UET, shumë stacione bashkëpunimi me Kadarenë në 15 vjet
*Foto e realizuar nga Hameraldi Agolli, prill 2024
Emri i tij ka shoqëruar shumë etapa të rritjes së UET. Nga Çmimi Letrar Kadare, te bursat studentore me emrin e tij e librat studimorë mbi opusin letrar të shkrimtarit shqiptar me famë botërore…Ndërsa ai do të mbetet i përjetshëm përmes veprës që la pas, UET do të vijojë ta kujtojë por edhe të çojë përpara nismën për promovimin e prozës shqipe, që mori bekimin e vetë Ismail Kadaresë
Propozimin do ta merrte fillimisht në Paris, në kafenenë e dashur që ishte kthyer për të në një studio pune. Aty shkruante, aty meditonte, aty përhumbej mes dialogëve imagjinarë e personazheve shekullore, e aty takonte miq e priste biseda serioze. Nëse ky çmim është në të mirë të letërsisë shqipe, atëherë e keni bekimin për të përdorur emrin tim, do t’i pohonte Ismail Kadare botuesit të UET Press kur u takuan sërish në Shqipëri, duke firmosur kështu më 2014-n lindjen e këtij institucioni të vlerësimit të prozës letrare; Çmimin Letrar Kadare.
Nga Rudolf Marku në vitin 2015, te Virgjil Muçi, Musa Ramadani, Gani Mehmetaj e Vera Bekteshi, emra të njohur janë nderuar përgjatë viteve për krijimtarinë e tyre, për të shkruarit në prozë dhe të shkruarit shqip. Vitet e fundit, ky çmim është orientuar ndaj të rinjve të talentuar, për t’i nxitur të mbajnë gjallë letërsinë shqipe. Në edicionin e dhjetë të këtij çmimi, fitues u shpall autori i ri Dionis Prifti me veprën “Dy javë nën balonë”, me një subjekt distopik, imagjinar, që rrekej të zbulonte natyrën e njerëzore në përballjen e saj me fenomenet e jashtëzakonshme.
Jo vetëm pranë shkrimtarëve, por edhe pranë studentëve. Kadare ka qenë i pranishëm gjatë edukimit dhe zhvillimit të dhjetëra brezave që kanë kaluar në auditorët e Universitetit Europian të Tiranës, por sidomos të atyre që kanë qenë pjesë e shkencave humane dhe kanë pasur pasion letërsinë. Pasione që janë rritur e njohuri që janë shtuar gjatë forumeve e takimeve të Klubit Letrar Kadare, një tjetër risi e UET, që i dha studentit agorën e tij të debatit, diskutimit, krahasimit, rrëfimit, përzgjedhjes e ndarjes me njëri-tjetrin. Në këtë klub letrar janë ftuar autorë si Blendi Fevziu, Preç Zogaj, apo shkrimtari dhe publicisti i njohur egjiptian Mohamed Salmawy, ku në bashkëbisedime të gjata me studentët kanë rrëfyer letërsinë, librat, pasionet, autorët e inspirimet e tyre. Shkrimtari do të prekte auditorët e universitetit disa herë; fillimisht në promovimin e veprës së tij të plotë në ambientet e UET, e një vit më vonë në 2010, do të rikthehej për një bashkëbisedim me pedagogët e studentët.
Kadare u bë gjithashtu, pjesë e një tjetër ngjarje të madhe të Universitetit Europian të Tiranës. Në 2018-n institucioni pati strukturimin dhe zgjerimin e tij më të madh, duke u kthyer në një universitet polivalent, që iu përgjigjej më së miri kërkesave të tregut të punës. Fakulteti i Shkencave Sociale u rithemelua, duke u quajtur Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, i cili përfshinte tashmë një departament të ri dedikuar fushës së artit. Shkrimtari do ta përgëzonte këtë nismë, për të mos lënë në zhdukje dhe harresë shkencat humane, prej të cilave na vijnë dhe dijet më të thella e më të lashta njerëzore.
“Në këtë botën e sotme ku është bërë e modës të thuhet se nuk lexohet libri si më parë, rrjedhimisht nuk çmohet letërsia si më parë, rrjedhimisht nuk luan rol letërsia si më parë, akoma më rrjedhimisht nuk adhurohet si më parë, nuk ka një lloj hymnizimi të saj, hymnizimet nuk janë kurrë të mira por ndonjëherë janë të dobishme kur është fjala për artet. Mua më bëhet qejfi se unë jam njeri i letrave, njeri i arteve dhe në mënyrë instiktive, më pëlqen të besoj që kjo nuk është e vërtetë. Që njerëzit do ta duan gjithmonë, e kanë dashur artin, letërsinë dhe do ta duan gjithmonë qofshin me një ndërtim akademik të brendshëm, qofshin me një shpirtësi, një gjë qiellore, një gjë që gjithmonë ka nevojë njeriu të ketë përtej jetës së përditshme.”
Për të tërhequr të rinjtë drejt fushës së humaniteteve, UET do të hidhte një hap më madhor. Po atë vit, do të akordonte “Bursat Kadare”, sërish me aprovimin e shkrimtarit, për të nxitur të rinjtë të studionin në ato që cilësoheshin degë sokratike, dhe si një mënyrë për të nxitur interesin për artet, letërsinë, historinë, gjuhësinë, studimet religjioze etj. Një sfidë në atë kohë për universitetin, i nxitur nga dëshira për të kontribuar ndaj këtyre shkencave të zhvillimit të shoqërisë njerëzore.
Enti botues i Universitetit Europian të Tiranës, UET Press, ka dhënë gjithashtu një kontribut të çmuar, jo vetëm duke botuar dorëshkrimet e fituesve të Çmimit Kadare, por duke sjellë studime e botime që kanë shpërfaqur dimensione të reja të krijimtarisë dhe figurës së shkrimtarit.
Të tillë kanë qenë librat e gazetarit Dashnor Kaloçi. “Kadare i denoncuara” në 2015 dhe “Kadare në 101 dokumente të Pallatit të ëndrrave”, botuar një vit më pas, kanë sjellë dokumente të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, të klasifikuara “Tepër sekret”, procesverbale të mbledhjeve të Lidhjes së Shkrimtarëve, analiza, kritika, dëshmi, raporte, akuza e denoncime ndaj shkrimtarit. Këto botime rihapën edhe njëherë debatin sensitiv, të mprehtë, të hapjes së dosjes së diktaturës, por edhe debatit nëse Kadare ishte apo jo disident i regjimit të asaj kohe.
Në mes të këtij zjarri, UET PRESS do të shkonte edhe më tej, duke i drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme një kërkesë për vënien në dispozicion të dokumenteve arkivore në lidhje me dokumentin e 1975, zbuluar në libër, ku paraqitej deponimi i Fatos Lubonjës.
Botime të tjera për studimin e veprës së Kadaresë kanë ardhur më vonë. Në ditëlindjen e 80-të shkrimtarit, në atë që u cilësua si “Dita e Kadaresë” e ndjekur me një sërë aktivitetesh në të gjithë vendin, do të promovohej libri “Kadare në letrat e sotme franceze”, me autore Viola Isufaj, me raportime dhe analiza të shtypit francez, si dhe me intervista të autores me shkrimtarin.
Në 2021 studiuesi Ballsor Hoxha do të botonte “Leximet e Pafundme të Kadaresë”, mbi interpretimet e shumëfishta të veprës së shkrimtarit. Vetë kritiku letrar do të rrëfente se këtë libër e shkroi në një moment revolte, jo vetëm ndaj obsesionit që kemi për ta parë Kadarenë duke fituar një “Nobel”, por edhe një revoltë ndaj ‘akademikes’ që përpiqet të përkufizojë artin.
I fundit botim dedikuar Kadaresë erdhi nga gazetarja Eni Vasili, në 88-vjetorin e lindjes së shkrimtarit. “Intervistë me Kadarenë” solli edhe një herë në vëmendje, por dhe në duart e lexuesve, katër intervista të realizuara përgjatë 20 viteve, me deklarime, zbulime, kundërpërgjigje e rrëfime të shkrimtarit, në momente të ndryshme të jetës së tij.
UET dhe UET Press do të sjellin gjithashtu në vjeshtë një Album për Kadarenë, me fotografi, skica, piktura e karikatura, gjithçka që ekziston vizualisht për të, e konkretizuar në një trashëgimi. I planifikuar për vitin e 88-të të jetës së shkrimtarit, ky album tashmë do të jetë edhe një homazh që i bëhet një figure, ndër ato të rrallat dhe kuptimplotat që ka nxjerrë kombi ynë.
Për Kadarenë, vdekja do të jetë vetëm një mungesë fizike. Ai ishte mësuar me të, jetonte me të, shkruante për të. Në një ndër intervistat me Vasilin, do të rrëfente se shkrimtarët nuk i tremb vdekja, sepse vetë letërsia është një art që një pjesë të trupit të saj e ka në vdekje, apo në mosjetë siç ai preferonte ta quante.
“….te krijuesi bashkohet edhe ideja tjetër që është më i qetë shpirtërisht si njeriu që i ka mbyllur shumë llogari me jetën. Është më i qetë që shkon nga kjo botë duke e kryer atë që ka dashur të bëjë dhe njeriu tjetër që nuk e ka kryer, janë me miliona, shkon me pengje të mëdha të natyrave më të ndryshme. Me sa duket te shkrimtari, meqë letërsia është jetëgjatë, është natyrale kjo ndjenjë. Ata kanë një raport me vdekjen të relativizuar, të zbehur. Kanë bindjen donkishoteske që do të jetojnë shumë vite; unë jam një nga ata, donkishoteskë ose jo, e kam këtë besim, që vepra do të jetojë një kohë, nuk e di sa.”