[:en]Hapja e programeve të mjekësisë në UET, prej kërkesës për…[:]
[:en]
Hapja e programeve të mjekësisë në UET, prej kërkesës për…
Dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike në UET, Prof. Dr. Pirro Prifti, rrëfen mbi ecurinë e këtij fakulteti në vitin e parë të jetës, si dhe avantazhet që programet mjekësore teknike ofrojnë.
Vendimi për të studiuar në një nga fushat e mjekësisë është një vendim shumë i rëndësishëm, pasi profesione të tilla kërkojnë një angazhim të vazhdueshëm, një përkushtim të veçantë dhe një respekt për jetën njerëzore. Ndonëse sfidat janë të shumta dhe vështirësitë me të cilat të përball përditshmëria e këtyre profesioneve po ashtu, në thelb të tyre qëndron fisnikëria, energjia e mjekësisë, dashuria njerëzore, empatia për të sëmurin, dashuria për tjetrin.
Në shoqëri profesionistët në fushën e mjekësisë kanë një rëndësi shumë të madhe për ndërtimin e cilësisë së jetës, pasi përmes promovimit të kujdesit të vetes dhe mirëqenies së trupit, mjekësia është një mënyrë orientimi drejt ruajtjes së dinjitetit njerëzor dhe aftësisë për të jetuar një jetë përmbushëse. Për këto dhe shumë arsye të tjera, mjekësia është një ndër shtyllat kryesore që ndërton strukturën e burimeve njerëzore të një vendi.
Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike, një domosdoshmëri për shoqërinë
Për thuajse një dekadë, Universiteti Europian i Tiranës ka dalluar për cilësinë dhe standardet e larta në fusha të tilla si shkencat sociale, ekonomike dhe ato juridike. Tashmë në dekadën e dytë UET vjen gjithëpërfshirës, duke ofruar edhe degë të tjera të tilla inxhinieritë, artet, humanitetet dhe mjekësia.
Kjo e fundit përbën një nga ambiciet dhe projektet më të mëdha të universitetit, i cili tashmë mund të konsiderohet i një karakteri universal, pasi krahas degëve të shumëllojshme që ofron, sjell për studentët edhe mundësi të shumta për akomodim falë bursave, financimit të studimeve dhe jetës dinamike studentore që karakterizohet në auditor dhe përtej tij.
Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike lindi prej nevojës së shoqërisë shqiptare për të pasur profesionistë cilësorë nga fusha e mjekësisë dhe ka privilegjin të krijohet në një universitet prestigjioz me një eksperiencë të afirmuar mbi 10-vjeçare në mësimdhënie. Ky fakultet pasuron ofertën akademike të UET në të dyja ciklet: Bachelor dhe Master, në degët Fizioterapi, Infermieri dhe Imazheri. Në themelimin e tij kanë kontribuuar dhe kontribuojnë dita-ditës disa nga emrat më në zë të mjekësisë shqiptare, me kompetencat, eksperiencën dhe dijet e tyre.
Studentët e shkencave Mjekësore Teknike në UET kanë avantazhin e të studiuarit një ambient kulturor ku kultivohet etika, ambient liberal ku shkëmbehen ide, promovohen dhe botohen libra. Studentët që do të përfundojnë në këtë fakultet, nuk do të kenë vetëm një diplomë, por do të jenë të formuar dhe si njerëz me kulturë qytetare. Duke qenë pjesë e një universiteti të madh të ndërtuar nga studentë dhe pedagogë të karaktereve dhe ekspertizave nga më të ndryshmet, falë edhe themeleve të shëndosha mbi të cilat po ngrihet, e ardhmja e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike të UET, premton të jetë e suksesshme.
“Ideja dhe vizioni largpamës i Universitetit Europian të Tiranës për të hapur një fakultet për profesionet mjekësore, i cili jo vetëm do të shërbejë për plotësimin e nevoja të tregut të punësimit publik dhe privat në Shqipëri, por edhe atij jashtë shtetit, u realizua më në fund këtë vit akademik. Ky fakultet u hap si pasojë e kërkesës së madhe për Teknicienë të Lartë Mjekësorë, jo vetëm në Shqipëri, por dhe jashtë vendit, sidomos në vendet e BE-së, kryesisht në Gjermani dhe Itali, e gjetkë. Në Teknicienët e Lartë Mjekësore përfshihen Profesionet e Infermierit, Mamisë, Fizioterapisë, Imazherisë. Hapja e një fakulteti të tillë ishte me të vërtetë një domosdoshmëri”, shprehet Dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike në UET, Prof. Dr. Pirro Prifti.
Ndonëse parapërgatitja për krijimin e këtij fakulteti ka qenë intensive, thuajse dyvjeçare, puna me studentët ka filluar që prej tetorit të vitit të kaluar dhe stafi akademik i FSHMT-së do të përmbyllë së shpejti me sukses vitin e tij të parë të jetës. Një pjesë e mirë e ecurisë pozitive të deritanishme i dedikohet stafit akademik të përgatitur, që në auditorë kontribuon jo vetëm me dijen akademike, por edhe me eksperiencën e çmuar të një jete në profesion.
“UET mbetet një institucion elitar në Shqipëri për sa u përket universiteteve private, si prej menaxhimit, infrastrukturës ashtu edhe prej ekipit të pedagogëve prej të cilit përbëhet. Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike në UET dallon veçanërisht në aspektin e mësimdhënies, ku në auditorë japin leksione një grup elitar pedagogësh, të tillë si Prof. Dr. Isuf Kalo, Prof. Dr. Aleksandër Dhima, Prof. Dr. Tahir Hysa, Prof. Dr. Fedhon Meksi, Prof. Dr. Robert Andoni, së bashku me pedagogë të shquar të ftuar dhe pedagogë të jashtëm, nëpërmjet të cilëve studentët janë duke marrë njohuri të shumta mjekësore sipas lëndëve përkatëse, por edhe përvojën e këtyre pedagogëve të nderuar. Studentët mund t’ia besojnë edukimin e tyre stafit të UET, të cilët sjellin në auditorë përvojën e tyre dhe bëjnë diferencën me sjelljen, emrin e njohur dhe njohuritë e shkëlqyera mjekësore bashkëkohore”, thekson Prifti, duke shtuar se përgjatë këtij viti “ecuria ka qenë me plot kuptimin e fjalës e mrekullueshme”.
Ndonëse ende i ri, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike në UET ka krijuar të gjitha hapësirat e nevojshme që studentët e tij të jenë të avantazhuar në tregun e punës pas përfundimit të studentëve.
“Stafi akademik i plotësuar dhe me përvojë jashtëzakonisht të madhe krijon besim për përgatitjen e studentëve me dijet e nevojshme, diplomimin e tyre bazuar dhe në kërkesat e tregut të punës për punonjësit e mjekësisë brenda dhe jashtë vendit. Studentët gjithashtu mund të përfitojnë nga infrastruktura e UET, si dhe prania e bibliotekës reale dhe asaj elektronike, e cila u shërben më së miri në pasurimin me dije mjekësore. Cilësia e studentëve që janë pranuar në fakultetin tonë është gjithashtu një faktor domethënës, i cili ndihmon në përgatitjen e profesionistëve të përkushtuar në dhënien e kujdesit mjekësor te pacientët. Vlen për t’u përmendur fakti që studentët e Shkencave Mjekësore Teknike falë marrëveshjeve të institucionit me disa nga spitalet më cilësore në vend do të mund të realizojnë praktikat profesionale në ambientet e këtyre të fundit. Gjithashtu partneriteti i UET me universitete të tjera jashtë kufijve të Shqipërisë është një tjetër avantazh prej të cilit studentët do të mund të përfitojnë mundësi të tilla si mobiliteti në kuadrin e programit Erasmus+ apo leksione të hapura nga lektorët më në zë perëndimorë të fushës”, shpjegon Dekani.
Përgjatë këtij viti, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike ka kontribuuar në tërësinë e UET “polivalent” me një sërë organizimesh, të cilat kanë pasur impakt në rrethin akademik, por edhe përtej tij.
Forumi i Shëndetit Publik u zhvillua në muajin dhjetor në qytetin e Elbasanit. Një organizim treditor, i cili ka mbledhur së bashku për të diskutuar mbi formimin e personelit mjekësor në Shqipëri, shkollimin, specializimin dhe kualifikimin e tyre, një sërë figurash të shquara të fushës së mjekësisë, mjekë dhe pedagogë të nderuar, por edhe maturantë, studentë e mësues. Ndërkohë për sa u përket leksioneve të hapura, ky fakultet ka mundësuar që në auditorët e UET të vijnë figura të njohura të mjekësisë, të tillë si neurokirurgu me famë botërore Prof. Dr. Henri Marsh apo profesor Alberto Polidori. Gjithashtu ka zhvilluar leksione të hapura mbi ndihmën e shpejtë, nga pedagogë shqiptarë dhe të ftuar nga QSUT-ja.
“Megjithëse është viti i parë bisemestral akademik 2018 – 2019, fakulteti ynë është i angazhuar plotësisht dhe plot përkushtim për të realizuar programet mësimor Bachelor dhe Master Profesional e Shkencor dhe jemi duke përgatitur aktivitete të reja së bashku me pedagogët tanë mjekë dhe në bashkëpunim të ngushtë me studentët tanë muajt e ardhshëm dhe vitin e ardhshëm akademik”, shpjegon Prof. Dr. Pirro Prifti.
Ndërkohë vizioni për këtë Fakultet të Shkencave Mjekësore Teknike nuk ndalet këtu. Puna intensive vijon në mënyrë që e ardhmja e afërt ta gjejë atë me një gamë më të gjerë zgjedhjesh për studentët e tij.
“Aktualisht fakulteti ynë ka dy departamente, atë të Infermierisë dhe Fizioterapisë, si dhe Departamentin e Imazherisë dhe njëkohësisht ka një Qendër Kërkimore Shkencore. Megjithatë vizioni im personal, por edhe i fakultetit dhe universitetit në tërësi është që krahas programeve aktuale të ofrojmë për studentët edhe programe të reja Bachelor dhe Master, veçanërisht programet mjekësore që kërkohen shumë në kohën e sotme, të tilla si ‘Teknik laboratori’ në Bachelor dhe programe Master në ‘Kujdesin Geriartrik dhe kujdesin Paliativ’ apo Master Profesional në ‘Pediatri’.”
Dekani Prifti gjithashtu tregon se ambicia e UET në planin afatgjatë është të krijojë Fakultetin e Mjekësisë dhe të mundësojë hapjen e programeve të doktoraturës në këtë fushë. Ai shprehet se të gjitha strukturat janë angazhuar për ta çuar më tej punën e suksesshme të deritanishme dhe se ka besim që studentët do të mbeten të kënaqur nga ky fakultet, i cili po përkushtohet të sjellë për ta më të mirën.
[:]