[:en]Ndërkombëtarizimi i studimeve, si pjesë e proceseve integruese[:]
[:en]
Ndërkombëtarizimi i studimeve, si pjesë e proceseve integruese
Në praninë e një audience me të ftuar, një sërë personalitetesh, si ambasadori hungarez në Shqipëri, përfaqësues të Ambasadës së Gjermanisë, Spanjës, Kosovës, Mbretërisë së Bashkuar, znj. Xheni Sinakoli, përfaqësuese e Delegacionit të BE në Shqipëri, znj. Aida Breti, Koordinatore Kombëtare e Zyrës Erasmus+ në Shqipëri, përfaqësues të OSBE, DAAD dhe British Council në Shqipëri, si dhe akademikë e përfaqësues të universiteteve partnere të UET, është zhvilluar në Universitetin Europian të Tiranës ceremonia hapëse e “Javës Ndërkombëtare 2019”, e cila vjen në edicionin e saj të tretë.
Forcimi i urave të bashkëpunimit ndërkombëtar
Globalizimi ka ndikuar në shumë sektorë të ndryshëm të shoqërisë, përfshirë këtu edhe arsimin e lartë, në të cilin mobiliteti i ideve dhe i njerëzve është rritur ndjeshëm. Në mënyrë që t’u përgjigjen sfidave që paraqiten, si dhe të përfitojnë nga trendi global, shumë institucione arsimore bashkëpunojnë me universitetet rajonale, ndërkombëtare dhe madje edhe interkontinentale duke e konsideruar procesin e ndërkombëtarizimit si një mjet për të përmirësuar cilësinë e edukimit.
Në vite, UET ka ndërtuar ura bashkëpunimi me shumë universitete perëndimore, si dhe është bërë pjesë me sukses e projekteve zhvilluese akademike e shkencore në kuadrin e arsimit të lartë. Rektorja e Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Nevila Nika, është shprehur se ndihet e kënaqur që UET është tashmë një institucion dinamik që bashkëpunon me një sërë aktorësh ndërkombëtarë, në funksion të vizionit për t’u shndërruar në një qendër kombëtare dhe rajonale e inovacionit në arsim.
“Ky është viti i tretë radhazi që organizojmë këtë event dhe ne jemi të lumtur të shohim se po shndërrohet në një traditë. Ne jemi krenarë që jemi ndër e universitetet e para në Shqipëri që sjell të tilla praktika europiane. Pak vite më parë, ishte thuajse e pamundur të imagjinohej një mjedis i tillë ndërkombëtar dhe dinamik brenda universiteteve në Shqipëri. Sot jam e lumtur të përjetoj këtë ndryshim pozitiv”, shprehet Nika, duke shtuar se shpreson që kjo javë të shërbejë si ndërmjetëse për idetë e reja, si dhe krijimin e partneriteteve apo projekteve që dalin përmes shkëmbimit interaktiv.
Drejtoresha e Zyrës së Projekteve dhe Partneriteteve në UET, Dr. Ketrina Çabiri Mijo, shprehet se ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë nuk qëndron më thjesht në kuadrin e mobilitetit të studentëve apo stafit akademik, por shkon përtej, në shumë fusha të tjera të bashkëpunimit akademik.
“Ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë sot nuk vjen thjesht në kuadrin e mobilitetit fizik të studentëve apo stafit akademik, por vjen si një koncept i ri, ku tashmë universitetet e shtrijnë bashkëpunimin akademik edhe në aspekte të tjera, të tilla si diplomat e përbashkëta, mbështetja për ndërtimin e kapaciteteve, programet e përbashkëta të kërkimit, mundësitë për të studiuar në distancë etj.”
Ajo ka shtuar se është “detyrë” e institucioneve të arsimit të lartë që të pajisin studentët me aftësitë e nevojshme për t’u përballur me një mjedis që ndryshon me hapa të shpejtë.
“Ne jemi sot të gjithë përballë një fakti që sfidat e edukimit shkojnë përtej kufijve. Prandaj, të gjithë duhet të luajmë rolin tonë, për të siguruar që studentët janë edukuar dhe pajisur me të gjitha aftësitë e nevojshme për të pasur sukses në një mjedis pune kompetitiv, që ndryshon me shpejtësi.”
Përfaqësuesja e Delegacionit të BE në Shqipëri, Znj, Xheni Sinakoli, ka vlerësuar Universitetin Europian të Tiranës për aktivizimin e tij në kuadrin e ndërkombëtarizimit. Ajo u shpreh se programi Erasmus+ ofron mundësi shumë të mira si për studentët ashtu edhe për stafin akademik, dhe është në këtë mënyrë një investim në kapitalin human. Ndërkohë që Znj. Aida Breti, në fjalën e saj, ka theksuar avantazhet e skemës Erasmus+, në aspektin e mobilitetit por edhe në atë të ngritjes së kapaciteteve. Ajo gjithashtu ka vlerësuar UET për projektin më të fundit, në të cilin ky institucion është lider i një konsorciumi të përbërë nga 16 universitete partnere. Znj. Breti gjithashtu shtoi se fondet për projektin Erasmus+, këtë vit do të jenë më të mëdha, gjë që përkthehet në përfitim më të madh veçanërisht për universitet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Përgjegjësja e Njësisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në Zyrën e Projekteve dhe Partneriteteve në UET, znj. Lutjona Lula, e cila ka qenë pjesë e strukturës organizative të “Javës Ndërkombëtare” që prej edicionit të parë, u shpreh se që prej vitit 2014, UET ka siguruar një sërë arritjesh në aspektin e ndërkombëtarizimit.
“Që nga viti 2014 dhe aktualisht në këtë moment që flasim, në kuadër të programit Erasmus+, UET shënon 30 studentë të huaj që kanë studiuar për një semestër në këtë universitet; UET ka qenë institucion dërgues i 200 studentëve në rreth 40 universitete europiane, ka rritur partneritetin sipas Erasmus+ ICM nga 5 projekte deri në 40 aktualisht, duke u zgjeruar kështu gjeografikisht nga Portugalia në Lituani, nga Turqia në Suedi dhe Finlandë. UET ka organizuar tri edicione të ‘Javës Ndërkombëtare’, si dhe ka mirëpritur 60 pjesëtarë të stafeve akademike nga universitetet partnere; ka qenë institucioni dërgues i 100 pjesëtarëve të stafit në universitetet e BE”, thotë Lula.
Aktualisht ky institucion është në proces aplikimi për 50 marrëveshje të reja, që përfshijnë edhe fakultetet e reja, të cilat rezultojnë në më shumë bursa në dispozicion për vitin e ardhshëm akademik.
[:]