[:en]Drita Kruja: Studentët duhet të krijojnë markën e tyre personale[:]
[:en]
Drita Kruja: Studentët duhet të krijojnë markën e tyre personale
Elda Dedja
Pedagogia e marketingut në UET, njëkohësisht edhe zv.rektorja për Çështjet Akademike, Prof. Dr. Drita Kruaja, rrëfen mbi eksperiencën e saj të pasur të mësimdhënies ndër vite, si dhe ditën e parë si pedagoge
Sot ka shumë kompani dhe biznese që konkurrojnë me njëra-tjetrën për të fituar vëmendjen dhe besnikërinë e klientit dhe në një botë që ndryshon me hapa kaq të shpejtë, është e paimagjinueshme që të synohet suksesi pa ndërtuar një strategji efektive marketingu.
Në vetvete marketingu përbën një koncept dinamik, është një fushë mjaft kreative dhe energjike, e cila evoluon me hapat e kohës.
Të jesh pjesë e kësaj industrie kërkon që të jesh i pasionuar pas punës tënde, të kesh një vizion unik dhe të guxosh të sjellësh risi. Njëkohësisht është një punë që kërkon që gjatë gjithë kohës të mendosh në mënyrë kreative dhe të zhdukësh kufijtë në mendje, me qëllimin për të kuptuar audiencën kujt i drejtohesh dhe t’u rrëfesh atyre historinë tënde në mënyrën më origjinale të mundshme, për t’i fituar jo vetëm simpatinë, por edhe besnikërinë.
Të punosh çdo ditë në një skuadër marketingu kërkon gjithashtu komunikim dhe bashkëpunim. Duke qenë një industri kërkuese dhe në konkurrencë të vazhdueshme, individët që janë pjesë e saj janë gjithnjë në kërkim të inovacionit. Nëse të punosh në marketing nuk është një punë e lehtë, atëherë t’ua mësosh atë të tjerëve, është edhe më e vështirë. Megjithatë për vite me radhë, Prof. Dr. Drita Kruja ia ka dalë mbanë me sukses të ketë një karrierë të spikatur në mësimdhënien e lëndëve të Marketingut. Ajo tregon se si dita e saj e parë e mësimdhënies ishte një ditë e mbushur me emocione.
“Një natë përpara se të jepja mësimin tim të parë në auditorin e Universitetit ‘Luigj Gurakuqi’ në Shkodër, për studentët e degës Administrim-Biznes, kisha shumë emocione. Mbaj mend që kisha përgatitur një sërë shembujsh dhe ushtrimesh me anë të së cilave do të ilustroja mësimin, pasi dëshiroja të krijoja një orë interesante dhe interaktive. Atë ditë u përballa me një grup shumë të mirë studentësh, të cilët më dëgjuan me shumë vëmendje dhe kureshtje, dhe kjo më dha siguri për leksionet që pasuan”, tregon Kruja.
Tregon se mësimdhënia ka qenë një nga dëshirat e saj dhe se e ka tërhequr shumë gjithnjë, ndaj dhe ftesën për të dhënë mësim e pranoi me kënaqësi.
“Lënda Bazat e Marketingut që unë do të jepja, ishte një lëndë që përshtatej shumë me profilin tim, por edhe me atë që unë doja të bëja.”
Rrëfen se marketingu kërkon kreativitet, është shumë larg rutinës dhe kërkon të mësosh vazhdimisht.
“Unë besoj që marketingu ka disa karakteristika të veçanta. Është shumë larg rutinës dhe kërkon të jesh kreativ, të mësosh gjatë gjithë kohës. Kërkon pasion dhe një komunikim të vazhdueshëm me auditorin. Ti si lektor duhet të jesh në gjendje jo vetëm t’i përcjellësh dijen teorike, por edhe t’i angazhosh studentët që të mendojnë në mënyrë kritike dhe origjinale, si dhe t’u rrëfesh mbi eksperienca e shembuj konkretë”, shprehet ajo.
Kruja shprehet se, në këndvështrimin e saj, në përgjithësi mësimdhënia kërkon që pedagogu të investojë në dy aspekte, atë të formimit individual profesional, por edhe në aspektin e komunikimit dhe ndërveprimit me auditorin.
“Në këndvështrimin tim është shumë e rëndësishme që një pedagog të jetë i mirëformuar, kompetent në fushën përkatëse dhe me një përgatitje personale të denjë për auditorin, por është po aq e rëndësishme edhe mënyra se si pedagogu komunikon dhe ndërvepron me këtë auditor. Unë mendoj që studenti është një ‘bashkëprodhues’, është shumë i rëndësishëm në procesin e mësimdhënies dhe duhet përfshirë në mënyrë aktive në të. Nëse vetëm pedagogu flet, studenti dëgjon, atëherë ora do të jetë monotone dhe kurrsesi produktive në standardin e duhur”, thotë ajo.
Rrëfen se një nga kënaqësitë më të mëdha për të si lektore, ka qenë të shihte ndër vite studentë të cilët angazhoheshin në orën e mësimit në mënyrë aktive dhe mjaft kreative.
“Lënda e Marketingut të krijon shumë mundësi. Unë mbaj mend grupin e parë të cilit i kam dhënë mësim, që kanë sjellë në auditor qasje shumë origjinale. Kishin shpirtin e duhur kreativ, sipërmarrës, origjinalë, kureshtarë, vizionarë apo komunikues që një profesionist i marketingut duhet të ketë. Ndër vite ka ndodhur shpesh që të shoh në auditor studentë me prezantime kreative nga më të ndryshmet, veçanërisht kur bëhej fjalë për raste konkrete studimore apo produkte të reja të zhvilluara prej tyre. Jo pak herë e kanë cilësuar orën time si “të zhurmshme”, pasi karakterizohej nga një pjesëmarrje aktive e auditorit. Vazhdoj edhe sot t’i inkurajoj studentët e mi që të përfshihen, të pyesin, të shtrojnë çështje për diskutim, të mos druhen, por të jenë gjithnjë aktivë”, tregon ajo, duke theksuar edhe një herë rolin e rëndësishëm që praktika luan, veçanërisht në marketing, krahas teorisë.
Profesoreshë Kruja ka qenë gjithashtu edhe drejtuese dhe anëtare e ekipit. Ajo ka punuar në një numër projektesh në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar. Krahas këtij zhvillimi profesional ka qenë pedagoge e ftuar në një sërë universitetesh të huaja si: Economics University, Prague, Czech Republic; Corvinus University of Budapest, Hungary; Obuda University, Hungary; University of Applied Sciences, Eberswalde, Germany; University of Pembrook, Central Carolina University, East Carolina University etj. Sigurisht që një karrierë e pasur në mësimdhënie ka sfidat e saj, ndër të cilat Kruja veçon mësimdhënien për një grup studentësh të Masterit të Nivelit të Dytë në Universitetin Europian të Tiranës.
“Grupi me të cilin do të zhvilloja mësim përbëhej nga një numër i madh studentësh, të cilët jashtë auditorit ishin në pozicione pune drejtues marketingu. Sigurisht që përballja me një auditor të tillë, i cili ka shumë eksperiencë praktike në këtë fushë, kërkon një nivel të lartë përgatitjeje dhe në vetvete është sfiduese.”
Ndërkohë që shton se një industri e tillë si marketingu, që është mjaft dinamik dhe në ndryshim të vazhdueshëm, përkrah zhvillimet më të fundit të teknologjisë, komunikimit apo sferave të ndryshme të jetës si ekonomia, politika apo kultura, studentët duhet të jenë në gjendje jo vetëm të marketojnë një produkt apo organizatë, por edhe veten.
“Marketingu nuk u përket thjesht organizatave, por dhe individëve, prandaj studentët duhet të krijojnë markën e tyre personale, e cila formon mënyrën se si njerëzit i shohin, duke përfshirë miqtë, kolegët, profesorët dhe punëdhënësit e ardhshëm. Një imazh i ndërtuar me kujdes të ‘hap mjaft dyer’ në tregun e vështirë të punës, sepse të diferencon nga të tjerët, krijon besueshmëri dhe bëhet shkak për ofrimin e një eksperience unike. Të pasurit e një arsimi cilësor lehtëson procesin e markimit personal, i cili në kushtet e Shqipërisë mund të bëhet nëpërmjet rrjetëzimeve të ndryshme, përmendim partneritetet me bizneset, projektet ndërkombëtare, si edhe nëpërmjet përdorimit profesional të mediave sociale”, thekson ajo.
[:]