Studentët e UET festojnë diplomimin mes këshillash për sfidat e reja
Studentët e UET festojnë diplomimin mes këshillash për sfidat e reja
Rreth 500 studentë të ciklit Master, nga 5 fakultet e UET-së dhe nga dhjetëra programe e profile që UET ofron kremtuan sëbashku një tjetër arritje të jetës së tyre
Universiteti Europian i Tiranës zhvilloi të enjten Ceremoninë e Diplomimit për studentët e vitit akademik Master 2020-2021, vit që përkon me 15-vjetorin e themelimit të universitetit. Ky brez është cilësuar si brezi i sakrificës, të sprovuar nga pandemia globale, e cila i largoi për një kohë të gjatë nga auditorët, duke i çuar në një mënyrë të re të zhvillimit të mësimit.
Fokusi që UET ka ndaj të novacionit dhe teknologjisë, bëri të mundur që kjo situatë e papritur ta gjente në pozita komode dhe të aftë për t’iu përgjigjur me sa më shumë profesionalizëm. Edhe pse në kushte të reja, falë bashkëpunimit, punës së stafit dhe pedagogëve, durimit të studentëve, u bë e mundur mbyllja me sukses e një viti akademik dhe diplomimi i një brezi tjetër studentësh.
Në praninë e familjarëve, pedagogëve e mentorëve të tyre, studentët e diplomuar në ciklin Master u mblodhën sërish bashkë për të festuar arritjet e tyre, me bindjen se janë mjaftueshëm të përgatitur për të nisur një fazë të re jetësore.
Rreth 500 studentë, nga 5 fakultet e UET-së dhe nga dhjetëra programe e profile që ky universitet ofron, në këtë ditë të shenjuar të jetës së tyre, morën urime dhe përgëzime, por edhe këshilla të vyera, jo vetëm nga drejtuesit e universitetit dhe pedagogët e tyre, por edhe nga një prej motivuesve më të mirë në Shqipëri, presidentit të Agna Group, Z.Vasil Naçi.
Presidenti i UET, Selami Xhepa: Studiuat në një kohë të pazakontë dhe duhet të jetoni në një realitet të ri
Kjo është një ceremoni krejt e veçantë sepse është brezi i parë i studentëve që i takojmë fizikisht për herë të parë në një auditor, pas dy vitesh mbylljeje që na diktoi pandemia. Na mungoi prekja njerëzore dhe empatia që është esenciale në marrëdhëniet midis pedagogut dhe studentit, debatet e gjalla plot pasion që janë traditë e auditoreve tona, por fatmirësisht cikli i formimit arsimor akademik nuk u ndërpre.
Pandemia me gjithë të këqiat e saj, na ndihmoi të kuptojmë dhe vlerësojmë disa arritje të njerëzimit që i kishim gëzuar prej kohësh, por që nuk i kishim çmuar sa duhet, siç thonë në mënyrë cinike për ekonomistët, që dinë çmimin e çdo gjëje dhe vlerën e asgjëje. Në fakt, arritjet e revolucionit të katërt teknologjik, mundësuan vazhdimisinë e aktivitetit, por në një trajtë tjetër. Sistemet tona të komunikimit që kishim përdorur si instrumente ndihmuese në punën tonë të përbashkët, u shndërruan në formën kryesore të transmetimit të dijes. Që brenda javës së parë nga lock down, ne ishim në gjendje t’i ktheheshim auditoreve tona, këtë herë virtualisht. Arsimi sigurisht që ishte në avangardë të këtij ndryshimi të madh, por brenda një kohe shumë të shkurtër, të gjithë tregjet u riformatuan përgjatë dimensionit teknologjik, që nga puna, shërbimet, prodhimi etj. Duhet theksuar se ky impakt do të jetë afatgjatë duke sjellë ndoshta në sektorë të caktuar dhe ndryshime paradigmale.
Veçantia e dytë e kësaj ngjarjeje ishte triumfi i shkencës brenda një kohe kaq të shkurtër, të pazakontë në historinë e saj, për vendosjen nën kontroll të një pandemie të përmasave të tilla. Kurrë më parë në historinë e shkencës nuk gjendet një episod, ku brenda një kohe të shkurtër të realizohet një program masiv vaksinimi i popullatës. Rikthimi në normalitet do të ishte i pamundur, përfshirë edhe këtë aktivitet që zhvillojmë sot, nëse shkenca nuk do të kishte arritur këtë sukses. Teoritë konsiparative që përhapen lehtësisht përmes rjeteve, nuk duhet të na lëkundin besimin te shkenca dhe empirizmi, veçanërisht tek ju të rinj dhe të reja që keni zgjedhur të avanconi në ambicien tuaj për të zhvillimin profesional dhe intelektual.
Të dashur studentë,
nga sot ju vendosni në kartëvizitën tuaj edhe një titull të një rangu akademik të lakmueshëm, siç është i i përfundimit të ciklit të dytë të studimeve në programet Master. I kryehet studimet në një kohë të pazakontë dhe do t’iu duhet t’i zhvilloni më tej dijet tuaja në këtë realitet të ri që është krijuar. Të gjithë jemi në kërkim të përgjigjeve për të panjohurat që na rrethojnë dhe ju tashmë i përkisni këtij klubi të kërkuesve të rinj. Kjo është natyra e progresit të dijes dhe shkencës dhe nëse në një të ardhme do të ktheheni sërish në auditoret tona në një kapacitet të caktuar, me siguri do të gjeni përgjigje të reja për problemet e reja, por edhe të vjetra. Siç e thotë prof. Fridman, ne vazhdojmë t’iu bëjmë studentëve të njëjtat pyetje vit pas viti, ajo që ndryshojnë janë përgjigjet.
Presidenti i Agna Group, Vasil Naçi: Çdo punë që duhet të bëni, bëjeni me pasion!
Jam shumë i privilegjuar që ndodhem sot mes jush, në këtë ditë të magjishme, që është e korrjes së sukseseve tuaja. Është një ditë që bën të mundur pasimin me arritje të tjera në jetën tuaj. Prandaj më lejoni që të shpreh urimet e mia të sinqerta. Urime ju studentëve që mundët të keni një nga arritjet tuaja!
Drejtuesit tuaj kanë parë diçka të mirë te mua dhe ata presin që unë të them diçka me vlerë për ju. Unë jap shembullin tim, për miqtë e mi, për familjen time, për komunitetin tim. Prandaj unë do të them disa nga mësimet e mia, që me kanë ardhur edhe me kosto, por mund të jenë të vlefshme për ju. Mësimi i parë që duhet t’iu shoqërojë gjatë gjithë jetës suaj është: Mos e lini veten pa objektiva! Nëse e realizoni një detyrë, direkt vendosni një objektiv tjetër. Jeta pa objektiv, nuk ka energji, nuk ka kuptim, nuk ka orientim. Nëse ne duam të bëjmë diferencën, duhet të vendosim objektiva, por me një kusht, që objektivat të jenë sfiduese. Objektivat sfiduese janë të arritshme, janë ato që na vendosin në vështirësi, pasi aty krijohet vlera.
Pas objektivave, fjala magjike për realizimin e tyre, është puna. Vetëm se ka një specifik: bëhet e arritshme nëse punojmë fort me pasion, nëse punojmë gjatë dhe nëse punojmë me mençuri. Puna është mik besnik, që na e bën jetën më të mirë dhe që nuk e vonon shpërblimin. Dikush thotë që puno më zgjuar. Nuk ka më zgjuar, puno më fort! Kur e nisa biznesin, nuk e njihja fjalën lodhje. Isha 21 vjeç dhe isha duke mbaruar vitin e parë të shkolës së lartë. Ka qenë fundi i vitit 1991. Vitet e para janë vitet më të vështira dhe vitet më të bukura. Punoja natë e ditë, flija në makinë, apo sipër mallrave në shtëpi, të cilën e kishim kthyer në magazinë. Rrija gjithë natën dhe mendoja sesi do të hapet magazina apo furnizuesi, apo prisja sa të zgjohet administrata për të vazhduar procedurat.
Besoj se ju e keni dëgjuar këshillën, “gjej një punë që të pëlqen”. Unë jam dakord me këtë, është një shprehje shumë e bukur. Por unë do t’iu them diçka tjetër: Çdo punë që gjeni, kthejeni në pasion! Çdo punë që duhet të bëni, bëjeni me pasion! Nëse kjo punë iu shërben për rritjen tuaj, për arritjen e rezultateve tuaja, mund të gjeni edhe pasionin. Por pyetja është: Si? Ne mund ta gjejmë pasionin duke rritur veten gradualisht dhe duke u kujdesur për punën, duke rritur profesionalizmin tonë. Vetëm kështu mund të gjejmë pasionin në çdo punë që mund të bëjmë. Një këshillë që do ta thoja për ata që presin punën magjike: Asnjëherë mos e lini veten pa punë! Mos prisni sa të gjendet ajo puna ideale. Çdo lloj pune është ekeperiencë. Çdo lloj pune do t’iu japë energji, do t’iu japë kuptim, pavarësisht se mund të duket punë force, jo mendjeje.
Disa prej jush mund të jenë të punësuar, ose do të punësohen. Do t’iu them një të fshehtë se çfarë kërkon një sipërmarrës. Një drejtues biznesi kërkon: A ka njerëz që mund ta bëjnë punën? A ka njerëz që mund ta bëjnë punën gjatë? A ka njerëz që mund të përshtaten me organizatën? Nëse po, atëherë këta janë njerëzit e duhur. Kur kërkoni punë mos kërkoni të dini sa është paga, por tregoni sesa vlerë keni dhe paga do të vijë. Shikoni përfitimet që do të vijnë nga puna. Por keni kujdes, zgjidhni mirë kompaninë ku doni të punoni. Punësohuni në një kompani që iu rrit, iu vlerëson, jo vetëm profesionalisht, por edhe si njerëz.
Rektori i UET, Tonin Gjuraj: Kini kurajë civile dhe guxim për të marrë vendime!
Fjalimi i sotëm nuk është ai i një rektori para jush, por është një fjalim që iu drejtohet kolegëve. Ju vërtetë ndaheni nga auditorët e UET, pra, me jetën e universitetit dhe filloni sot kalimin drejt jetës së profesionit, por besoj do të ruani fort lidhjen e përhershme me institucionin ku u formuat dhe edukuat, në një fazë të caktuar të jetës tuaj.
Si kolegu juaj, nëse më lejoni, dëshiroj t’ju jap dy-tre këshilla: Dija e marrë në UET nuk mjafton për rrugën e gjatë të profesionit dhe besoj se për këtë jeni të vetëdijshëm, kështu që, për disa prej jush, vijon të mbetet pasioni për arsimim të mëtejshëm, në fusha të ndryshme të dijes. Pandemia na mësoi se, duhet të mbajmë kontakte me debatet shkencore të botës së sotme, sipas fushave që përfaqësoni. Të kini kurajë civile dhe guxim për të marrë vendime, në çdo lloj pune a drejtimi që mund të jeni, duke nisur që nesër. Nëse ndieni kënaqësi gjatë ushtrimit të profesionit tuaj, është e sigurt se edhe më mirë do t’u shërbeni të tjerëve, përndryshe ikini, mos u zvarritni profesionalisht, pa kurrfarë qejfi a kënaqësie në punë.
Ata që thashë më sipër bëhen të mundura, vetëm nëse keni besim në forcat tuaja, nëse ia keni arritur që gjatë 4 apo 5 viteve të studimit në UET, të keni akumuluar dije të mjaftueshme në fusha të ndryshme të shoqërisë. Sa më shumë dije që akumuloni, aq më të shumta janë dyshimet, pyetjet, horizontet apo vizionet që hapen para jush.“Sa më shumë të dish, aq më i vetëdijshëm bëhesh për mosdijen tënde. E megjithatë, kur e përditshmja profesionale t’ju përballë me situata të vështira, besojini dijes që keni akumuluar në UET”, do të shkruante diku ish kolegu dhe miku ynë i paharruar, Gilman Bakalli.
Më lejoni që festimin e këtij rituali ta mbyll duke ju kujtuar se, gëzimi që iu ka pushtuar në këto momente, kur shikoni se mbyllet një cikël jetësor me sukses dhe që po futeni në një botë të re, në botën profesionale, shoqërohet, në mënyrë të pashmangshme, edhe me frikën e pasigurinë që bart bota e sotme, që nuk rresht së ndryshuari, por me pasionin për profesionin, kurajën civile dhe besimin në vetvete, do ia dilni!
Administratori i UET, Tildi Çadri: Qëndroni krenarë që jeni pjesë e familjes UET!
Jam veçanërisht i lumtur t’iu shoh në këtë ceremoni, që padyshim kulmon në një gur themeli, tepër të rëndësishëm për karrierën tuaj. Jam shumë krenar për suksesin që keni arritur dhe i vetëdijshëm për sakrificat që keni bërë, për të ardhur në këtë ditë. Të gjitha situatat e kaluara e kanë bërë më sfidues edukimin dhe sfidat tuaja, ashtu edhe për universitetin vetë. Këtë eksperiencë do të dëshiroja që ta kujtonit për forcën dhe durimin që ju ka dhënë, dhe mbi të papriturat që mund t’iu shfaqen.
Në këtë ditë të gëzuar jam i sigurt që do të prisni shumë urime dhe do të nxirrni ëndrrat nga sirtarët për të ardhmen që ju pret. Unë do të doja të ndalesha te mësimet që UET iu ka dhënë për t’i paraprirë rrugëtimit tuaj:
Mos bëni kompromis me cilësinë: Shumë prej jush, jam i sigurt, e njohin shijen e hidhur të notës jo-kaluese, detyrat dhe projektet e shumta, ankthet e provimeve dhe ndonjë profesor tepër kërkues që ua ka bërë jetën të vështirë. Më besoni janë të gjitha procese në funksion të cilësië, për t’u siguruar që ju vërtet të mbartni njohuritë më të konsoliduara dhe vlerat më të larta, jo vetëm akademike, por edhe ato njerëzore.
Zgjdhni modelin e suksesit: Moria e aktiviteteve që Universiteti ka mundësuar, si: Takime biznesi; Praktikat e dedikuara; Ftesat e shumë personaliteteve nga sfera të ndryshme të shoqërisë, të gjitha do t’iu ndihmojnë të definoni atë çka ju do të dëshironi të arrinit. Ky është padyshim proces i gjatë, për të cilën jemi të gatshëm t’iu udhëzojmë dhe pas përfundimit të studimeve tuaja, përmes rrjeteve tona të ekslencës dhe ALUMNI-t.
Kompetenca vlen më shumë se pushteti: Do të uroja me gjithë zemër të ishit të aftë të zgjidhnit dijen dhe kompetencën, në fushat ku do të punoni. Të ishit të zotë për të fituar ekpertizën dhe për të zgjidhur situatat e papritura me aftësi dhe cilësi. Vetëm kështu do të fitonin respektin e kolegëve dhe të shoqërisë, ashtu sikurse shumë prej profesorëve tanë kanë pasur adhurimin tuaj për aftësinë dhe zotësinë që kanë shfaqur në lëndët e tyre. Kjo është maratona më e gjatë drejt zhvillimit, por është e vetmja e duhur që të çon drejt lidershipit dhe pushtetit.
Mendoni jashtë kornizave: Shumë prej jush kanë pasur privilegjin të jenë vizitorë në një universitet europian, në kuadër të shëkmbimeve studentore që UET ka mundësuar. Kjo përvojë ka shërbyer, jo vetëm për të marrë një vlerë të shtuar akademike, por edhe për të kuptuar dinamikat e zhvillimit, prirjet më të fundit, si dhe ç’ka ju mund të sillni në shoqërinë tonë, e cila këto kohë ka nevojë për ju më shumë se kurrë mëparë. Jam i sgurt që shumë shpejt do të jeni pjesë integrale e motorit të zhvillimit të Shqipërisë, si vlerë e padiskutueshme e burimeve tona njerëzore. Për këtë arsye, UET e ka shtrirë këtë qasje edhe në programet e huaja që tashmë ofrohen, si dhe në shkëmimine stafit tonë akademik, si definim i cilësisë dhe të ardhmessë pashmangshme europiane.
Investoni te vetja: Prej shumë vitesh UET ka aplikuar sistemin e burave të cilësisë dhe jam i sigurt që shumë prej jush e kanë përfituar dhe shumë prej jush kanë investuar në dije, për ta mbajtur atë. Ky është një prej mësimeve më të mëdha që mund t’iu kemi dhënë. Investimi në dije ka gjithomë frytet e saj dhe do të uroja të mos ndaleshit kurrë së mësuari gjatë gjithë jetës.
Çdo dështim është një sukses: Për të gjithë ju të diplomuar, që akoma nuk e dini se çfarë do të bëni, aspo s’keni arritur akoma të merrni një vendim për të ardhmen, mos u shqetësoni! Kjo na ndodh të gjithëve, edhe mua personalisht. Shijojeni kërkimin e përgjigjeve dhe nisjen e sfidave, pa pasur presionin e rezultatit.
Kujtoni ditën e parë që vendosët të studioni në UET dhe tashmë ju ia dolët. Shpresoj shumë që sfidat tuaja t’i udhëhiqni nën moton e UET-së: E bën dot? Urime dhe qëndroni krenar që jeni pjesë e familjes UET!