[:en]Dekani Meka: Risitë që sjell Fakulteti i Ekonomisë të UET[:]
[:en]
Dekani Meka: Risitë që sjell Fakulteti i Ekonomisë të UET
Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, Prof. Asoc. Dr. Elvin Meka, tregon mbi ndryshimet dhe risitë që sjell ky fakultet pas shndërrimit të UET në një universitet të madh dhe gjithëpërfshirës
Fakulteti i Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit përbën në vetvete një nga shtyllat mbajtëse dhe identifikuese të UET, jo vetëm në tregun e arsimit të lartë, por dhe më tej, në tregun e punës, administratën publike etj. Sot është thuajse e pamundur që në institucionet shtetërore, administratën publike dhe shoqëritë e ndryshme private të mos gjesh të paktën një ish-student të këtij fakulteti.
Universiteti Europian i Tiranës, në dhjetëvjeçarin e dytë të ekzistencës së tij, ka ndryshuar pozicionimin e tij strategjik në tregun e arsimit të lartë, duke kaluar nga universitet “niche” në një universitet “polivalent”, ose multi dhe interdisiplinar. Një ripozicionim i tillë nuk vjen rastësisht ose në ndjekje të ndonjë praktike të tillë të ngjashme në vend, por si pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimeve dinamike dhe të shpejta në tregun e punës, kërkesave të reja të këtij të fundit për dije multi dhe interdisiplinare, si dhe pritshmërive nga vetë nxënësit dhe studentët.
Në këtë kuadër, Fakulteti i Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit është rimodeluar strukturalisht dhe akademikisht dhe dekani i këtij fakulteti, Prof. Asoc. Dr. Elvin Meka tregon më tepër në lidhje me ndryshimet që kanë ndodhur: “Nga pikëpamja strukturore, nga ky fakultet, në fillim të vitit akademik 2018 – ‘19 u shkëput Departamenti i Informatikës, Matematikës & Statistikës, për të kaluar si pjesë integrale e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës e Arkitekturës. Në këto kushte, të gjitha programet bazë të këtij departamenti iu larguan Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit. Por, pavarësisht nga kjo, programet e këtij fakulteti të ri vijojnë të përfshijnë lëndë të ofruara nga Fakulteti i Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, nën optikën e multi dhe interdisiplinaritetit të UET. Për sa i përket ofertës akademike, ndryshimi thelbësor ka të bëjë kryesisht me ofrimin për herë të parë të Diplomave Profesionale dyvjeçare në: Kontabilitet, Turizëm dhe Menaxhim, si dhe riformatimin e profileve të studimit, duke standardizuar çdo program studimi, me nga 5 profile. Ofrimi i Diplomave Profesionale dyvjeçare përbën një risi interesante për UET, ku kjo diplomë tashmë do të mbajë vulën e brand-it UET, çka i jep një vlerë të shtuar kësaj diplome, e cila përdor të njëjtën “teknologji” dhe cilësi akademike, si programet e tjera të studimit në Fakultetin e Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, por në përputhje me kërkesat dhe nevojat e vetë diplomës. Ndërkohë që riformatimi i profileve është aspekti ku zbatohet gjerësisht dhe plotësisht parimi i multi dhe interdisiplinaritetit në UET. Kështu, lëndë të ndryshme të Departamentit të Menaxhimit dhe Ekonomiksit & Financës, ofrohen jo vetëm në programet respektive, që burojnë nga këto departamente, por ato mund të zgjidhen edhe nga programe studimi që burojnë nga departamente të fakulteteve të tjera, si për shembull profili i Informatikës Ekonomike në programet bachelor të Financës dhe Menaxhimit, profili i TV Multimedia dhe Menaxhim Marketingu në programet master profesional në Administrim Biznesi dhe Komunikim etj., të cilat i integrojnë më së miri këto lëndë, si pjesë e nevojave aktuale të tregut të tyre të punës. Këto profile gjykohet se plotësojnë më së miri nevojat e tregut të punës për dije optimale nga ana e studentëve, për t’iu përshtatur dhe përgjigjur sa më mirë nevojave të tregut të punës në Shqipëri. Kështu, cikli i parë i studimeve Bachelor, është riformatuar plotësisht, duke ofruar nga 5 profile për secilin program studimi, që variojnë nga ato tradicionale, tek ato krejtësisht të reja. Këtë vit ofrohen dhe profile të reja, si, Sigurime, Menaxhim Organizatash, Informatikë Ekonomike, Turizëm, Kontabilitet (për studentët bachelor), Auditim & Menaxhim Risku, Administrim Publik, Menaxhim dhe Vlerësim Projektesh, Administrim Territori, Inovacion, TV Multimedia (për studentët e master-it)”, shprehet Dekani. Ai shton se një tjetër risi këtë vit ka qenë dhe hapja për herë të parë e një programi Master Profesional në Audit.
“Është i pari program studimi në vend i dedikuar tërësisht profesionit të auditit, nisur kjo nga nevojat e reja dhe të rëndësishme që ka tregu i punës sot në Shqipëri, jo vetëm për një profesion të tillë, por dhe për dije e njohuri praktike, që lidhen me këtë profesion”, thotë Meka.
Ndërkohë që shton se Qendra për Zhvillim të Qëndrueshëm, si njësia e tretë bazë e këtij fakulteti, plotëson më së miri të gjitha nevojat dhe qëllimet e këtij fakulteti, lidhur me kërkimin shkencor cilësor, lidhjet me partnerët kryesorë të këtij fakulteti në tregun e punës, si dhe çdo lloj përpjekje për të zbatuar në praktikë objektivin strategjik të UET si një “universitet i biznesit”.
Ky fakultet, si pjesë e UET, angazhohet aktivisht në çdo lloj organizmi standard, por përveç kësaj, Departamenti i Ekonomiksit & Financës dhe Departamenti i Menaxhimit organizojnë çdo vit dhe nga një event studentor, si për shembull “Forumi i Studentëve të Financës” apo “Dita e Sipërmarrjes”, një event ku sipërmarrësit të ndajnë eksperiencat e tyre dhe të frymëzojnë studentët që dëshirojnë të jenë pjesë e botës së biznesit.
“Këto evente të përvitshme nxisin aktivizimin dhe pjesëmarrjen e studentëve, duke i lidhur ata më shumë me realitetin ekonomik të vendit dhe tregun e punës nesër”, thotë Dekani.
Një pikë e fortë e këtij fakulteti, ashtu si e UET në tërësi, është cilësia e stafit akademik, i cili dallohet për një përvojë të kënaqshme në mësimdhënie, eksperiencë në tregun e punës dhe profil të lartë në kërkimin shkencor në vend.
“Të gjitha këto, të kombinuara së bashku, mundësojnë një proces mësimor cilësor dhe me vlerë të shtuar për çdo student që vendos të studiojë dhe që po studion aktualisht në këtë fakultet në UET. Për më tepër, studentët që diplomohen nga ky fakultet kanë ndër koeficientët më të lartë të punësimit në vend, ndërkohë që për ciklin Master ky koeficient kalon mbi 80%. Në kuadër të tregut të punës, lidhja me grupet e ndryshme të interesit është një tjetër tipar dallues për këtë fakultet, ku falë punës dhe investimit disavjeçar është bërë e mundur të sigurohen një numër i vlerësueshëm marrëveshjesh bashkëpunimi, me sipërmarrje private dhe institucione shtetërore, që u mundësojnë studentëve të këtij fakulteti internship-e, praktika mësimore dhe mundësi reale punësimi, gjatë, apo pas përfundimit të studimeve”, shprehet Dekani, Prof. Asoc. Dr. Elvin Meka.
Sa i përket zhvillimit në të ardhmen të këtij fakulteti, të cilin Dekani e cilëson si një “nënmarkë” të UET, thotë do të mbështetet në të gjithë eksperiencën, traditën dhe kontributet pozitive të deritashme, duke aspiruar lidhjen organike të këtyre elementeve me synimet ambicioze për ngritjen e veprimtarisë së fakultetit në të tjera nivele sipërore, në përmbushje të objektivave dhe qëllimeve kryesore strategjike të përcaktuara nga UET; ekselenca akademike dhe ekselenca në kërkimin shkencor.
[:]