Department’s Book Review, UET/ Xhezair Zaganjori sjell “Inter Gentes”
Fakulteti i Shkencave Juridike Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në ciklin e bisedave Departament’s Book Review sjell në UET librin “Inter Gentes” me autor Xhezair Zaganjori.
Prof. Dr. Xhezari Zaganjori sjell botimin e tij “Inter Gentes” në fushën e së Drejtës, mes hulumtimeve dhe studimeve, me një numër artikujsh që japin kontributin nëpërmjet analizave dhe materialit të trajtuar nga ana e vizionit dhe këndvështrimit të profesionit.
Në një bashkëbisedim me studentët, por edhe me pedagogët e Universitetit Europian të Tiranës, profesor Zaganjori tregoi se pse libri është kaq i rëndësishëm, jo vetëm për juristët e rinj, por edhe ata që tashmë kanë vite eksperiencë.
Në librin “Inter Gentes”, ai ka trajtuar hapësirat e tij, polemika dhe debate në të Drejtën Ndërkombëtare si dhe të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, debate për të drejtat e njeriut dhe aktiviteteve të zhvillimeve europiane.
Me një kopertinë mjaft interesante “Inter Gentes” trajton tema të rëndësishme në fushën e jurisprudencës.
“Figura e librit është perandoresha Artemis, e kam fotografuar në Apolloni. Është vajza e Zeusit, perëndeshë e dijes, e gjakut e natyrës. Mund ta gjeni në Apollon”, u shpreh Zaganjori para studentëve të UET.
Libri paraqitet interesant edhe vetë titulli është një zbërthim etimiologjik që buron nga e drejta romake e ligjit apo e drejta e njerëzve apo popujve.
“Sot bëhet debat lidhur me të drejtën kombëtarë, e drejta mes shteteve apo e drejta që po shkon në drejtim të rregullimit të marrëdhënieve të individit. Prova më e qartë është Gjykata e të Drejtave të Njeriut dhe prandaj e kam vënë titullin kështu. Pjesa më e madhe e artikujve i përkasin të drejtave të njeriut”, tha Zaganjori.
Botimi më i ri i Prof. Dr. Zaganjorit i shërben lektorëve, por gjithashtu edhe kërkuesve të së drejtës.
Ndërsa moderatorja e takimit, Jonida Gjika tha se një rëndësi të madhe në libër Zaganjori i jep edhe aktualitetit, siç është pandemia.
“Profesori është marrë për dy vjet me këta artikuj dhe që i ka ndarë me lexuesit dhe i ka sjellë në një mënyrë të përbledhur për të gjithë që paraqesin interes në fushën e të Drejtave Ndërkombëtare dhe analizës kushtetuese. Nuk është kursyer të shprehet në këto artikuj hulumtues së të drejtës edhe për aktualitetin e pandemisë dhe kush është roli i njeriut përballë saj dhe mbrojtja për të”, u shpreh ajo.
Botimi “Inter Gentes” në të cilin janë risistemuar 46 artikuj të profesor Zaganjorit janë botuar mendime të Gjykatave Kushtetuese, Europiane të të Drejtave të Njeriut, etj.
“Një pjesë të artikujtve i kam diskutuar edhe me studentët. Unë botoj herë pas here artikuj, por këtë herë ka një risi pasi nuk janë artikuj shkencorë me citime, por janë ngjarje aktuale të prekshme, të fushave të ndryshme që paraqesin aktualitetin e mprehtë sot dhe referenca kryesore ka qënë jurisprudenca. Ajo është shkenca e ligjit që zhvillon logjikën. Ky libër është në dobi jo vetëm të studentëve, praktikantëve të së drejtës, po ashtu edhe të studiuesve të rinj për t’u referuar për studime apo kërkime të çështjeve të ndryshme. Padyshim që për mua është e veçante që promovimi i librit bëhet në kuadër të javës së Drejtësisë. Dita e Drejtësisë është një homazh për baballarët e kombit që filluan të botojnë ligjin e parë historik më 1913-n. Në libër janë 46 artikuj, 46 analiza për Gjykatat e ndryshme Kushtetuese dhe të të Drejtave të Njeriut që kam ndjekur. Probleme të ndryshme që dalin në realitetin e përditshëm kanë nevojë për jurist dhe ky i fundit ka nevojë të operojë më jurisprudencën e Gjykatave Ndërkombëtare. Nëpërmjet saj mbrohen të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve”, u shpreh më tej pedagogu i UET.
“Inter Gentes”, një libër për të gjithë
Librin “Inter Gentes” është i ndarë në katër pjesë. Në pjesën e parë janë grumbulluar artikuj për marrëdhëniet ndërkombëtare. Në pjesën e dytë për Bashkimin Europian. Pjesa e tretë përfshin të Drejtën Ndërkombëtare të Detit që une e kam shumë përzemër. Dhe e fundit që është më kryesorja dhe që ka më shumë artikuj është për të drejtat e njeriut. Të drejtën e jetës, lirinë e shprehjes, probleme që kanë të bëjnë me të drejtën e pronës, apo me jetën private, të drejtën e zgjedhjeve etj.
Në pjesën e parë autori i librit ka trajtuar mënyrën se si presidenti amerikan, Woodrow Wilson e ka mbrojtur Shqipërinë. Sipas profesor Zaganjorit ky është një fakt që për shkaqe të shumta nuk dihet dhe që për këdo do të ishte diçka interesante dhe e rëndësishmë për t’u ditur dhe lexuar.
“Sot bëhet debat lidhur me të drejtën kombëtarë, e drejta mes shteteve apo e drejta që po shkon në drejtim të rregullimit të marrëdhënieve të individit. Prova më e qartë është Gjykata e të Drejtave të Njeriut dhe prandaj e kam vënë titullin kështu. Pjesa më e madhe e artikujve i përkasin të drejtave të njeriut.
Tek Marrëdheniet Ndërkombëtare, artikulli i parë është për presidentin amerikan, Woodrow Wilson dhe Shqipërinë. Dihet shumë pak mbrojtja që ai i ka bërë çështjes shqiptare. Është unike ajo që ai ka bërë për Shqipërinë. Në komunizëm nuk flitej shpesh për këtë pasi nuk kishim marrëdhenie, por mbrojtja që ka bërë Wilson është unike.
‘Ne kemi ardhur për paqe, jo për të përdorur Shqipërinë, aq më tepër që shqiptarët e kundërshtojnë këtë gjë. Kjo cënon parimet e Kombeve të Bashkuara’, ka thënë presidenti Wilson”, tha Zaganjori.
Ndërsa nuk la pa përmendur një artikull tjetër shumë të rëndësishëm në pjesën e parë të librit, i cili i kushtohet gjyqtares së Gjykatës së Lartë amerikane, Joan Ruth Bader Ginsburg.
Ky artikull, ashtu sikurse tha edhe vetë autori i librit është një homazh në nder të saj pasi në shtator të vitit të kaluar u nda nga jeta.
“Ka luajtur një rol shumë të jashtëzakonshëm në zhvillimin e jurisprudencës në Gjykatën e Lartë. Ajo thoshtë Kushtetutën duhet ta ruajmë, por interpretimin duhet t’ia përshtasim kohës. Ajo ka qenë profesoreshë e së Drejtës Civile. U bë avokate shumë e madhe më pas dhe mbrojti me sukses çështjen e të drejtave të grave në ushtri. Femrat nuk lejoheshin të shkonin në akademinë ushtarake dhe ajo ka qenë një relatore e kësaj çështje”, u shpreh Prof. Dr. Xhezair Zaganjori.
“Një tjetër shkrim në libër është për Izraelin. Këtu kam shfrytëzuar ditarin e Renias një vajzë e re adoleshente, e cila ishte e dashuruar me të dashurin e saj të parë dhe të fundit. Pasi shpërthen lufta, ajo përshkruan dilemën e saj, duke ndenjur e fshehur në tavan e vetme, pa ushqim dhe asgjë, duke u lutur e duke thënë që do të jetojë, e nga ana tjetër duke dëshiruar të vdesë vetëm sepse është çiftute. I dashuri i saj edhe ai me origjinë çifute i mbijeton Aushvicit dhe gjen letrën e vajzës së pushkatuar. Letra bëri bujë sepse mbesa e saj, pra vajza e motrës e zbuloi letrën të cilën e gjeti dhe e botoi si libër. Libri përngjan me Ana Frank”, vijoi ai më tej.
Po ashtu një temë interesante ishte dhe ajo midis Izraelit dhe Palestinës dhe konflikti për legalizimin e ndërtesave në bregun perëndimor.
Ndërtesat jane të izraelitëve, ndërsa toka e palestinezëve. Në “luftën” mes të dyjave gjykata thotë se duhet gjetur zgjidhja vetëm me pëlqimin e palestinezëve.
Pjesa e dytë e librit i është kushtuar Bashkimit Europian.
“Bashkimi Europian është ndërtuar si një union vlerash dhë është krijuar me fokus ekonominë e tregut, por më pas menjëherë vazhduan të bëjnë dhe bashkim politik, por dështuan”, tha profesori i UET, Xhezari Zaganjori.
Ndërsa sa i përket kapitullit për çështjen e detit, ai u shpreh se marrëveshja është trajtuar si politike, ndërsa nevojitet që një specialist ta trajtojë atë.
“Marrëveshja e detit u përfundua me Libinë, me Egjiptin, me Italinë, tani thonë hajdë ta bëjmë edhe jashtë. Por këto janë thjesht trajtime politike. Nëse një specialist e sheh qartë marrëveshjen ato që janë nënshkruar janë “zero””, tha Zaganjori.
Ndërsa ajo që konsiderohet nga autori si pjesa më e rëndësishme e librit është në fushën e të drejtave të njeriut, ku ndër të tjera përmendet çështja e abortit.
“Gjykata e Polonisë ka marrë një vendim, ku aborti lejohej vetëm në raste tepër të rralla, kur rrezikohej jeta e nënës, apo kur ishte frut i marrëdhënieve me dhunë, apo kur fetusi kishte probleme”, tha ai.
Pedagogu i UET, Besnik Muçi u shpreh se libri është një pasuri e madhe jo vetëm për universitetin, por edhe për gjithë drejtësinë shqiptare.
“Botimin tuaj mezi e prita, pasi është një pasuri shumë e madhe jo vetëm për universitetin, por edhe për të gjithë drejtësinë shqiptare. Ajo që më bëri përshtypje të thellë janë çështjet e së drejtës të cilat janë të ndërthurura me probleme shumë aktuale. Ky është një veprim dhe një studim që profesori e them me plot gojë mund ta bëjë me çështej të zhvillimit global”, u shpreh Muçi.