Emrat e njohur të mjekësisë i bashkohen fakultetit më të ri në UET: Flamur Tartari, mungesa e madhe
Emrat e njohur të mjekësisë i bashkohen fakultetit më të ri në UET: Flamur Tartari, mungesa e madhe
Mbahet mbledhja e parë e Departamenteve të Mjekësisë në UET. Ajo nisi me lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të mjekut Flamur Tartari, pjesë dhe kontribuues për hapjen e këtij Fakulteti të ri në UET
Mbledhja e parë e Departamenteve të Mjekësisë nisi dje në UET, pa kirurgun e njohur, profesorin Flamur Tartarin, i cili si shumë mjekë të tjerë të njohur janë pjesë e fakultetit të mjekësisë. Tartari u nda nga jeta krejt papritur të mërkurën, ndërsa ishte lajmëruar për mbledhjen e parë.
Universiteti Europian i Tiranës, në kuadër të themelimit të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, tashmë fakulteti më i ri në universitet, organizoi mbledhjen e parë të departamenteve të Infermierisë dhe Fizioterapisë, si dhe ai i Imazherisë.
Në krye të këtij fakulteti qëndron mjeku i njohur Isuf Kalo, i cili është dhe dekan i fakultetit. Departamentet e këtij fakulteti drejtohen nga dy të rinj me grada shkencore, si Doktoreshë Marsida Duli, dhe prof. asoc. dr. Voltisa Lama.
Objektivi i këtyre dy departamenteve, por dhe i fakultetit në tërësi është jo vetëm të nxjerrë profesionistë të duhur në sektorin e mjekësisë, por edhe të ndikojë ose të ketë zërin e tij në politkëbërje dhe nisma për këtë sektor.
Ndërkohë oazi dhe pasuria e këtij fakulteti janë profesorët e nderuar si Fedhon Meksi, që ka qenë dekan i Fakultetit të Mjekësisë, Robert Andoni, një nga mikrobiologët më të shquar që i ka vënë themelet mikrobiologjisë. Një tjetër figurë e njohur është Tahir Hysa, ndër të parët që në fillimet e tij është angazhuar në radiologji e më pas në imazheri.
Gjithashtu, dhe shumë profesorë të tjerë të kualifikuar, profesionistë me eksperienca të gjata, profesionistë me grada shkencore, të cilët jo vetëm do të formojnë studentët në rrugën e tyre të mjekësisë, por ata do jene edhe pjesë e botimeve dhe studimeve shkencore që UET tashmë e ka të kthyer në traditë. Pikërisht që në ditët e para të këtij fakulteti doli numri i parë i revistës shkencore ‘Medicus’.
Medicus është një revistë, e cila mbart edhe filozofinë që do të ketë kjo hapësirë e re për mjekësinë në Shqipëri. Revista ‘Medicus’ është përgatitur nga një grup profesionistësh, të udhëhequr nga dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike në Universitetin Europian të Tiranës, Isuf Kalo. Është një revistë, e cila mbart ambicien ndaj këtij universiteti për ta parë mjekësinë sa më bashkëkohore.
Gjatë mbledhjes së parë të dy departamenteve, dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike profesor Kalo u shprehet se ky fakultet, që lindi në këtë universitet në një kohë shumë të shkurtër, është një univers jo vetëm mësimdhënës, por një ambient kulturor ku kultivohet etika.
“Janë thirrur figura të njohura të shëndetësisë sonë që kishin dëgjuar për UET, për cilësinë e lartë të mësimdhënies dhe një programi bashkëkohor të tij. Ne do të aktivizojmë disa nga këta si profesorë ‘emeritus’, që janë bërthama, sidomos profesor Fedhon Meksi, që ka qenë dekan i fakultetit të mjekësisë. Nestor Tereska që ka qenë rektor i universitetit shtetëror të Tiranës. Profesor Robert Andoni, një nga mikrobiologët më të shquar që i ka vënë themelet mikrobiologjisë sonë dhe profesor Tahiri që qysh në fillimet e tij është angazhuar në Imazheri, fillimisht në Radiologji e më pas në Imazheri”.
Ne duam të themelojmë një fakultet mjekësie në mënyrë që të ndikojmë sado pak në legjislacionin dhe sistemin. UET nuk e njohur mjekësinë deri sot. Do ta vendos këtë kontakt me mjekësinë, me situatën e sotshme dhe me synimet në të ardhmen. Çështja është që të gjitha këto departamente të kenë një bashkëveprim të brendshëm. Ne caktuam dhe një ditë kur ky grup, ky forum të mblidhet çdo javë. Pra është i një cilësi mjaft të veçantë, tha Kalo.
“Ne nuk jemi të kufizuar në një sektor, vetëm në një specialitet. Edhe Ministria e Shëndetësisë që merret me sistemin shëndetësor publik, jo gjithmonë ka vizionin e duhur. UET mund të dalë në arenën e diskutimit publik me idetë tona. Mund të mos kemi falë këtyre figurave të shquara të mjekësisë që janë pjesë e UET dhe falë figurave të tjera që do të aktivizojmë si pedagogë të jashtëm, mendoj se do të bëhemi një qendër mjaft e rëndësishme, relevante e mendimit shkencor në mjekësi. Universiteti Europian i Tiranës mund të konkurrojë dhe me universitete të tjera që unë nuk e di të kenë figura të tilla të këtij dimensioni”.
Kurse Marsida Duli deklaroi: “Këto figura me vlerë të mjekësisë shqiptare që janë pjesë e Universitetit Europian të Tiranës, përfshirë edhe prof. Isuf Kalon, i cili është ndër ekspertët më të mirë që ka punuar për vite me radhë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Është një organizatë e cila merret me problematikat, politikat shëndetësore në të gjithë botën. Prof. Kalo ka punuar me vite me radhë si drejtues dhe themelues i Qendrës së Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore, ndër hartuesit e parë të udhëzimeve për standardet dhe cilësinë e këtyre shërbimeve”.
E mira është që përveç brezit të vjetër që janë profesorët ‘emeritus’, që kanë eksperiencë ndër vite, janë dhe brezi i ri që qasen rishtas me problematikat dhe inovacionet si në shëndetësi, në praktikën e punës, por dhe nga ana shkencore.
Shuhet Flamur Tartari, ja nderimi i fundit nga UET
Është ndarë nga jeta në mënyrë të papritur mjeku Flamur Tartari, në moshën 75-vjeçare. Tartari ka patur 52-vjet në profesion, ndërsa njihet ndryshe si bisturia e artë e mjekësisë shqiptare. Tartari ka qenë dhe Kryetar i Shoqatës së Urologëve të Shqipërisë dhe punonjës në një nga spitalet private në kryeqytet.
Ai sapo kishte festuar 75-vjetorin para tre javësh. Së fundmi, ai ishte shfaqur publikisht gjatë prezantimit të revistës ‘Medicus’ në Universitetin Europian të Tiranës.
Ne mjekët jemi shumë të shpejtë kur gjejmë dashamirësi. Kritika ka kudo, por them se në të ardhmen do ta bëjmë akoma më mirë këtë punë, dhe do të japim atë që quhet mjekësia bashkëkohore. Nuk dua t’i bëj reklamë Universitetit Europian të Tiranës, por mjafton vetëm fakti se muret e këtij ambienti janë të mbushura me të gjitha portretet e intelektualëve të Shqipërisë, flet për vazhdimësinë, kulturën, dashamirësinë dhe zhvillimin e këtij universiteti për brezat e ardhshëm, u shpreh Tartari në prezantimin e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike.
Universiteti Europian i Tiranës ka një traditë, ku presidenti i universitetit shpreh mirënjohjen me një çmim ndaj emrave të cilët japin kontribut të rëndësishëm në fusha të caktuara dhe shoqërinë shqiptare. Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Adrian Civici, shprehu mirënjohjen për merita të veçanta, mjekut të njohur Flamur Tartari.
12 mjekët e njohur, pjesë e ekipit të UET
Prof. dr. Fedhon Meksi
Prof. dr. Nestor Tereska
Prof. dr. Robert Andoni
Prof. dr. Tahir Hysa
Dr. Rovena Bode
Dr. Arben Gjonaj
Dr. Bujar Carkanji
Dr. Edvin Selmani
Dr. Iris Myftiu
Dr. Najada Kallashi
Dr. Sami Kulloj
Dr. Zef Delija