Ariton Muçaj, ish-studenti i UET që u pranua në Universitetin e Westminster në Londër
Ariton Muçaj, ish-studenti i UET që u pranua në Universitetin e Westminster në Londër
Vendimi për të aplikuar në Universitetin e Westminster në Londër erdhi krejt natyrshëm. Teksa kërkonte në internet për universitet më të mira ndërkombëtare për degën e Financës, ky institucion i tërhoqi vëmendjen dhe thuajse në mënyrë të pavetëdijshme, përgatiti të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe aplikoi. Ariton Muçaj, ish-student i UET në degën Financë-Bankë, sot vazhdon vitin e parë Master në Universitetin e Westminister. Ai tregon se në fillim kishte pasiguri për përgjigjen e aplikimit, por dëshira dhe këmbëngulja e bënë të mos hiqte dorë nga objektivi i tij.
“Në Universitetin e Westminister, programi i Financës zhvillohet në harkun kohor të 4 viteve, ndaj kur aplikova në fillim, kisha dyshime se mund të mos pranohesha për shkak se studimet në degën Financë-Bankë unë i kam kryer në UET përgjatë tri viteve. Megjithatë përgjigjja ishte pozitive përtej pritshmërive të mia. U pranova në universitet pa asnjë lloj problemi, gjë që e bën diplomën e UET shumë të rëndësishme dhe të njohur ndërkombëtarisht. Ky ishte aspekt që e prisja në një farë mënyre por jo kaq të dukshëm”, tregon Aritoni.
Universiteti i Westminster është një nga universitetet me traditë në Mbretërinë e Bashkuar. Dega e Financës është një nga më të kërkuarat në këtë universitet sidomos nga studentët ndërkombëtarë. Gjendet në zonën më të rëndësishme të Londrës, në zonën e parë, përballë me Muzeun e Sherlok Holms dhe Madam Tussauds. Shkolla ka filluar prej rreth një muaji për Aritonin i cili rrëfen se eksperienca në këtë universitet është e jashtëzakonshme.
“Shpjegimet janë shumë të qarta dhe në gjuhë të pastër angleze. Ambientet e bibliotekës janë shumë komode dhe të përshtatshme për çdo student. Materialet dhe literatura për çdo punim apo detyrë kursi është e pafund. Sistemi i përafërt me LMS-në e UET, quhet BLACKBOARD. Fakti që udhëtoj me tren çdo ditë përafërsisht 40 minuta më bën ta pëlqej akoma më shumë jetën angleze pasi transporti është pothuaj i përkryer. Diçka që më pëlqen është që programi i UET është shumë i kompletuar dhe shumë mësime më duken si ‘déjà vu’ në gjuhën angleze”.
Studimet në Londër përbëjnë një sfidë të re për Aritonin, i cili ka qenë një nxënës ekselent në gjimnaz si dhe student ekslent përgjatë tri viteve të studimit në UET. Ai thotë se Universiteti Europian i Tiranës nuk ishte objektivi i tij në krye të herës, por rezultoi zgjedhja më e mirë që mund të kishte bërë.
“Në vitin e fundit të gjimnazit nuk e kisha menduar të shkoja të studioja në një universitet privat, pasi preferoja të vazhdoja degën e financës në FEUT. Për rrethana të ndryshme nuk shkova atje. Ironia është që një drejtues i një universiteti konkurrent me UET, njëkohësisht edhe i afërmi im, më sugjeroi këtë të fundit, pasi sipas tij programi i financës në UET ishte ndër më të mirët në Shqipëri. Nuk e bëra ‘dysh’ fjalën e tij dhe kështu filloi një nga etapat më të rëndësishme në jetë për mua. Para se të filloja studimet e larta, unë bëja pjesë në grupin e njerëzve që ishin pak optimistë për të zgjedhur universitetet private megjithatë UET më ndryshoi 360 gradë mendimin që kisha për këtë temë”, tregon Aritoni.
Skepticizmi i dikurshëm nuk qëndron më, tani që përkushtimi dhe mundi i tri viteve studim në UET ka filluar të shpërblehet. Tashmë ai është student në një universitet anglez prestigjioz dhe mundësitë për të arritur të tjera suksese janë të shumta.
“UET është një investim i sigurt dhe fitimprurës për jetën. Me një diplomë të njohur ndërkombëtarisht të jep mundësinë të studiosh në universitetet më të mira në botë. Ndaj nëse vërtet dëshiron të jesh më i miri dhe iu përkushton vullnetin dhe mundin tënd studimeve, mund të arrish atje ku dëshiron”.