[:en]Arlinda Ymeraj: Auditori kërkon eksperiencën njerëzore[:]
[:en]
Arlinda Ymeraj: Auditori kërkon eksperiencën njerëzore
Përgjegjësja e Departamentit të Menaxhimit dhe Marketingut në UET, Prof. Asoc. Dr. Arlinda Ymeraj, rrëfen mbi përfshirjen e saj në botën akademike.
Megjithëse pedagogët janë të familjarizuar me idenë e dhënies së leksioneve dhe komunikimit me auditorin, çdo lloj kontakti me të është diçka e re. Një nga eksperiencat më të paharrueshme në jetën e një lektori është dita e parë e mësimdhënies.
Prof. Asoc. Dr. Arlinda Ymeraj ka pasur një karrierë shumë të pasur me përvoja dhe arritje, ku një nga aspektet më interesante ka qenë akademia. Mundësinë për të dhënë leksion e ka krijuar falë një aplikimi individual, në thirrjen që Central European University në Budapest kish hapur në atë kohë për pedagogët e rinj. Projekti i saj, i cili u shpall fitues, u aplikua në 14 seanca mësimore në Universitetin e Tiranës.
“Pjesë e akademisë jam bërë në vitin 2001. Më tepër filloi si një iniciativë vullnetare, nëpërmjet një projekti, i cili ishte aplikim individual në Central European University në Budapest, dhe iniciativa ime fitoi. Unë synoja nëpërmjet këtij projekti të eksperimentoja një lëndë të konceptuar si një seri diskutimesh, mbi mënyrën e menaxhimit të politikave publike. Si rezultat i financimit të projektit unë realizova 14 seanca diskutimi, nga një orë e gjysmë me studentët e Universitetit të Tiranës, në degën e Administrimit Publik”, tregon profesoreshë Ymeraj, e cila rrëfen se mësimdhënia ka qenë aspirata e saj që fëmijë.
“Mësimdhënia ka qenë pasion i hershëm i fëmijërisë sime. Kur ishim të vegjël e na pyesnin se çfarë ke dëshirë që të bëhesh në të ardhmen, unë përgjigjen e kam pasur gjithnjë mësuese. Ajo ishte dëshira ime, të cilën nuk e realizova dot si profesion themelor, por nëpërmjet iniciativës që ndërmora atë kohë, pata mundësinë të vendos një lidhje me auditorin.”
Ndonëse dita e parë e përballjes me auditorin ishte një përmbushje e dëshirës së saj, eksperienca ishte krejt ndryshe nga pritshmëritë.
“Unë vërtet e kisha ëndërruar shumë mësuesinë, por takimi i parë me auditorin s’kishte asnjë lidhje me atë që unë kisha menduar, sepse studentët ishin të personaliteteve të ndryshme, të formimeve të ndryshme, me objektiva të ndryshme për karrierën e tyre, kështu që sfida më e madhe ishte të arrije të gjeje emëruesin e përbashkët të interesit të studentëve”, shprehet Prof. Asoc. Dr. Arlinda Ymeraj, e cila shton se pavarësisht emocioneve pozitive kjo eksperiencë ka qenë për të shumë e rëndësishme.
“Komunikimi me një brez të ri të hap shumë dritare në gjykim, pikërisht sepse ke punuar me personalitete të ndryshme dhe kjo natyrisht të detyron që të mendosh dhe të gjesh format më të përshtatshme të komunikimit. Sigurisht studentët në çfarëdolloj auditori, brenda apo jashtë vendit, janë të ndryshëm, por kjo nuk e ul motivimin e pedagogut për të ofruar më të mirën e tij, për të ofruar kombinimin e njohurive shkencore me eksperiencën njerëzore, gjithmonë drejt objektivave të formimit të qytetarit dhe të luftës për përfshirje sociale, luftës ndaj përjashtimit social të udhëhequr gjithmonë nga universaliteti i të drejtave të njeriut.”
Përtej auditorit
E veçon mësimdhënien në akademi si një nga përvojat më të vlefshme të jetës së saj profesionale, e cila ka qenë mjaft dinamike. Por përvoja në auditor ndoshta nuk do të kishte qenë e tillë nëse përpara se të realizonte ëndrrën e saj për mësimdhënie nuk do të shënjonte disa arritje të spikatura, si të qenët ministre e Punës dhe Çështjeve Sociale apo angazhimi me zyrat e UNICEF në Shqipëri. Tregon se pjesë e kësaj ministrie është bërë fillimisht si specialiste dhe falë një pune të palodhur dhe një përkushtimi disavjeçar është ngritur në detyrë gradualisht deri në momentin që arriti të bëhej ministre në një nga institucionet më të rëndësishme në vend, në një nga periudhat më vendimtare për Shqipërinë.
“Këtë periudhë pune e quaj jo vetëm një fat të madh të jetës sime, por edhe e veçoj, sepse u hodhën bazat e reformave të rëndësishme që udhëhoqën transformimin e madh të Shqipërisë nga një ekonomi e centralizuar në ekonomi tregu. Ka gjithmonë kritika për sektorin publik, për sektorin qeveritar, të cilat qëndrojnë, megjithatë periudha ’92 – ’97 ka qenë një revolucion i vërtetë për Shqipërinë, një revolucion në planin politik, në planin social, ekonomik dhe mbi të gjitha në planin e ndryshimit të mendimit e mentalitetit dhe unë jam shumë e kënaqur që kam pasur fatin të jem pjesë e këtij ndryshimi”, rrëfen ajo.
Njëkohësisht, përvojë mjaft e vyer për të ka qenë edhe puna pranë zyrës së UNICEF, në Shqipëri. Në këtë pozicion pune Ymeraj ka qenë përgjegjëse për politikat sociale, por edhe pse fusha e ekspertizës ishte thuajse e njëjta: kombinimi i politikave publike, ekonomike dhe sociale, në UNICEF, eksperienca ishte diçka krejtësisht tjetër.
“Ajo që mësova dhe sot e quaj tepër të rëndësishme, është që të gjitha politikat tona nuk kanë asnjë lloj vlere nëse nuk ndihmojnë që të realizojnë të drejtat e njeriut. Arrita të vlerësoja se çfarë do të thotë të kesh gjithmonë në vëmendje të drejtat e njeriut. Ne në Shqipëri nuk mund të mendojmë që të drejtat e njeriut janë të realizuara për të gjithë qytetarët. Kur themi të drejtat e njeriut sigurisht nuk kuptojmë vetëm lirinë e fjalës, shtypit, organizimit, pjesëmarrjes në politikë etj. Të drejtat fillojnë te nevoja për të realizuar strehën, ushqimin, arsimin, kujdesin shëndetësor, ujin e pijshëm, ambientin etj. Në Shqipëri, por edhe në shumë vende të tjera të botës, edhe në vende më të zhvilluara, ka gjithmonë individë që janë të përjashtuar, por kjo nuk do të thotë që ne nuk kemi detyrë të përpiqemi në çfarëdolloj rrethanash të kontribuojnë në realizimin e të drejtave të të gjithë individëve”, shprehet Ymeraj.
Nga momenti kur dha mësim për herë të parë në akademi, ndërkohë që zhvillohej profesionalisht edhe në aspekte të tjera, e ruajti shumë besnikërisht dashurinë dhe përkushtimin e saj ndaj auditorit. Që nga vitin 2001 deri në vitin 2014, për shkak se mësimdhënia ishte pasion i saj, e vijoi atë me kohë të pjesshme. Në vitin 2015, profesoreshë Ymeraj u bë pjesë e Universitetit Europian të Tiranës, si pedagoge me kohë të plotë dhe aktualisht mban pozicionin e Përgjegjëses së Departamentit të Menaxhimit dhe Marketingut pranë Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit. Ndërkohë shprehet se për të mësimdhënia nuk është thjesht komunikimi i dijes që pedagogu ka, por është shumë më tepër se kaq, një mision për të formuar qytetarët e ardhshëm të vendit.
“Gjithmonë kam menduar se detyra kryesore e një pedagogu nuk është të japë leksionin me cilësinë më të lartë apo të shpjegojë konceptet më të vështira, të rëndësishme apo të komplikuara qoftë në matematikë, kimi, biznes apo çfarëdolloj fushe të shkencës. Unë mendoj se detyra më e rëndësishme e pedagogut është të kontribuojë në formimin e qytetarit. Megjithëse në momentin kur ne takohemi me studentët ata kanë marrë një formim, i cili ka filluar qysh kur ata kanë lindur, ka filluar në familjet dhe në komunitetin ku ata janë rritur. Universiteti është shumë i rëndësishëm, sepse i përgatit për mënyrën se si do të ushtrojnë rolin e qytetarit në të ardhmen, pasi të mbarojnë shkollën”, shprehet Ymeraj.
[:]