Botimi i ri i UET Press/ “Antikultura e ’68-s në Shqipëri”, studiuesi Albert Nikolla: Po ta kuptonte rinia forcën e vet do të bënte hatanë
E premtja i përket librit në UET. Kthyer tashmë në traditë, kjo javë solli promovimin e librit më të ri të UET Press, me autor studiuesin Albert Nikolla. “Antikultura e ’68-s në Shqipëri” është një qëmtim në ngjarjet e 1968, të asaj se çfarë ndodhi në ShBA dhe Europë, për t’u reflektuar në disa elementë të përditshëmrisë së shqiptarëve.
Një manastir katolik i mbyllur, gati në degradim të plotë, në Trento të Italisë do të bëhej shkak i nisjes së një hulumtimi të gjatë, i cili u finalizua me botimin e librit “Antikultura e 68-s në Shqipëri”. Ishin vitet ’97-2001 kur autori po ndiqte studimet e lartë në Padova. Gjatë një kursi në Universitetin e Trentos, ai zhvilloi një vizitë në qytetin historik të rrethuar nga malet dhe u ndesh me manastirin e shkatërruar nga studentët në vitin 1968. Kjo ngjarje i shkaktoi ngacmim. Duke gërmuar mes historish zbuloi një sërë zhvillimiesh, që kishin të përbashkët vetëm vitin 1968: 8 studentë ishin vrarë në Beograd; në Shkup për herë të parë ishte marrë leje nga qeveria jugosllave për të përdorur simbolet kombëtare shqiptare; në Prishtinë ishte futur termi universitet. Po në Shqipëri komuniste, çfarë kishte ndodhur?
Nëpërmjet intervistave të ish-burgosurve të Spaçit, njerëzve të njohur që kishin jetuar në atë periudhë, studimit të leteraturës, studiuesi Albert Nikolla hasi në disa evidenca shumë interesante, që i dëshmuan se edhe Shqipëria ishte prekur nga lëvizja botërore e ’68-ës. Në librin e tij me pesë kapituj, Nikolla e “shëtit” lexuesin në një periudhë të rëndësishme historike, duke e dërguar në ShBA, Amerikë Latine, Europë Perëndimore e atë Lindore. Ai sjell një tablo të qartë në Francë (i pagëzuar edhe si maji francez, në Britani, Gjermani, Itali, Çekosllovaki (e njohur ndryshe edhe si Pranvera e Pragës) e deri te vendet e Ballkanit, ish-Jugosllavisë, Serbi, Maqedoni e Kosovë.
Së fundi ai kthehet në Shqipëri ku vë re se kishte pasur disa iniciativa të filluara nga vete Enver Hoxha, për të cilin autori thotë se do të përdorte metodën e “kulaçit dhe kërbaçit”. Nga njëra anë krijoi përshtypjen se do të ketë më shumë liri në të gjitha hapësirat e jetës, sidomos në art. Përshtypje që u keqkuptua nga mjaft artistë mendjehapur dhe vullnetmirë, ndërsa kulmi i keqkuptimit arriti me vënien në skenë të Festivalit të 11-të në RTSH.
Jo vetëm festivali, por edhe shumë dinamika të tjera, sidomos mënyra e veshjes që imitonte modën përgjatë atyre viteve, krijuan përshtypjen se hapja që u bë ishte pa kthim. Me të parë reagimin e njerëzve nga dehja prej lirisë, do të pasonin dy ngjarje dramatike që vulosën izolimin më të madh vendit: Plenumi IV pas Festivalit të 11-të të Këngës në RTSH dhe revolta në burgun e Spaçit në maj të vitit 1973.
“Ju rrëfej se është punë shumë e kufizuar. Kjo periudhë ka dinamika pafund për të studiuar. Dikush mund të marrë romanet, dikush poezitë, dikush kinematografinë e asaj kohe. Dikush mund të bëjë studime vetëm për parullat si në Francë. Vetëm një element i caktuar mund të bëhet një libër më vete”, do të shprehej autori gjatë promovimit.
Në fjalën e saj kryetarja e Akademisë së Studimeve Shqiptare, Nevila Nika falënderoi autorin për sjelljen në kujtesë të atyre ditëve dhe e cilësoi librin një ndihmesë për të parë se në çfarë rruge u kalua.
“Disa mund të thonë se ishin ditë të bukur se ishim të rinj, por jo: ishte e bukur se ishte një gjë e ndaluar që provonim ta bënim. Pas Pleniumeve mbrëmjet i kemi bërë fshehurazi. Mblidheshim fshehurazi në shtëpinë e profesorit Kristo Frashërit dhe kërcenim. Të gjitha këto, urinë tonë, pamundësinë tonë, i kemi reflektuar pas ’91-it”, u shpreh Nika.
Drejtuesja e shtëpisë botuese UET Press, Suadela Balliu tha se autori rreshtohet mes atyre studiuesve që e shohin këtë lëvizje të nisur më 1968-n me ndikim të madh nga Revolucioni Kulturor Kinez, që jehon deri në mes të viteve ’70. “Të rinjtë dhe klasat punëtore nga të dy Blloqet – Perëndimi dhe Lindja – të përfshirë në këto lëvizje duket sikur kërkojnë në thelb të njëjtat gjëra, por kundër sistemeve të ndryshme.”
Një libër unik në zhanrin e tij do ta cilësonte pedagogu Florian Çullhaj botimin e studiuesit Nikolla, i cili ndërthur lokalen me universalen duke treguar se si lëvizja antikulturore në Shqipëri u ndikua nga rryma më të gjera revolucionare.
“Një nga pikat më të forta të librit qëndron në qasjen ndërdisiplinore. Autori nuk kufizohet në një analizë të rreptë antropologjike. Në vend të kësaj ai fokusohet në aspektë historikë të lëvizjes, duke shqyrtuar se si moda, muzika, arti dhe jeta e përditshme u ndikuan nga kjo periudhë. Ai ofron njohuri si të rinjtë shqiptarë edhe nën represionin shtetëror adoptuan tendenca të reja të rebelimit duke sfiduar status quonë”, u shpreh Çullhaj.
Libri vjen edhe me përfundimet e këtij studimi që ka për qëllim të evidentojë nëse ka pasur një ’68 shqiptare, si dhe me një shtojcë që përfshin pjesë nga dosja e burgut të Spaçit dhe pjesë nga dosjet formulare të Sherif Merdanit dhe Pal Zefit.
Në mbyllje të promovimit, autori përcolli mesazhin e librit “Antikultura e ’68-s në Shqipëri” për studentët dhe të rinjtë: “Rinia ka një forcë që nuk e kupton, se po ta kuptonte do të bënte hatara, në kuptimin pozitiv”.