UET thellon bashkëpunimin me UN Women Albania, nënshkruan Women’s Empowerment Principles dhe Memorandumin e Bashkëpunimit

Promovimi i barazisë gjinore dhe fuqizimi i grave, përmes përfshirjes, edukimit dhe impaktit akademik, ishte në fokus të Memorandumit të Bashkëpunimit mes Universitetit Europian të Tiranës dhe UN Women Albania, enti i Kombeve të Bashkuara që ka si qëllim barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në botë.
I iniciuar nga Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale të UET-së dhe dekania e këtij fakulteti, Prof. Dr. Belina Budini, ky memorandum synon të rrisë bashkëpunimin në fushat e edukimit, mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe zhvillimit të projekteve, duke dhënë kontribut të vyer për një shoqëri shqiptare më të shëndetshme, me të drejta të plota dhe mundësi të pakushtëzuara për gratë.
Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Prof. Dr. Belina Budini tha se ky Memorandum Bashkëpunimi është formalizimi i një marrëdhënieje që ka nisur prej muajsh në kuadër të fuqizimit të mëtejshëm të grave në shoqëri. Të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të grave në veçanti, sipas saj, mbeten ne qendër të punës së përditshme dhe të misionit të përhershëm që ka ky institucion akademik. Përtej kësaj, znj. Budini nënvizoi se e rëndësishme për fakultetin që ajo drejton dhe Departamentin e Shkencave Humane dhe të Komunikimit mbetet edukimi në sferën e medias.
“Media është fokusi ynë kryesor i interesit si institucion, në aspektin e një universiteti që i bën gjërat ndryshe nga institucionet tradicionale. Kohët e fundit kemi një projekt Jean Monnet Chair, i mbështetur nga Bashkimi Evropian, që për herë të parë përqendrohet te media. Po tërheqim shumë interes nga organet profesionale në media, gazetarët, dhe ky memorandum është shumë i rëndësishëm për ne se përputhet me punën tonë në aspektin e fuqizimit të grave në media”, theksoi dekania Budini.
Departamenti i Shkencave Humane dhe të Komunikimit është bërë pjesë e projektit pilot të UN Women Albania për Barazinë Gjinore në Media, me fokus forcimin e njohurive të gazetarëve të rinj për t’i dhënë zë fuqizimit të grave dhe për të sfiduar stereotipet. Duke e cilësuar trajnim të dobishëm, Prof. Budini tha se synimet e ardhshme janë që këto parime dhe koncepte të bëhen pjesë e kurrikulave për të gjithë rinjtë që studiojnë Gazetari dhe Komunikim pranë Universitetit Europian të Tiranës.
Rektorja e UET, Prof. Dr. Drita Kruja tha se ky Memorandum vjen pas nënshkrimit në muajin mars 2025 të Women’s Empowerment Principles (WEPs), një set prej shtatë parimesh të UN Women, që ofron udhëzime për bizneset se si të promovojnë barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në vendin e punës, në treg dhe në komunitet.
“Duke mbështetur në mënyrë aktive politikat e barabarta, kompensimin e barabartë, lidershipin gjithëpërfshirës dhe një kulturë respektuese, ne mund të demonstrojmë angazhimin tonë ndaj PFG-ve dhe të sigurohemi që mendimet e të gjithëve respektohen”, theksoi rektorja.
Prof. Kruja shprehu dëshirën që ky bashkëpunim mes UET dhe UN Women Albania të shtrihet edhe me katër fakultetet e tjera të këtij universiteti, të cilët përmes projekteve, bashkëpunimeve kombëtare dhe ndërkombëtare japin kontributin e tyre në fusha të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Ajo e quajti arritje domethënëse për universitetin përfundimin e dy projekteve Jean Monnet, ndërsa tashmë po zbatohet projekti i tretë në fushën e medias.
Në kuadër të barazisë gjinore, Prof. Kruja tha se UET ka realizuar një anketë studimore me stafin akademik dhe administrativ, duke arritur rezultate impresionuese. Po ashtu, ajo foli edhe për fokusin e shtuar që UET ka në kërkim, jo vetëm përmes revistave shkencore, por edhe përmes eventeve vjetore shkencore, siç janë Ditët e Studimeve Shqiptare, një organizim që mbledh kërkues shkencorë shqiptarë dhe nga universitetet partnere, dhe DSSH Junior, që është për studentët.
Përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri, z. Michele Ribotta u shpreh i lumtur për faktin që UET u bë institucioni i parë i arsimit të lartë jopublik në Shqipëri, i cili iu bashkua familjes së madhe të nënshkruesve të Parimeve për Fuqizimin e Grave, duke shprehur kështu angazhimin akademik për avancimin e barazisë gjinore.
Z. Ribotta theksoi se universiteti mund të luajë një rol të rëndësishëm, jo vetëm përmes praktikave të brendshme, por edhe përmes edukimit, kërkimit shkencor dhe përcjelljes së vlerave te brezi i ri.
“Ky partneritet ofron një mundësi të shkëlqyer për zhvillim të mëtejshëm, për ju si institucion, por edhe për lëvizjen më të gjerë drejt barazisë. Ju keni një rol të rëndësishëm në promovimin e barazisë gjinore brenda universiteteve, por edhe duke kontribuar përmes kërkimeve në Shqipëri dhe më gjerë për mënyrën se si fuqizimi i grave ndikon në zhvillimet shoqërore dhe ekonomike”, u shpreh Ribotta.
Po ashtu, z.Ribotta e vlerësoi UET, jo vetëm sepse përgatit gazetarë dhe komunikues të ardhshëm, por edhe për përfshirjen në edukimin e tyre të çështjeve të barazisë në mësimdhënie dhe kërkim. Duke vlerësuar punën e bërë nga universiteti përmes bursave, projekteve Erasmus+, shkëmbimeve studentore, ai shprehu kënaqësinë që ky bashkëpunim të ravijëzohet në terma të përbashkët.
Referuar kapaciteteve, burimeve, interesave shkencore dhe synimeve afatagjata, palët e të dy institucioneve lanë të hapur mundësinë e bashkëpunimit edhe në fushat e tjera, ekonomike, sociale, politike apo kulturore.