, ka qenë z. Stefan Pinguli, i cili në bashkëbisedimin e tij me studentë dhe pedagogë ka trajtuar një sërë çështjesh, që nga ato të karakterit ekonomik, tek ato të karakterit albanologjik.
Këtë të martë, në ciklin e Forumeve UET, i ftuar ka qenë sipërmarrësi z. Stefan Pinguli, CEO i Stefani & Co, në kuadrin e UET Open Weeks, për të zhvilluar një bashkëbisedim me studentë dhe pedagogë. Përgjatë bashkëbisedimit të moderuar nga drejtori i Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publikun në UET, z. Edi Vlusha, z. Stefan Pinguli ka trajtuar një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me klimën e biznesit në Shqipëri, por ka ndarë me auditorin gjithashtu një nga interesat e tij më interesantë, pasionin mbi rrënjët shqiptare.
Z. Pinguli është ndër sipërmarrësit e parë në Shqipëri dhe drejtues i një nga fabrikave kryesore në vend për prodhimin e birrës, e cila zë gati 25% të tregut. Ai shprehet se që prej përpjekjeve të para për të ndërtuar një ekonomi të lirë, të shëndoshë në vend, gjërat kanë ndryshuar mjaft, në disa aspekte.
“Unë mendoj që fillimi deri nga vitet ’95 – ’96 ka qenë një moment goxha i vështirë, ku thuajse nuk ndahej elementi biznesmen nga punëtori, por me kalimin e kohës, sigurisht duke krijuar dhe një bazament biznesi, fillojnë dhe rriten kërkesat ndaj vetes dhe ndaj procesit. Kjo ka ndodhur në të gjithë Shqipërinë, nuk ka ndodhur vetëm me ne. Nuk mund të thuash që jemi në të njëjtin nivel biznesi me atë kohë, por ndryshimi qëndron se ne pasionin e kishim më të madh atëherë. Shpresa ishte shumë më e madhe dhe besimi po ashtu, ndërsa tani ka ndodhur një gjë … Bazamentin mund ta kemi shumë më të madh, por besimi dhe shpresa është pak e lëkundur. Kjo ndodh për shkak të asaj që unë e konsideroj marrëdhënie etike, një marrëdhënie etike është një marrëdhënie që është e mbarsur me shumë elemente pasioni dhe elemente mundësish. Raporti mes mundësisë dhe pasionit për të bërë diçka ka ndryshuar. Unë mund të them që, bazamenti i bizneseve të sotme është më i lartë se atëherë, për shkak se ne kemi bërë goxha investime, por besoj se kemi goxha të meta në raport me përqasjen demokratike të marrëdhënieve biznes-shtet”, shprehet z. Pinguli.
Në këndvështrimin e tij si sipërmarrës, për të krijuar më tepër hapësira për biznesin dhe më tepër mundësi, të gjithë aktorët politikë, ekonomikë dhe socialë duhet të bazohen në parime të rëndësishme, sipas tij.
“Unë besoj që një nga filozofitë kryesore sot për të hyrë në Europë, është filozofia e mbështetjes në kolonat demokratike. Ndryshe ne nuk shkojmë dot në Europë thjesht me dëshirë dhe dashamirësi. Këto kolona janë katër, legjimiteti është kolona kryesore, transparenca, përgjegjshmëria dhe gjithëpërfshirja. Nëse nuk zbatojmë këto katër kolona, ne fillojmë bëjmë lëvizje rreth vetes dhe gjendemi keq në raport me masën. Ne nuk mund të themi që jemi më keq se në vitet ’90. Sigurisht jemi më mirë se në vitet ’90, por në raport me veten, në raport me perspektivën, kam përshtypjen se ka shumë vend për pikëpyetje.”
Një nga aspektet që ai ka trajtuar ka qenë edhe raporti në vend, mes mallrave të importuara dhe prodhimit vendas, duke u përqendruar kryesisht në industrinë ku ai vetë vepron.
“Jemi i vetmi vend në Ballkan sot, që kemi 60% import birre dhe 40% prodhim vendas. Si ka mundësi, kur sot vetëm Mali i Zi nuk ka import të huaj më shumë se 3-5%. Në përgjithësi vendet e Rajonit zotërohen nga prodhimet vendase, kurse ne vazhdojmë ta zgjerojmë importin, marr parasysh këtu që deri para 2 – 3 vitesh e kishim importin 50% – 50%, ndërsa tani kemi kaluar në import më shumë se prodhim vendas. Kjo tregon se situata e vendit, psikologjia e biznesit, mundësia e të huajve për të investuar në vend është shumë e ulët. E gjitha kjo klimë është një klimë e papërshtatshme, për të krijuar biznesin ku duam të arrijmë. Biznesin mund ta kemi më të madh se më përpara, por në raport me atë që duhet të arrijmë jemi ende larg. Në kuadrin etik po them, marrëdhënia e shpresës dhe besimit janë goxha më të dobësuara se më përpara”, është shprehur ai, duke shtuar se është shumë e rëndësishme që të përforcohet besimi te qytetarët dhe sipërmarrësit se shteti mund të përkrahë prodhimin vendas.
Për të përmirësuar këtë klimë, ai ka sugjeruar që krahas përforcimit të një marrëdhënieje etike dhe të shëndoshë mes biznesit dhe shtetit, të krijohen lehtësira për avancimin e mëtejshëm të sipërmarrjeve. Ai e vuri theksin te ruajtja e një raporti që mbështet të paktën në kostot e prodhimit, produktin vendas. Z. Pinguli megjithatë ka inkurajuar studentët të përfshihen në botën e sipërmarrjes, pavarësisht problematikave të ndryshme që mund të ekzistojnë aktualisht.
“Unë mendoj se pavarësisht nga faktorë të ndryshëm që ndikojnë në ndërtimin e një klime jo fort dashamirëse, jemi ne që duhet ta marrim situatën në dorë dhe janë të rinjtë që duhet ta marrin situatën në dorë”, ka thënë ai.
“Ne kemi nevojë të jemi të bashkuar, për të rritur përgjegjshmërinë, për të rritur gjithëpërfshirjen tonë, që të arrijmë të përmirësojmë këto marrëdhënie.”
Ndërkohë që për sa u përket iniciativave të ndërmarra nga qeveria e vendit, si dhe ajo e Republikës së Kosovës, për bashkëpunim ekonomik ai u shpreh se ka ende nevojë për shumë punë dhe se pesë janë fushat që duhet të marrin prioritet:
“Nuk them se nuk është punuar në këtë aspekt, po ka ngelur në kuadrin e një diskutimi. Për shembull ne flasim për ta bërë bujqësinë një çështje të rëndësishme, shkencën apo arsimin, por a shihni ju të ndërrojnë në buxhet vlerat? Që ta bësh një çështje të rëndësishme, do të thotë ose të rrisësh vlerat në buxhet për bujqësinë, ose për shkencën ose për arsimin, në mënyrë që këto të mund të ndryshojnë. Ndryshimet janë minimaliste, ndërkohë që kur i ke nxjerrë këto si prioritete, duhet t’i trajtosh si të tilla. Të tilla diskutime të karakterit propagandistik ndodhin në të gjitha marrëdhëniet tona. Ne duhet të vëmë në evidencë dhe të kemi prioritet kolonat e ecjes përpara të shoqërisë sonë, të cilat janë së pari bujqësia, së dyti turizmi, së treti energjetika, së katërti mineralet dhe së pesti ujërat, hidrocentralet.”
Ndërkohë që krahas të qenët një sipërmarrës i suksesshëm, z. Pinguli është gjithashtu mjaft aktiv kur bëhet fjalë për çështje të historisë apo gjuhësisë në vend. Ai është president i Kuvendit Ndërkombëtar “Vazhdimësia historiko-gjuhësore dhe etnokulturore e shqiptarëve përmes mijëvjeçarëve”. Z. Stefan Pinguli është shprehur për audiencën, se është shumë e rëndësishme që ne të njohim rrënjët tona.
“Mendoj në radhë të parë se ne duhet të njohim rrënjët tona. Ne kapitalin më të çmuar në Shqipëri, kemi gjuhën dhe historinë tonë, të cilat janë shumë interesante. Sidomos marrëdhënia etimologjike që kemi ne në krahasim me gjithë Rajonin”, ka thënë ai, duke shtuar se Kuvendi kishte për qëllim të evidentonte disa fakte, sipas tij, të pathëna.
“Ne mendojmë se ka shumë gjëra të pathëna në historinë tonë. Historinë e kemi pasur shumë të ndritur dhe interesante dhe kjo histori do të ishte bazamenti për të ecur. Harrojmë që ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi dikushi në histori, dhe duke zbuluar rrënjët tona ne mendojmë se do të shkojmë përpara.”
[:]