16 vite Master në UET/ Diplomohen 357 profesionistë të rinj, vlerë për tregun e punës dhe shoqërinë
Treqind e pesëdhjetë e shtatë studentë kremtuan mbylljen ciklit të dytë të studimeve në Universitetin Europian të Tiranës. Profesionistë të të gjitha fushave: nga ekonomia e biznesi, te informatika, arkitektura e inxhinieritë; nga shkencat humane, politike e shoqërore e deri te artet e degët e mjekësisë; dhjetëra të rinj e të reja bëjnë tashmë kapërcimin e madh, shkëputjen nga auditori i UET dhe kalimin e plotë në tregun e punës.
Mesazhe kuptimplota, fjalë inspiruese e të fuqishme, emocione të paprovuara dhe momente të paharrueshme. Provokoi shumëçka ceremonia e diplomimit të studentëve të masterit në Universitetin Europian të Tiranës, të cilët përmbyllën me sukses rrugëtimin dy vjeçar për të vijuar më tej sfida të reja, realizime e përkushtime jetësore. Një arritje personale, por edhe familjare, një moment kremtimi që mblodhi breza të ndryshëm të përshkuar kryekëput nga krenaria.
Treqind e pesëdhjetë e shtatë të rinj e të reja i shtohen listës së gjatë të viteve dhe numrave të UET Alumni, teksa emrat dhe kontributi i tyre gjendet në çdo fushë të zhvillimit shoqëror. Albi Zhulali është një prej tyre, i cili prej vitesh përparon dhe zhvillohet në fushën e sipërmarrjes duke prekur suksesin dhe dështimin, por gjithmonë i pajisur me vullnetin e të ecurit përpara. Prandaj nuk denjoi t’i këshillojë studentët e sapodiplomuar me të njëjtat fjalë që ia thotë dhe vërteton vetes çdo ditë.
Ministri për Shtetin me Marrëdhëniet me Parlamentin, z. Taulant Balla, i ftuari special i kësaj ceremonie, përgëzoi studentët për punën dhe përkushtimin e bërë prej tyre, por edhe prej familjeve e stafit akademik të universiteit, duke shprehur bindjen se ky është brezi që do të ndryshojë vendin dhe shoqërinë.
Si një ngjarje që shenjon jo vetëm jetën e studentëve, por edhe pedagogëve, nuk munguan emocionet e tyre. Presidenti i UET, prof. asoc. dr. Selami Xhepa, rektorja prof. dr. Drita Kruja, dekanet e pesë fakulteteve përshëndetën këtë ceremoni, jo me fjalime lamtumire, por me përgëzime, mirënjohje, arritje e ftesa për ta ruajtur të pathyeshme marrëdhënien me universitetin.
Presidenti Selami Xhepa: Ndjehuni krenarë që keni qenë pjesë e UET, ashtu siç ne jemi krenarë për ju
Presidenti i UET, prof.asoc. dr. Selami Xhepa e nisi fjalën e tij me falenderimin për gjithë studentët që kompletojnë rrugëtimin e tyre profesional, pëmes sakrificash dhe sfidash jo të pakta, të cilat i përgatitën për të marrë më shumë përgjegjësi në të ardhmen.
E vuri më tej theksin te falenderimi i prindërve, që mbeten gjatë gjithë jetës një mbështetje e pakursyer dhe e pakondicinuar për fëmijën “Ata meritojnë respekt dhe mirënjohje për gjithë jetën”, nënvizoi presidenti i UET, duke falenderuar më tej stafin akademik për punën e përkushtimin e treguar.
Xhepa iu kërkoi studentëve të bëhen pjesë e rrjetit aktiv Alumni UET, për të ndihmuar kështu njëri-tjetrin. “Përhapeni fjalën dhe imazhin e UET kudo që të jeni nesër dhe ndjehuni krenarë që keni qenë pjesë e këtij universiteti, siç ndjehemi edhe ne krenarë për secilin prej jush”, theksoi Xhepa.
“Zgjedhjet që do të bëni do të jenë vetë jeta juaj”, tha profesori, duke iu kërkuar studentëve të mos tërhiqen nga rruga e mundimshme që kërkon sjellje të ndershme, integritet profesional, solidaritet njerëzor e ndjekje të kauzave të drejta shoqërore. “Do t’iu bëjë më të respektuar dhe më të çmuar për shoqërinë tonë”, tha ai.
“Në një shoqëri që po shkon drejt fragmentarizimit dhe polarizimit, ku injornca bëhet shtrat i konspiracionit, ku mediat sociale kthehen në zëdhënës të tyre, me efekt të kontaminueshëm, përballemi me rreziqe të mëdha. Është detyrë e njerëzve të arsimuar, e të rinjve dhe të rejave si ju që të bëhen barrierë ndaj tyre… Ashtu si familjet tuaja edhe vendi dhe shoqëria ka nevojë për kontributin tuaj”, përmbylli mesazhin e tij presidenti i UET.
Ministri Taulant Balla: Po dilni nga dyert e këtij universiteti si qytetarë të përgjegjshëm e të përgatitur
“Kam qenë dëshmitar i momenteve të para të themelimit dhe më vjen mirë që ky universitet pas kaq vitesh e ka merituar emrin Europian i Tiranës dhe kjo do të përmbushet plotësisht me kapusin e ri”, tha ministri i Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, z. Taulant Balla në fillim të fjalës së tij.
Teka i cilësoi diplomat e studentëve dëshmi të përgatitjes së tyre dhe aftësive të marra, ministri Balla e quajti diplomimin një fillim të ri për studentët në përballjen me botën reale.
“Po dilni nga këto dyer të këtij universiteti shumë të nderuar, si profesionistë të përgatitur dhe të pajisur me dijet dhe aftësitë e nevojshme për të përballuar sfidat e jetës, por ajo që është më e rëndësishme, ju po dilni nga dyert e këtij universiteti si qytetarë të përgjegjshëm, të përgatitur për të kontribuar në përparimin e vendit tonë”, tha Balla.
Sipas tij, brezi i sapodiplomuar do të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e Shqipërisë dhe integrimin e saj në strukturat europiane dhe globale, e cila tashmë ndodhet më pranë se kurrë integrimit në Bashkimin Europian.
Ministri iu kërkoi të rinjve dhe të rejave që të bëhen mbështetje për të tjerët, ashtu si edhe ata e kanë marrë atë ndër vite. “Asnjë sukses nuk arrihet vetëm, dhe për këtë arsye, ndihmoni të tjerët në rrugën tuaj, sepse suksesi i tyre është edhe suksesi juaj”, nënvizoi Balla.
“Në fund, dua t’ju përgëzoj përsëri për këtë arritje të rëndësishme. Ju keni treguar qëndrueshmëri, përkushtim dhe aftësi, dhe tani jeni të përgatitur për të bërë ndryshimin në botë. Kam besim të plotë se shumë prej jush do të luajë një rol të rëndësishëm në përparimin e Shqipërisë dhe në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për veten dhe shoqërinë.”
Rektore Drita Kruja: Ju jeni një shembull i shkëlqyer i përkushtimit dhe ambicies
Këshilla shumë të vyera u dhanë nga rektorja e UET, prof. dr. Drita Kruja, e cila iu tha të sapodiplomuarëve se tashmë ata janë gati për të zgjidhur probleme kompekse dhe për të punuar në mënyrë të pavarur. “Këto aftësi që keni marrë janë të domosdoshme në botën e sotme, e cila ndryshon me shpejtësi dhe kërkon që ju të përshtateni po aq lehtë. Jeni të pajisur me dije dhe kompetenca për të përballuar këto sfida”, theskoi Kruja.
Rektorja i inkurajoi studentët mos të ndalen së kërkuari dijen, pasi në çdo fazë të jetës do të ketë diçka për të mësuar dhe eksploruar.
“Jeta e pas auditorëve nuk do të jetë e lehtë, do të përballeni me pasiguri dhe ndonjëherë me dështime. Mos harroni, dështimet janë mësime të vlefshme që ju ndihmojnë të rriteni dhe të përmirësoheni. Çdo sfidë është një mundësi e re për të mësuar dhe sa të fortë jeni.”
“Ju jeni një shembull i shkëlqyer i përkushtimit dhe ambicies”, iu drejtua rektorja më tej studentëve, “dhe jam e bindur se suksesi juaj nuk do të ndalet këtu”.
Prof. Kruja i këshilloi studentët të ndjekin pasionet e tyre duke qëndruar të vërtetë ndaj vetes. “Karriera nuk është vetëm një rrugëtim drejt suksesit profesional, por edhe drejt përmbushjes. Ndiqini ato që ju frymëzojnë dhe iu japin kuptim. Mos kini frikë të dilni jashtë zonës suaj të rehatisë.”
Albi Zhulali: Këmbëngulja është cilësia kryesore që ju duhet pasi të largoheni nga UET
Ish-studenti i UET, Albi Zhulali, sot një sipërmarrës, ndau eksperiencën e tij ndër vite që siç u shpreh ai, më shumë ka qenë e mbushur me dështime sesa me suksese. Rrëfeu se disa prej biznesve të tij kanë dështuar, disa kanë ecur e shumë e të tjera kanë parë suksesin.
“Mjafton të keni vetëm njëherë të drejtë, pavarësisht dështimeve që përballeni. Një sukses mund të ndryshojë gjithçka. Prandaj këmbëngulja është cilësia kryesore që iu duhet pasi të largoheni nga këtu”, u shpreh ai.
Për të rinjtë që duan të hyjnë në rrugën e biznesit, Zhulali tha se do të kenë shumë momente dyshimi, moskuptimi, braktisjeje nga miqtë dhe familja.
“Mos i kushtoni rëndësi zhurmës rreth jush. Jini të fokusuar në vizionin, misionin dhe qëllimin tuaj. Kjo qartësi do të jetë drita juaj drejt realizimit.”
***
Siç është kthyer tashmë traditë e ceremonive të diplomimit në UET, pesë student ekselentë, përfaqësues të pesë fakulteteve të universitetit, thanë fjalën e tyre dhe ndanë diçka nga vetja, duke treguar se ekselenca nuk qëndron aq te arritjet akademike, sesa te mirënjohja dhe kutpimi që tashmë ata i japin jetës dhe së ardhmes.
Dekanet më tej përgëzuan studentët e sapodiplomuar dhe thirrën emrin e secilit për t’u ngjitur në skenë në momentin e tyre final, e njëkohësisht të shkëputjes nga të qenit student universiteti.
Mbyllja erdhi me hedhjen e kapelave në ajër, simbolika që emocionon dhe i kujton çdo të riu se liria është e pakufizuar: gjendet gjithmonë në vullnetin për të vepruar dhe guximin për të shpresuar.