[:en]UET në Lojërat Europiane Universitare me kampionin e karatesë[:]
[:en]
UET në Lojërat Europiane Universitare me kampionin e karatesë
Kampioni i Shqipërisë dhe nënkampioni i botës për sportin e karatesë, Bekim Basha, do të jetë në muajin gusht përfaqësues i Universitetit Europian të Tiranës në Lojërat Europiane Universitare për Sportet Luftarake
Prej 7 vitesh, Bekim Basha është kampion i Shqipërisë për sportin e karatesë, ndërkohë që është pjesë e ekipit kombëtar që prej moshës 12-vjeçare. Ai ka përfaqësuar Shqipërinë në kampionatet më elitare, duke filluar nga kampionatet e gadishullit deri te stadet më të larta europiane dhe botërore. Basha ka korrur suksese të pafundme, numëron mbi 68 medalje në repertorin e tij, nga të cilat 50 janë ari. Është shpallur nënkampion bote për të rinjtë, ndërkohë që është aktualisht i renditur tek 100 karateistët më të mirë në botë, të cilët kanë të drejtën të shkojnë në garën kualifikuese për Lojërat Olimpike 2020.
Pavarësisht se të tilla arritje janë marramendëse, Bekimi është mjaft modest: “Jam një sportist që mundohem me punë, për një përfaqësim dinjitoz të flamurit tonë”.
Djaloshi 20-vjeçar, krahas talentit në këtë sport luftarak, është një student mjaft i përkushtuar, në degën Juridik i Përgjithshëm, aktualisht në vit të dytë, pranë Universitetit Europian të Tiranës. Përgjatë viteve të studimit në ciklin e ulët, por edhe atë të mesëm, Bekimi, pavarësisht angazhimeve të shumta në sport, ka siguruar rezultate të larta edhe në mësime. Ai tregon se dëshira e tij ishte që pas përfundimit të shkollës së mesme, të zgjidhte një profesion të përshtatshëm me ambiciet dhe dëshirat e tij, ndaj vendosi ta përqendrojë karrierën e tij në fushën e jurisprudencës. Ndërkohë që nisur nga talenti, por edhe rezultatet e larta në mësime, Universiteti Europian i Tiranës i ka akorduar atij bursën e Talentit që në vit të parë.
“Ç’është e vërteta përkrah sportit gjithnjë kam dashur të studioj për një degë, e cila jo vetëm do të më japë një profesion që më siguron një jetesë më të mirë për veten, por gjithashtu një profesion me anë të së cilit mund të ndihmoj të kontribuoj për vendin tim. Të gjithë aktorët e sistemit shqiptar të drejtësisë, që nga noterët te prokurorët e gjykatësit, kanë në dorë ta përmirësojnë atë, dhe kjo është veçanërisht e nevojshme në këtë moment, ku ky sistem lë shumë për të dëshiruar.”
Bekimi ka zgjedhur Universitetin Europian të Tiranës për të realizuar studimet e tij, me besimin se do të përmbushte të gjitha pritshmëritë e tij në raport me studimet e larta. Që prej vitit të parë, falë edhe natyrës së tij inteligjente, por edhe disiplinës dhe përkushtimit që e karakterizon edhe në sport, ia ka dalë mbanë që të ruajë një mesatare shumë të mirë në studimet e tij dhe njëkohësisht të vazhdojë të korrë suksese në karate.
“Pritshmëritë ndaj UET ishin të larta, por kur erdha këtu gjeta edhe më shumë se ç’prisja. Gjeta kushte shumë të mira studimi, pedagogë profesionistë, një ambient i këndshëm me studentë relativisht shumë të dashur dhe të gatshëm për të ndihmuar. Në tërësinë e stafit të tij, UET ka qenë shumë pranë meje, duke më ndihmuar të balancoj pasionin tim për sportin dhe studimet e larta. Asnjë prej pedagogëve nuk ma ka kursyer ndihmën, shpeshherë edhe me seanca konsultuese individuale, për të mos mbetur prapa me studimet e mia.”
Nënkampioni i botës do të përfaqësojë UET, në muajin gusht të këtij viti, përgjatë të cilit do të organizohen Lojërat Europiane Universitare për Sportet Luftarake, ku sportistët që kanë edhe statusin e studentit nga çdo lloj federate sportive luftarake do të mund të marrin pjesë. Bekimi është treguar i gatshëm që, ndryshe nga herët e tjera, ku në botë përfaqëson flamurin e Federatës Shqiptare të Karatesë ose atë të Kombëtares Shqiptare, kësaj radhe “flamuri” i përfaqësimit do t’i takojë Universitetit Europian të Tiranës.
“Është krenari dhe mirënjohja ime për universitetin. Do të kisha dëshirë që përse jo, në historinë e pasur të arritjeve të UET, të shtohej dhe një medalje e fituar nga unë, do të më bënte të lumtur”, thotë Bekim Basha.
Sporti për të është shumë i rëndësishëm, për shkak se e konsideron jo thjesht si një mënyrë për t’u kujdesur për shëndetin e tij, por një “shkollë” për veten.
“Sporti për njerëzit zakonisht shihet në dy lloj pikëpamjesh, ka nga ata që e shohin sportin si përkujdesje për shëndetin dhe fizikun, dhe ka pastaj edhe nga ata që me anë të sportit kërkojnë të bëjnë krenarë veten e tyre, familjen, ose të sigurojnë rezultate për të krijuar një emër. Për mua më e rëndësishme, sidomos në artet marciale, krijimi i personalitetit. Karateja më ka ndihmuar shumë që të krijoj një personalitet, Bekimin, që është i këndshëm, është i dashur, është i kuptueshëm, sidomos me shoqërinë ose ambientin ku rritet. Rezultatet ose arritjet pastaj janë thjesht pluse, që unë faktikisht ia kushtoj familjes sime. Dua të bëj krenar veten time, po më shumë se veten time dua të bëj krenar familjen time, veçanërisht babanë që më ka mbështetur deri këtu ku jam sot. Sporti duhet të shihet si edukatë, sepse edukata është kryesorja. Rezultatet që vijnë nga prapa janë plus, por kryesorja është formimi i njeriut. Sportisti po nuk qe njeri, nuk do të jetë kurrë as sportist.”
[:]