Master Class në UET/ Klodiana Lala: Mos bëni kompromis me të vërtetën
Gazetarja Lala, në një rrëfim ndryshe mbi rrugëtimin e saj në gazetari, pasionin për punën dhe risqet e marra përsipër
Luiza Pinderi
Gazetarja e njohur Klodiana Lala ishte e ftuara e dytë e Master Class, ciklit të takimeve me personazhe të mediave, Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publikun që zhvillohet në Universitetin Europian të Tiranës. Ky takim u moderua nga përgjegjësja Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit, Prof. Asoc. Dr. Belina Budini, nën prezencën fizike dhe online të studentëve dhe pedagogëve të këtij departamenti.
Budini tregoi se prania e gazetares Lala është kërkuar nga studentët, për të njohur më nga afër modelin e saj të punës në media, për shkak se është një nga gazetaret më të njohura që mbulon kronikën dhe është vlerësuar nga Bashkimi Europian me çmimin e parë për gazetarinë investigative në vitin 2019. Pedagogia e UET-së shpjegoi se studentët kanë formimin e duhur teorik dhe madje janë futur edhe në ujërat e praktikës, prandaj duan të njohin edhe modele suksesi që vijnë nga puna në terren.
“Studentët kanë formim goxha solid nga pikëpamja teorike, janë kritikë ndaj mediave shpeshherë, pasi bëjmë edhe studime që lidhen me mediat. Gazetaria është mjeshtri, ka nevojë të mësohet në institucionet e medias, në terren. Kemi një klub Media Lab, ku studentët tanë, jashtë kurrikulës akademike, bëjnë punë praktike në media, shkruajnë artikuj, bëjnë video etj.”, u shpreh Budini.
Gazetarja Klodiana Lala, nëpërmjet një rrëfimi të ‘gjallë’, ndau me studentët rrugëtimin e saj në gazetari, një rrugëtim mbi 16 vjeçar me shumë vështirësi, punë këmbëngulëse, e shpërblyer edhe me sukses. Lala tregoi se e nisi gjithçka nga A-ja, pa burime, pa njohje, e ditë pas dite duke rrëmuar, duke dëgjuar, duke kërkuar, arriti tek lajmi dhe investigimi.
“E kam nisur gazetarinë që nga auditorët dhe kam punuar vit pas viti për të ndërtuar bazën dhe për të vazhduar para. Kur e kam nisur nuk njihja askënd, përveç miqve të fakultetit. Nuk e kisha idenë çfarë ndodh në kronikën e zezë, nuk e dija kush ishte Drejtori i Policisë së Tiranës, si funksiononte struktura e Policisë, si funksiononte Prokuroria apo Gjykata. Më ka pritur në redaksinë e ‘Ballkan’ një prej miqve tim më të mirë Agim Baçi, i cili më uli në karrige dhe më tha në këtë formë ndizet kompjuteri. Nga ai moment unë e nisja ditën tek Drejtoria e Policisë së Tiranës, duke takuar, përshëndetur dhe biseduar me secilin punonjës Policie, zyrtarë, qytetarë që kishin probleme dhe në këtë mënyrë fillova të krijoj kontaktet e para”, tregoi gazetarja.
Gazetaria, një profesion sfidues
Gabriel Garcia Marquz e ka cilësuar gazetarinë si profesionin më të bukur në botë. E larg këtij përcaktimi nuk qëndron as gazetarja investiguese Klodiana Lala. “Sa e vështirë, aq edhe e bukur”, u shpreh ajo, teksa ndau me studentët vështirësitë dhe dilemat që i lindnin herë pas here, por që asnjëherë nuk arrinin të prevalonin mbi pasionin për të ndjekur këtë profesion.
“Gazetaria nuk është një profesion i lehtë, kërkon shumë investim, shumë kohë të shpenzuar, sakrifica, mungesa në familje etj. Momente të tilla mund të të fusin në dilemë në momente të caktuara, megjithatë gazetaria është sa e vështirë, aq e bukur. Nuk kam pasur asnjë dilemë për rrugën që do të ndiqja. Përtej të gjithave, ky profesion është një mision. Çdo gazetar duhet të fillojë të rrëmojë pak nga pak, duke nxjerrë nga dheu ato gjëra që të tjerët duan të fshehin. Në momentin që studentët fillojnë këtë pjesë, do të kuptojnë se kurioziteti është shumë i madh dhe nuk do të tërhiqen dot pas.
Sot është një ditë e veçantë për mua, sepse 12 vjet më parë nuk doli Gazeta Shqiptare. Bashkë me Anila Bashën dhe Erl Muratin kishim bërë një shkrim për Gërdecin që prekte interesa shumë të larta. Tentativat për ta hequr shkrimin rezultuan të pasuksesshme dhe pasi u botua gazeta u ble në momentin që po shpërndahej, pra nuk e lejuan të dilte në treg. Ai moment shërbeu edhe në mënyrën sesi e vijova unë gazetarinë. Sa më të forta të jenë shkrimet apo reagimet që sjellin në publik, aq më i fuqishëm do të jesh ti si gazetar”, tregoi Lala.
Pas një pune mbi 10 vjeçare në shtypin e shkruar, Lala tha se kaloi në televizion, sepse tashmë e ndjente veten gati për të qenë pjesë e këtij mediumi, megjithëse u shpreh se nuk ka pranuar propozimin për të pasur një program të vetin, për shkak se ka pasur pikëpyetjet të shumta në lidhje me atë se çfarë do të sillte të re për publikun dhe si do t’i ‘shërbente’ atij.
Puna në televizion i vështirësoi punën sepse ka teknikat e veta për raportimin, apo faktimin e lajmeve, për më tepër që presioni i kohës është më i madh, por nga ana tjetër nuk munguan as kritikat, shpesh edhe duke u mbështetur në dukje dhe duke mos u marrë me punën e saj.
“Shikoja se më gjykonin për këmishën që e vishja dy herë në të njëjtin emision. Unë vazhdoj ta vesh edhe për të 20-ën herë, sepse mendoj se gazetari nuk duhet të gjykohet nga veshja, por për punën që bën, për interesat publike që mbron, shërbimin që i bën shoqërisë dhe saktësinë.
Bëra pakt me veten dhe thashë nuk do të pyes për asnjë gjë nga këto, do të jem shumë e qartë për mënyrën sesi do të veproj dhe nuk i marr në konsideratë. Marr në konsideratë vetëm kritikat që kanë të bëjnë me aftësitë profesionale. Jam e qartë me veten, e pastër në raport me të vërtetën dhe çdo gjë që thuhet nuk më intereson”, u shpreh Lala.
Nga ana tjetër, ajo u pajtua me mendimin se shpesh bëhen gabime në media, kur promovohen figura që nuk janë ekspertë të fushës apo modele për shoqërinë. Nuk mohoi që të ketë pasur gabimet e saj, por theksoi se ka ditur të reflektojë dhe të korrigjojë më kohë gabimet e bëra.
Gjithashtu, u ndal në një pikë të ndjeshme, ku shpesh ka pasur shumë ngatërresa në media me keqpërdorimin e fotove personale të personave që janë përfshirë në ngjarje të caktuara.
“Mua nuk më pëlqen fare që përdoren foto nga Facebook të personave që janë në konflikt me ligjin, janë ekzekutuar apo kanë problematika të tjera. Unë nuk e bëj, përpiqem të marr foto nga burimet e mia në sistemin TIMS. Nëse njerëzit ndërgjegjësohen në të ardhmen, gazetarët mund ta shohin veten në gjyq, pasi ti si gazetar iu ke shkelur atyre privatësinë, duke iu kontrolluar rrjetin e tyre social”, tha Lala.
Menaxhimi i burimeve
Gazetarja Lala dha për studentët shumë këshilla praktike, që ndonjëherë nuk gjenden nëpër libra apo të formuluara teorikisht, pasi vetëm gazetarët e terrenit e dinë më mirë sesi duhet të sillen dhe të veprojnë kur gjenden përballë ngjarjeve apo njerëzve që përbëjnë lajm.
Ajo kërkoi nga studentët që të shkojnë në vendngjarje, mos mjaftohen me njoftime në rrjetet sociale, sepse duke e parë vetë ngjarjen, janë në gjendje ta ndërtojnë dinamikën e gjithçkaje që ka ndodhur.
“Me keqardhje po konstatoj se gazetarët po shkojnë gjithnjë e më pak në vendngjarje, po flasin më pak me burimet, po i ndërtojnë marrëdhëniet mbi bazën e teknologjisë, Whats app etj.
Dëshmitarët janë pika kyçe për të ndërtuar një histori të mirë. Sepse në momentet e para askush nuk mendon të ndryshojë ngjarjen, janë shumë të sinqertë, nga tronditja që ata kanë, janë të prirur të thonë të vërtetën. Edhe nëse nuk do t’i citosh, krijon një panoramë përtej asaj që thonë autoritetet. Është shumë e rëndësishme që një gazetar ta vizualizojë gjithë dinamikën e ngjarjes, si është mekanizmi, çfarë ka ndodhur. Edhe nëse nuk je në momentin e parë, duhet të kthehesh në vendngjarje”, u shpreh ajo.
Nga ana tjetër, ajo këshilloi studentët që të mos injorojnë, apo të mos tregohen të pakujdesshëm ndaj çdo bisede apo detaji të vogël që mund të kenë, pasi shpesh ato shërbejnë si indice për lajme të mëdha. “Kjo është një këshillë praktike për gazetarët: Të rrinë shumë pranë burimeve, të bisedojnë me ata, t’ju japin besim se do të jenë me të vërtetë njerëzit që nuk do ta shpërdorojnë kurrë një burim, që të jenë korrekt me atë që burimi iu thotë, t’i kryqëzojnë të dhënat, të mos mjaftohen me një burim”, tha Lala.
Gjithashtu, këshilla e saj ishte që gazetari nuk duhet ta shesë burimin, pasi besimi është gjithçka dhe nëse njëherë gabon në këtë pjesë atëherë humbet besueshmërinë.
“Burimet duhen mbrojtur. Nëse ju e shisni njërin prej tyre, qoftë njëherë të vetme, do të jeni tërësisht të pabesueshëm. Mbroni me të gjitha forcat burimet tuaja, sepse atëherë do të jeni jo vetëm më të besueshëm, por do të jeni edhe njerëzit që do të përzgjidheni për detaje apo shkrime të tjera investigative”, u shpreh gazetarja.
Ajo që thonë burimet jo gjithmonë mund të jetë e vërtetë, shpesh mund të ketë edhe rrëfime që mund të të çojnë në një drejtim të gabuar. Lala ndau shumë eksperienca nga puna e saj, për ngjarje që shpesh kanë bërë bujë në mediat tona. Ajo këshilloi studentët që të mos kridhen në këto ngjarje sensitive nëse nuk kanë një dokument zyrtar.
“Mos flisni për çështje të caktuara, kur jeni të bindur se do të jenë shumë sensitive, nëse nuk keni dokumente zyrtare. Unë gjithmonë kur shkoj në një emision dhe marr përsipër të bëj një lajm, ruaj në telefon dokumentin. Për shkak se burimi më ka kërkuar të mos e bëj publike, jo gjithmonë e kam publikuar, por në momentin që palët kanë pretendime dhe ua kam vendosur para. Në momentin që ju e keni të mbështetur shkrimin në fakte, nuk ka asnjë lloj meraku apo shqetësimi”, u shpreh gazetarja e News 24.
Armiqësitë që sjell gazetaria investigative
Gazetaria investigative, për shkak të prekjes së çështjeve të ndjeshme për botën e krimit apo politikën, shpeshherë vendos në rrezik edhe sigurinë e gazetarëve. Klodiana Lala tregoi për studentët se nuk e shqetëson kjo pjesë, për sa kohë që është në krahun e të vërtetës dhe e mbështet atë me fakte. Sipas saj, mburoja më e madhe e gazetarit është e vërteta.
“Mua nuk më shqetësojnë shumë kur kërcënimit bëhen direkt dhe lënë rekorde. Mua më shqetësojnë shumë kur personazhe që preken nga shkrimi im nuk reagojnë. Ata më krijojnë probleme. Megjithatë, edhe në këtë rast, nëse shkrimi është i bazuar gazetarët janë të mbrojtur”, tha gazetarja.
Ndër të tjera, ajo tregoi se nuk e bën këtë punë për hir të një page, por sepse është e përkushtuar ndaj saj, e beson ndryshimin dhe fuqinë që ka ky profesion. Lala tha se shpesh armiqësitë brenda llojit janë më të forta se ato jashtë, prandaj kërkoi nga gazetarët të jenë solidarë dhe të bashkuar, për të qenë më të fortë dhe në krah të interesit publik.
“Nuk kam ndenjur dhe nuk vijoj të rri në gazetari për hir të një page. Rri sepse dua ta bëj këtë profesion. Duhet të jeni të qartë për këtë gjë, të fokusoheni dhe pastaj sikur çdo pengesë kalohet, sheshohet. Patjetër që rrugës do të keni miq e armiq, njerëz që ju sulmojnë, duhet të jeni të përgatitur për të gjitha. Lufta brenda llojit është më vështira, por mendoj se kjo luftë ju bën më të fortë. Por, gazetaret duhet te jenë solidarë dhe ta mbështesin në çdo moment njëri- tjetrin. Vetëm kështu ne mund të bëhemi më të fortë, pasi ne jemi pushtet më vete”, theksoi Lala.
Në fund të takimit, nuk munguan as këshillat ndaj studentëve, për të mos u kompromentuar, të punojnë fort, me këmbëngulje dhe të besojnë tek vetja, vetëm kështu mund t’ia dalin të kenë sukses.
“Mos bëni kompromis me të vërtetën. Kam debatuar me drejtuesit e mi dhe më besoni i kam bindur. Unë kam ecur me hapin e breshkës. Më është dashur që në 2014 duke ecur me centimetra, me këmbëngulje. Nëse gazetarët e të nesërmes do të jenë këmbëngulës, çdo gjë tjetër sheshohet. Kam ecur duke këmbëngulur dhe ndërtuar tullë pas tulle. Këmbëngulje dhe besim në vete është këshilla ime e fundit”, përfundoi Klodiana Lala.