Vaster Dhima: “Artet Pamore në UET, një degë ndryshe nga ato që ofrojnë universitetet e tjera”
Vaster Dhima: “Artet Pamore në UET, një degë ndryshe nga ato që ofrojnë universitetet e tjera”
Që në javët e para të mësimit, ai ka spikatur për talentin dhe energjinë që e karakterizon. Vaster Dhima është student i UET në vitin e parë për degën Arte Pamore. Veçanërisht i pasionuar për pikturën dhe fotografinë, arti ka qenë pjesë e tij që në fëmijëri. Vaster ka studiuar disa vite për arkitekturë, por tregon se në të vërtetë dëshirat dhe prirjet e tij ishin më tepër drejt artit. Kjo ishte edhe arsyeja kryesore që e shtyu të ndërmerrte hapin e rëndësishëm të ndjekjes së një dege tjetër.
“Prirjet e mia kanë qenë gjithmonë më afër arteve, gjë që Fakulteti i Arkitekturës nuk e përfshinte fare, pasi kishte një profil shumë inxhinierik të trashëguar nga regjimi i kaluar. Doja të studioja diçka që kishte më shumë lidhje me artet dhe pasi pashë programet e disa universiteteve, vendosa të zgjidhja UET, me gjithë variantet e ndryshme që ofroheshin pasi për mua ky program ishte më afër asaj që dëshiroja. Fillimisht një formim të përgjithshëm e më pas një profil specifik, diçka që nuk ofrohet nga universitetet e tjera”, tregon Vaster për zgjedhjen e tij.
Ai tregon se deri më tani, pritshmëritë e tij në lidhje me këtë degë janë plotësuar më së miri.
“Dega që po studioj aktualisht më pëlqen, pasi ishte ajo që prisja në momentin kur u njoha me programin. Lëndët janë të organizuara shumë mirë, gjithashtu edhe stafi akademik më duket shumë i përgatitur, komunikues dhe i gatshëm për të bashkëpunuar. Deri më tani jam shumë i kënaqur nga të gjitha lëndët, nga stafi jam ndjerë shumë komod dhe i gatshëm për diskutime të ndryshme, si në detyrat e kursit, ekspozita dhe projekte për të ardhmen duke më ofruar që tani mbështetje dhe eksperiencën e tyre”.
Edhe gjatë kohës së studimeve në arkitekture, Vaster i ka kushtuar një vëmendje të veçantë pasionit të tij për pikturën dhe fotografinë. Kjo ka bërë që të jetë disa herë pjesë e ekspozitave që janë organizuar me këto dy mediume shprehje.
“Kam marrë pjesë në disa ekspozita pikture dhe fotografie ku kanë qenë një grup autorësh apo pjesëmarrësish. Kurse personalisht kam hapur dy ekspozita fotografike, njëra e titulluar ‘Fustanella, në fotografinë e Vani Burdës’ dhe një ekspozitë tjetër fotografike e titulluar ‘Zi’ e cila përmbante fotografi nga ceremoni mortore shqiptare. Synoj të realizoj një ekspozitë personale me punime të miat ku të përfshihen vizatime, piktura, kolazhe”, rrëfen Vaster për eksperiencën e tij si dhe për planet e së ardhmes.
Shprehet se për të frymëzim është çdo gjë nga jeta reale dhe se gjithmonë ka diçka të veçantë edhe atje ku mund të mendojmë se nuk ka asgjë.
“Kryesisht më frymëzon jeta reale, sidomos në fotografi. Ajo çfarë fshihet në përditshmëri, ato rituale të përditshme të cilave nuk para u kushtojmë rëndësi por që në të vërtetë pas tyre fshihet diçka mistike që thuajse gjithmonë e anashkalojmë pa e vënë re. Aty më pëlqen të ndalem, të kap ato detaje të fshehura e më pas të krijoj”, tregon ai.
Vaster është në hapat e parë në rrugën e gjatë dhe të bukur të artit dhe mund të themi se e ka nisur mjaft mirë. Për të është objektiv të meritojë titullin artist dhe beson se është në fillime të mbara.
“Objektivi im është të bëhem artist dhe shpresoj që studimet në UET të më ndihmojnë në këtë rrugëtim. E shoh të rëndësishme fazën e studimit dhe synoj që pritshmëritë e mia të para t’i realizoj në universitet pasi për mua janë hapi i parë drejt këtij rrugëtimi. Mbështetja, mundësitë e ekspozimit, promovimi, shkëmbimi i eksperiencave, të gjitha këto i shoh si mundësi mjaft të mira që ofrohen në UET dhe që më sjellin më pranë objektivave të mi”, shprehet Vaster, optimist për të ardhmen.