Tregu i Punës shkon në UET/ 100 biznese paraqesin ofertën para studentëve
Rreth 100 biznese morën pjesë në Panairin e Punës 2022. Organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës dhe Kolegji Profesional i Tiranës. Si një traditë që vijon prej 12 vitesh, studentët kanë mundësi të njihen me tregun e punës. Krijimi i kontaktve për praktika profesionale dhe punësim, ndërsa UET përkthen nevojat e reja e tregut në kurrikula akademike
Përballja me tregun e punës, për dikë që sapo ka dalë nga auditorët e universitetit nuk është qëllon të jetë gjithmonë intimiduese apo tronditëse. Studentët e Universitetit Europian të Tiranës, që në vitet e ciklit Bachelor kanë mundësinë ta njohin tregun e vërtetë të punës, pa dalë nga godina e institucionit. Panairi i Punës, i cili shënoi edicionin e tij të 12-të në UET, solli para të rinjve njëqind biznese, që paraqitën ofertën e tyre. Ky aktivitet, i kthyer tashmë në traditë dhe një pikë të fortë lidhjeje të botës akademike me atë të biznesit, iu mundëson të rinjve të marrin informacion dhe të krijojnë kontakte me kompani, operatorë dhe institucione të ndryshme për kryerjen e praktikave profesionale dhe për mundësi punësimi. Përvoja e gjatë e këtij panairi të punës ka shënuar qindra raste suksesi, ku studentë të sapodiplomuar kanë gjetur punë gjatë ditëve kur është zhvilluar ai, në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës.
“Bashkëpunimi me industrinë për ne është thelbësor, për të garantuar këtë tranzicion të të rinjve, për t’iu bashkuar kësaj bote sfiduese të tregut të punës”, do të shprehej presidenti i UET, Selami Xhepa në ceremoninë e çeljes së Panairit të Punës 2022, mëngjesin e së mërkurës.
Ky vit akademik në Universitetin Europian të Tiranës pret të diplomojë 850 studentë, në profile të ndryshme në Ekonomi, Drejtësi, Shkenca Politike, Marrëdhënie Ndërkombëtare, Shkenca Humane, Edukim dhe Arte Liberale , Shkenca Mjekësore ,si edhe Informatikë, Inxhinieri dhe Arkitekturë, që përbëjnë edhe shtyllat e pesë fakulteteve të këtij universiteti.
“Po jetojmë në realitete sfiduese dhe të vështira”, vijoi presidenti i UET. Ai theksoi natyrën kapricioze të tregut të punës, viteve të fundit, si nga perspektiva e punëmarrësve, por edhe ajo e punëdhënësve.
“Që ta bëjmë procesin e përshtatjes të suksesshëm, duhet të kërkojmë modifikime reciproke nga të dyja palët. Nëse duam ta bëjmë martesën e industrisë me botën e dijës një martesë të suksesshme duhet që të dyja palët të ndryshojnë paksa nga sjelljet e tyre të deritanishme”, tha më tej profesor Xhepa.
Ai vuri në dukje se tregu aktual i punës nuk i përket më brezit të ashtuquajtur Millenials, por atij Zoom. “Dhe ky brez ka sjellje e siklete të tjera”, tha ai.
“Shumë kanë ndryshuar por diçka nuk do të ndryshojë; sjellja njerëzore dhe nevoja për t’i dhënë zgjidhje problemave të reja e të vjetra dhe kjo mund të realizohet vetëm nga njerëzit e dijes”, ishte mesazhi i mëtejshëm i presidentit të Universitetit Europian të Tiranës. Ai e ftoi biznesin për bashkëpunim, në mënyrë që procesi i integrimit të plotë në tregun e punës të jetë me kosto të ulëta për industrinë dhe me më pak dhimbje për studentët dhe familjet e tyre.
I pranishëm në këtë panair, ashtu si edhe në edicione të mëparshme, ishte edhe Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Dega Tiranë.
Jaka e cilësoi Panairin e Punës, organziuar nga Univeristeti Europian i Tiranës dhe Kolegji Profesional i Tiranës, si një aktivitet që u jep shpresë studentëve.
Jaka foli edhe për rëndësinë e koordinimit dhe kombinimit të kërkesës me ofertën. Ai theksoi edhe bashkëpunimin e gjatë të UET me Dhomën e Tregtisë dhe të Industrisë, Dega Tiranë.
“Jemi vërtet në kohën e teknologjisë së lartë, të Zoom-it dhe komunikimit elektronik, por çfarë kërkon sipërmarrja dhe zhvillimi ekonomik është zgjidhja. Çelësi ekziston te zgjidhja dhe mënyra sesi u japim zgjidhje problematikave dhe çështjeve të ndryshme”, nënvizoi zoti Jaka.
Ai theksoi rolin e të të diplomuarve në zhvillimin e ekonomisë së vendit, për ta kthyer atë “të qëndrueshme, të përballueshme, të përshtatshme dhe të krahasueshme me ekonomitë e vendeve të BE-së”.
Për këtë, vijoi më tej Jaka, kërkohet kualifikim, dije dhe trajnim të vazhdueshëm.
“Kemi një problem të vogël që nuk po i japim dot zgjidhje, ku sipërmarrja deklaron se nuk ka kapital human e profesional dhe nga ana tjetër ju jeni ata që ngrini zërin dhe deklaroni se nuk ka mundësi punësimi”, iu drejtua ai të rinjve që u interesuan për të kuptuar më nga afër nevojën e tregut për punësim. Jaka tha se bota akademike dhe universitare vazhdon të harmonizojë kërkesën me ofertën, “pa ngushtuar prirjet e secilit”, tha ai. Ai iu drejtua të rinjve me një mesazh, duke thënë: “Nuk duhet të hiqni dorë asnjëherë nga shpirti i sipërmarrësit. Edhe brenda një kompanie të madhe apo të vogël ku jeni, duhet të keni iniciativa individuale, qoftë në kuadër të aktiviteti të kompanisë apo në kuadër të iniciativës personale që e bën më të qëndrueshme në radhë të parë, dijen, kualifikimin, por edhe ekonominë tuaj”, përfundoi fjalën e tij kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë.
Panairin e përshëndeti edhe rektori i Kolegjit Profesional të Tiranës, që ishte bashkë-organizator i këtij edicioni, Luan Karçanaj.
“Studentët tanë, të diplomuarit tanë janë kontingjent për biznesin”, tha zoti Karçanaj. Kolegji Profesional i Tiranës, i njohur si KPT është institucion i arsimit të lartë, që përgatit profesionistë me aftësi praktike, që siç theksoi rektori i nevojiten tregut të punës. Madje shtoi ai, tregu i punës ka mungesa të këtyre profesionistëve.
“Që kur u themeluar Kolegji Profesional i Tiranës, kurrikula e programeve tona të shumta me natyrë inxhinierike i është nënshtruar gjykimit jo vetëm të specialistëve të fushës, por edhe të përfaqësuesve të biznesit, në mënyrë që ne t’i përshtatnim kërkesat me lëndët e ndryshme”, u shpreh rektori Karçanaj. Ai shprehu vullnetin për intensifikimin e marrëdhënieve arsim i lartë me biznesin, për të krijuar projekte të përbashkëta që zgjidhin problemet e biznesit dhe nevojave të tij.
Administratori i Universitetit Europian të Tiranës, Tildi Çadri, vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit të universitetit me botën e biznesit, si në praktikat profesionale ashtu edhe në bordet e punës, të cilat ndihmojnë në njohjen e dinamikave, zhvillimeve dhe kërkesave të reja që tregu ka për specialistë.
Çadri e cilësoi Panairin e Punës si një gurthemel për studentët që njihen me tregun, ashtu edhe për bizneset që reklamojnë. “Një lloj simbioze e vazhdueshme, një hapësirë që nuk duam ta mbajmë vetëm në këto lloj eventesh të shkëputura”. Ai tha se Universiteti Europian i Tiranës e ka tashmë të konsoliduar pozicionin si një universitet lider në botën e biznesit.
“Inputi dhe bashkëpunim i ndërsjellë është kryefjala e këtij eventi”, tha më tej Çadri.
Ai foli edhe rreth projektit “500+” që UET ka nisur të zbatojë, që e bën këtë institucion të arsimit të lartë të jetë në kontakt dhe bashkëpunim me më shumë se 500 biznese nga e gjithë Shqipëria, që u vjen në ndihmë studentëve për praktika profesionale dhe punësim.
Po ashtu, Çadri zbuloi iniciativën e re të universitetit, “UET Punëso!”. Vizioni i Universitetit Europian të Tiraës, tha në fund ai, është në rritjen e e cilësisë së programeve të studimit që të përshtaten me kërkesat e bizneseve, por edhe rritjen e cilësisë së studentëve që të jenë punonjës sa më të denjë e të aftësohen sa më shpejt në biznese”.
Një prej shtyllave të UET mbetet ndërkombëtarizimi, si certifikimi i cilësisë ashtu edhe oferta akademike në gjuhë të huaj, që e përgatit studentin për një treg edhe më të gjerë se ai lokal.
Tag:biznese, oferta studentore, tregu i punes, uet