Diskutimi në UET/Talentet zgjedhin kompanitë, jo kompanitë talentet
Diskutimi në UET/Talentet zgjedhin kompanitë, jo kompanitë talentet
Elda Dedja
Bota ka ndryshuar në mënyrë drastike gjatë njëzet viteve të fundit. Teknologjia ka revolucionuar mundësitë e komunikimit e bashkëpunimit dhe ndryshimi vijon të ndodhë me ritme të shpejta. Tërësia e zhvillimeve dhe transformimeve të shoqërisë kërkon nga universitetet që të diplomojnë studentë të përgatitur për t’iu përgjigjur sfidave të së ardhmes në një mënyrë efektive. Me mundësitë e shumta që ka sjellë zhvillimi teknologjik në mbarë botën, punësimi dhe kërkesat e punëdhënësve në procesin e rekrutimit kanë ndryshuar. Universitet nga ana tjetër përpiqen që programet e studimit t’i afrojnë sa më shumë me kërkesat e tregut, në mënyrë që të diplomuarit të jenë të aftë dhe të përgatitur për t’u përballur me të gjitha sfidat dhe të papriturat që rezervon rrugëtimi i tyre profesional.
Meqenëse sektori i biznesit ashtu si edhe ai i arsimit janë ndër më të rëndësishmit për zhvillimin e një vendi, ndërtimi i urave të bashkëpunimit dhe komunikimi i vazhdueshëm mes këtyre dy aktorëve që janë të ndërlidhur me njëri-tjetrin, është shumë i rëndësishëm. Universiteti Europian i Tiranës ka krijuar Programin 500+ i cili është një vazhdim i iniciativës së UET për të shndërruar këtë universitet një “universitet të biznesit”. Ky projekt përfshin 500 kompanitë më të mëdha në vend sipas klasifikimit zyrtar dhe është një projekt i gjerë bashkëpunimi vjeçar në aspekte të ndryshme. Pjesë e këtij rrjeti janë 100 kompani, për secilin prej pesë Fakulteteve të UET.
Ky program përfshin 4 sfera të kooperimit; kualifikim dhe specializime, konsulencë, përgjegjësi sociale si dhe mundësi praktike dhe punësimi për studentët. UET ofron kualifikime afatgjata të ciklit Bachelor, Master Profesional, Master Shkencor, si dhe shumë shpejt Master Ekzekutiv për ekipet e këtyre 500 kompanive duke favorizuar përshtatjen e kërkesave të individëve që kanë nevojë për kualifikim në programet përkatëse, si dhe trajnime të certifikuara 3-12 javore në marketing, kërkim tregu, komunikim-biznes, menaxhim financiar, etj. UET kooperon me këto 500 kompani në kuadrin e përgjegjësisë sociale duke ndarë së bashku vizione, vlera dhe praktika bashkëkohore të përgjegjësisë së korporatës në shoqëri. Ndërkohë bashkëpunimi me këto kompani krijon edhe të gjithë hapësirat e nevojshme për studentët që të ndjekin praktika, internshipe si dhe për të sjellë në auditorë, specialistë apo drejtues të këtyre kompanive.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi ditën e enjte në Universitetin Europian të Tiranës është zhvilluar për të pestin vit UET HR Club, në të cilin kanë qenë të pranishëm drejtuesit e burimeve njerëzore të korporatave më të mëdha në vend si dhe përfaqësues të institucioneve dhe administratës publike. Në një diskutim mbi sfidat që paraqet sot tregu i punës për të diplomuarit, por edhe për vetë rekrutuesit, drejtuesit e burimeve njerëzore kanë shprehur opinionin e tyre parë nga këndvështrimi i korporatave që përfaqësojnë.
Presidenti Xhepa: Mbijetojnë vetëm ata që do të lexojnë në kohë trendet e ndryshimit
Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa, Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, diskutoi mbi një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me përgatitjen e burimeve njerëzore nga ana e universiteteve sot si dhe kërkesat që kanë punëdhënësit kundrejt të diplomuarve.
“Në filozofinë e ardhshme duket që shumë gjëra kanë filluar të ndryshojnë, dhe unë mendoj që do të mbijetojnë vetëm ata që do arrijnë të lexojnë në kohë trendet e këtij ndryshimi”, është shprehur Presidenti Xhepa.
Duke analizuar fenomenin e largimit nga vendit të kapitalit human, që sot ndodh në të gjithë botën jo vetëm Shqipëri, ai theksoi se kompanitë mund të ndryshojnë dinamikat e tregut të punës. Për këtë nevojitet bashkëpunim edhe me universitetet dhe pushtetin ekzekutiv.
Ai ka sjellë në vëmendje disa problematika si përshembull punësimi i të rinjve që mbarojnë shkollën e mesme dhe nuk ndjekin as shkollën e lartë, as tregun e punës.
“Janë rreth 450 mijë të rinj që mbarojnë shkollën e mesme dhe nuk ndjekin as shkollën e lartë, as tregun e punës. Çfarë do të ndodh me këta të rinj të cilët janë pa trajnimin e përgatitjen e nevojshme për t’ju përgjigjur kërkesave të tregut të punës? Unë mendoj që këtu qeveria mund të ndihmojë, edhe universitetet edhe biznesin, për të lexuar në mënyrë më koherente dinamikat e tregut të punës në Shqipëri. Përshembull, Zyrat Kombëtare të Punësimit që janë një investim i madh për vendin, nuk ka përse statistikat e tyre të mos agregohen në mënyrë periodik dhe të ndahen me universitetet dhe me bizneset, në mënyrë që të studiojmë çfarë kërkesash ka tregu, çfarë kërkesash kanë bizneset, dhe si i përgjigjemi ne aftësive që ju kërkoni”, ka thënë Xhepa.
Një dilemë tjetër, është dilema e përhershme mes llojeve të dijes që universitetet duhet të japin.
“Ju keni nevojë për ekspertë të mirë, por edhe për qytetarë. Të gjithë që e kanë mbaruar shkollën e lartë duhet të dinë të sillen, të jenë qytetarë të denjë. Debati i madh që ne kemi, për ndërtimin e një program që ta pajisë studentin dhe me kulturë qytetare dhe me dije sokratike, por njëkohësisht dhe për aftësi teknike që të jetë në gjendje të adresojë sfidat e zhvillimit në një shoqëri moderne”, ka shtuar Xhepa duke i’u drejtuar përfaqësuesve të pranishëm në UET HR Club.
Drejtues të Burimeve Njerëzore të kompanive të mëdha në vend si Agna Group, Deloitte, banka Credins, spitali Salus, Landmark Communications, shtruan për diskutim një sërë çështjesh dhe sfidash që ata shohin si të pranishme në rekrutimin e stafit të ri sot.
Enver Mehmeti Vas Tour: Turizmi ka “etje” të jashtëzakonshme për burime njerëzore
Ndërkohë që turizmi është një nga sektorët me më tepër perspektivë sot në vend, Z. Enver Mehmeti, CEO i Vastour, u shpreh në lidhje me kërkesat që punëdhënësit kanë, duke vënë theksin jo vetëm tek përgatitja profesionale por edhe tek formimi si qytetar. Gjithashtu ka vënë në dukje faktin që të diplomuarit për turizëm, janë ende në pjesën më madhe të paqartë se përse e kanë zgjedhur këtë profesion.
“Unë mendoj që industria jonë ka që etje të jashtëzakonshme, pra ka një mundësi punësimi dhe integrimi me ato kuadro që dalin, por që e kanë të qartë që duan të investojnë në turizëm”, ka thënë Mehmeti. Ai gjithashtu ka shtuar se një ndër problematikat kryesore sot është fakti se një kompani investon në burimet e saj njerëzore duke i përgatitur ata përtej dijeve të auditorit, por si përfundim ky kapital largohet për të punuar diku jashtë shtetit.
Artan Koxhuku Agna Group: Sot kompanitë kërkojnë potencial
Drejtuesi i Burimeve Njerëzore në Agna Group, Z. Artan Koxhuku u shpreh se ajo që sot kërkojnë kompanitë është potenciali.
“Ne kërkojmë një individ që të jetë kurioz, që të ketë mundësi të bëjë një analizë, të jetë i angazhuar dhe të jetë i vendosur. Ne e dimë mirë që nuk mund të gjejmë dot njerëz ‘të gatshëm’, të cilët janë eficentë dhe efikas që në momentin e parë, është kompania ajo që duhet të vazhdojë e të bëjë pjesën tjetër”, ka thënë Z. Koxhuku, , duke i’u referuar edhe shembullit të Agna Leadrship Academy në të cilën stafi i ri përgatiten për të qenë punonjësi “optimal” për korporatën, nëpërmjet tranimeve specifike si dhe mentorimit. Duke investuar në një përgatitje të vazhdueshme edhe pas studimeve, si dhe në edukimin me vlerat dhe filozofinë e kompanisë, një punonjës e ka më të lehtë të rritet në karrierë.
Roden Papaj: Studimi i Deloitte mbi punësimin
Këtë përgatitje, edhe përtej auditorëve të universitetit, si një mënyrë për të edukuar ndër të tjera punonjësit me vlerat dhe filozofinë e kompanisë, e përmenden edhe drejtues të tjerë të cilët po ashtu vunë theksin tek përgatitja që studenti duhet të ketë jo thjesht në aspektin teorik. Siç e cilësuan, tashmë janë talentet që zgjedhin kompaninë, dhe jo kjo e fundit ata, ndaj edhe sfidat e rekrutimit sot janë edhe më të mëdha.
Një prezantim mjaft interesant mbi trendet e punësimit, ka zhvilluar Z. Roden Pajaj, nga Deloitte. Ai ka analizuar përfundimet e studimit të kryer nga Deloitte, në vitin 2019 duke u ndalur ndër të tjera edhe në atë çfarë ofron tregu i punës dhe se si këto kompetenca mund të përfitohen gjatë studimit në institucionet akademike.
“Ky kërkim i realizuar këtë vit, konfirmon rëndësinë që ka të mësuarit brenda kompanisë. Flasim gjithnjë për çfarë kompetencash ofron tregu i punës dhe se si këto kompetenca prodhohen në institucione akademike. Shpesh herë ngritët zëri edhe ndaj politikëbërsve për mënyrën se si dizenjohen kurrikulat. Por vetë biznesi çfarë po bën në këtë drejtim?”, ka thënë ai duke shpjeguar përfundimet kryesore të studimit të kryer për 150 vende të botës, përfshirë dhe Shqipërinë.
Ida Omeri Bashkia Tiranë: Universitetet të ofrojnë më shumë profile inxhinierike
Ndërkohë, Z. Ira Omeri përfaqësuese e Bashkisë së Tiranës u shpreh se: “Ajo çfarë ne kemi vështirësi në punën tonë është se përzgjedhja e fushës së studimit nga të rinjtë, është kryesesisht fusha shoqërore, ekonomike e juridike. Ndërkohë që ne kemi vështirësi me fushat inxhinierike, për të cilat mendojmë se universitetet duhet të ofrojnë sa më shumë profile e mundësi zgjedhjeje”
Ardian Angoni: Sfida që paraqet largimi i kapitalit human
Z. Ardian Angoni, nga Banka Credins gjithashtu ka vënë theksin tek përgatitja dhe investimi për stafin nga vetë kompania, por gjithashtu ka vënë në pah problematikën e largimit të këtij kapitali human, kryesisht në vendet jashtë Shqipërisë.
“Ne kemi vështirësi me njerëzit që largohen, dhe ajo që ne na shqetëson është se ky është i gjithi një investim i shkuar dëm për kompaninë. Deri para dy viteve nuk shqetësoheshim shumë përshkak se largohej personel si arkëtarë, shërbim klientele, ekspert kredie etj. ndërsa tani fatkeqësia është që largohen edhe ekspertë të nivelit senior”
Në po të njëjtat problematika janë përqëndruar edhe përfaqësues të sektorit të shëndetësisë si dhe të industrisë kreative. Krahas këtij diskutimi të përvitshëm, UET si universitet i biznesit ka ndërmarrë vazhdimisht nisma të tjera promovuese për lidhjen e studentit me tregun e punës, të tilla si Bordet e Tregut të Punës, apo Panairet e Punës.