UET sjell trajnim-konkursin për maturantët, fituesi merr bursë
Publik Speaking Academy/ Departamenti i Komunikimit në UET, trajnim për maturantët mbi artin e të folurit në publik
Maturantët kanë hyrë në semestrin e dytë të vitit shkollor 2020- 2021, e në të njëjtën kohë në semestrin e fundit që përmbyll arsimin e tyre të mesëm, dhe para tyre qëndron detyrimi dhe përgjegjësia personale për të zgjedhur një program studimi, i cili mund të jetë në të njëjtën kohë profesioni që do i shoqërojë gjithë jetën.
Një vendim i tillë, shpesh i konsideruar në moshë disi të hershme, për shkak të mos pasurit njohje totale mbi veten apo realitetin shoqëror, shoqërohet me shumë pikëpyetje, dilema, paqartësi, mbi atë se çfarë duan në radhë të parë dhe së dyti mbi atë se çfarë ofron tregu i arsimit të lartë. Prandaj e kanë mëse të nevojshëm këshillimin e karrierës, marrjen e informacionit mbi programet dhe mundësitë e punësimit, por mbi të gjitha duhet të bëjnë edhe një ‘gërmim’ të brendshëm për të zbuluar shkëndijat e pasioneve profesionale.
Duke pasur këtë si indicie, Universiteti Europian i Tiranës, për shkak edhe të kushteve të pandemisë, vjen për herë të parë këtë vit me një iniciative të re, për t’iu dhënë mundësi maturantëve të kuptojnë më mirë drejtimet që ofrohen dhe rëndësinë e tyre në tregun e punës. Departamenti i Komunikimit, pjesë përbërëse e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në UET po zhvillon një trajnim-konkurs me tematikë mbi të folurin publik dhe artin e bindjes. Projekti do të vijojë deri në fund të muajit maj, për të gjitha gjimnazet e Tiranës, ndërkohë që deri tani është zhvilluar në dy shkolla, në gjimnazin “Asim Vokshi” dhe gjimnazin “Besnik Sykja”.
Aktivitet janë zhvilluar të ndërthurur mes teorisë dhe praktikës, ku nën diktimin e trajnerëve Belina Budini, Bujar Kapexhiu, Ema Andrea, Sonila Kapidani, Irena Myzeqari, Dritan Idrizi, Vahdije Kadriu, maturantët kanë pasur mundësi të informohen mbi aspekte të ndryshme të fushës së komunikimit, nga rëndësia e kësaj fushe, format e realizmit deri tek mënyrat për të qenë sa më efektiv në dhënien e mesazhit dhe marrjen e rezultati të synuar.
Më tej, maturantët kanë shfaqur angazhimin e tyre përmes pyetjeve, diskutimeve, rrëfimit të historive personale, për ta përmbyllur në fund me një ese e cila do të prezantohet para trajnerëve, që nga ana e tyre do të bëjnë përzgjedhjen e një fituesi, të cilit do t’i akordohet bursë e plotë në Komunikim, Marrëdhënie Publike, Gazetari.
Përgjegjësia e Departamentit të Komunikimit, Belina Budini sqaroi më gjerë para maturantëve këtë iniciativë, duke theksuar se ky aktivitet i përvitshëm vjen i përshtatur në kushtet e pandemisë, për të ruajtur shëndetin e gjithë secilit. Budini tregoi rëndësinë e këtij trajnimi dhe rëndësinë e komunikimit, në të gjitha fushat profesionale.
“Pas trajnimeve, ju do të keni mundësi ta praktikoni të folurën në publik edhe këtu gjatë seancave që kemi, por do të përqendrohemi në dy dimensione, edhe dimensionin e shkruar, edhe në atë të folur. Nuk ndahen nga njëri-tjetri. Ju e keni provuar besoj, në një farë mase edhe sprovuar, në esetë që bëni në shkollë. Është pjesë e kompetencës, e aftësive që ju krijoni kur përgatiteni për të shkruarit dhe për të shkruarit që ta flisni atë përmbajtje që do flisni apo përcillni.
Është shumë e rëndësishme që mesazhi të ndërtohet në mënyrë të atillë që të rezonojë, kumbojë apo që të duket tërheqës, edhe bindës, në çdo regjistër të mundshëm, madje edhe në regjistrin jo verbal, në kuptimin e gjestikulacionit, të posturës, të të gjithë elementëve që lidhen dhe janë tregues ndoshta edhe faktorë të jashtëm, që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me mesazhin.
Mesazhi në vetvete në komunikim, themi që nuk mjafton. Pra duhet me patjetër të pasurohet me elementë të tillë, në mënyrë që të ndërtosh dhe përcjellësh një karakter të caktuar. Së pari këtë karakter duhet ta kesh. Gjithashtu duhet të kesh edhe kompetencën. Të zotërosh një dije të caktuar, një informacion, në mënyrë që ta përcjellësh në mënyrën më të mirë të mundshme. Pastaj padyshim duhet të jesh edhe karizmatik, pra të ndërtosh një lloj pëlqyeshmërie, një lloj tërheqje. Ne të shkencave të komunikimit, nuk heqim dorë nga kjo pjesë. E kemi të rëndësishme logjikën, argumentin, padyshim, por kemi të rëndësishëm edhe mjetin e ndërlidhjes emocionale, empatike, që në fakt shkencat ekzakte nuk e kanë një element shumë të fortë.
Në përditshëmri empatia, pjesa e ndërlidhjes emocionale është shumë e rëndësishme. Është e tillë edhe në pjesën profesionale, prandaj duam ta trajnojmë, ta sjellim si element te ju pjesën e ndërlidhjes emocionale me një audiencë të caktuar. Audienca është ajo që e bën mesazhin tuaj të vlejë ose jo, që të provokojë një reagim apo mendim të caktuar. Ne këtë duam pra, të lëvizim kordat marrëse, reaguese”, tha Budini.
Budini: Pse mjedisi politik ka nevojë për profesionistë të rinj të komunikimit?
Duke iu referuar situatës aktuale politike, Përgjegjësia e Departamentit të Komunikimit u shpreh se komunikimi është shumë i rëndësishëm që aktorët politikë të japin mesazhet e duhura tek elektorati, që do t’i konfirmojë në pushtet pas zgjedhjeve. Më tej, ajo informoi studentët se edhe në UET është profili “komunikim politik”, një drejtim gjithmonë e më shumë në lulëzim dhe i kërkuar.
“Ju kur të vini në degët tona të studimit, do ta keni edhe komunikimin politik si profil edhe marrëdhëniet publike politike, që janë industri më vete sot, që janë në lulëzim. Shumë ekspertë kërkohen në këtë fushë, në këtë drejtim. Studentët tanë i kemi kudo në këto industri, në forumet politike, në qeveri, në administratë publike apo njësi të tjera lokale. Është një ambient që e kemi populluar me studentë dhe jemi shumë krenarë padyshim”, tha pedagogia.
Budini foli më tej me studentët mbi rëndësinë e nxjerrjes së profesionistëve të rinj të komunikimit që punojnë në institucione apo mjedise të lidhura me politikën, për të sjellë prurje të reja dhe metoda të reja në këtë mjedis jo aq profesional, ku më tepër improvizohet dhe nuk ka akte të mirëfillta për realitetin shqiptar.
“Për të sjellë atë që është transformimi i këtij mjedisi, në terma profesionale, sepse shumëkush improvizon ende edhe në fushatat që i shohim kaq shumë të kuruar dhe që iu kushtohet para, kohë, burime njerëzorë, prapë ka regjistra që nuk janë shumë profesionalë. Nuk janë ashtu siç janë praktikat në botë, por improvizohet, ku nuk bëhen fokus-grupe, nuk bëhen sondazhe të rregullta, nuk përdoren të gjitha metodat shkencore për ta ndërtuar mesazhin, sipas një metodologjie të caktuar. Shpesh herë kemi para edhe amatorizma, dalje apo shpërfaqje dilitante të figurave politika që kanë nevojë për trajnim. Duket që figura të tilla s’kanë marrë asnjëherë këshilla për të performuar në publik, që nuk i është dashur të punojë me veten e vetë,
Ne kemi në UET edhe një program tjetër që është i lidhur me artet, dhe aty kemi edhe arti skenik që e bëjnë edhe studentët tanë, aktualisht e bën aktori Dritan Boriçi dhe studentët vihen aty në pozitat që duhet të performojnë, bëjnë teatër dhe të gjitha këto aftësi i përvetësojnë.
Pra të komunikuarit në tërësi, nuk është një çështje pune me veten në izolim, por një çështje pune me veten në publik. Pra është e rëndësishme se çfarë bëjmë ne me atë publik. Marrëdhënien s’mund ta ndërtosh në vetmi apo izolim, kur ti e ushtron para pasqyrës. Ty të nevojitet kjo pjesë, por pastaj duhet ta demonstrosh, ta ndash me një publik të caktuar dhe duhet ta bashkëkrijosh atmosferën, klimën. Procesin e bindjes ne duhet ta krijojmë bashkë. Në këtë mënyrë ju do të mësoni sesi t’iu tërhiqni vëmendjen njerëzve, që është gjëja më e rëndësishme në ditët e sotme, kemi shumë shpërqendrime, zhurma të brendshme dhe të jashtme, shumë konkurrencë, që do të thotë ka shumë aktorë, shumë komunitet dhe shpërqendrime, të cilat duhet t’i mundni për të konkurruar dhe fituar aftësi për t’u bërë profesionistë të mirë të çfarëdolloj fushe që ju keni zgjedhur për vazhdimin e studimeve”, tha Budini.
Më tej, duke diskutuar me studentët edhe për momentin në të cilin ata gjenden, për zgjedhjen e një programi studimi, Budini u tha se me gjetjen e këshilluesve të duhur, ata do të bëjnë zgjedhjen e duhur dhe në Universitetin Europian të Tiranës do gjejnë gatishmërinë dhe njerëzit e duhur për të marrë informacionin që iu nevojitet.
“Për t’iu dhënë përgjigje dilemave që ju keni, sipas specialiteteve që ju keni përzgjedhur, në në UET mbetemi në dispozicion, që t’iu përgjigjemi kurdo që ju dëshironi. Për këshillimin e karrierës UET ka një zyrë pranimi, direkt sa hyn në ambientet e universiteti. Nëse ju jeni të interesuar për të folur specifikisht me një pedagog, apo përfaqësues nga departamenti përkatës, mjafton të kërkoni dhe do të lidheni me një person që do t’ju ndihmojë për dilemat tuaja, pasiguritë, programet që ofrohen në UET”, nënvizoi Budini.
Në fund, ajo iu dha edhe një këshillë, për të gjithë ata që janë të pavendosur dhe mendojnë që të shtyjnë studimet, duke ju bërë thirrje se nuk ka kohë për humbur.
“Nuk kanë kohë për të humbur. Askush nuk ka kohë për të humbur. Një vit pushim nuk është asnjëherë një alternativë e mirë sepse supozojeni do të jetë një vit pune i humbur nesër, sepse do të jetë një mundësi më pak për të hyrë në profesion në kohën e duhur, apo vendin e duhur ndoshta”, u shpreh pedagogia e UET.