“Polis” revista shkencore që u themelua me UET, boton numrin e njëzetë
Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në Universitetin Europian të Tiranës organizoi promovimin e revistë shkencore Polis 20 me temë “(Re)Reforming Education”. Numri jubile i këtij edicioni, është numri i parë që i dedikohet plotësisht edukimit dhe reformave në arsim.
Revista Polis është revista e parë shkencore e hapur që në muajt e parë të themelimit të Universitetit Europian të Tiranës. Numri i parë i Polis doli në vitin 2006 dhe për 10 vjet botoi në shqip kërkime të reja mbi rajonin e Ballkanit Perëndimor. Që nga viti 2017 Polis boton artikuj në anglisht vetëm duke mbuluar një gamë të larmishme këndvështrimesh teorike dhe metodologjike në fushën e shkencave sociale dhe humane të përcaktuara gjerësisht.
Në pesëmbëdhjetë vite vazhdimësi të kësaj reviste shkencore, me pesë kryeredaktorë të ndryshëm ndër vite, ka trajtuar tematika në fushën e shkencave humane dhe sociale për kërkimin shkencor cilësor. Revista ka një interes të madh në fushat e shkencave politike, historisë, ligjit, marrëdhënieve ndërkombëtare, çështjet shoqërore, sociale, kulturore, komunikimit dhe politikave publike.
Prof. Asoc. Dr. Belina Budini, Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale dhe Kryeredaktore e revistës Polis u shpreh se “ky numër i njëzetë, jubile, është domethënës për vazhdimësinë e kësaj reviste shkencore, e cila ia ka kaluar edhe viteve të themelimit të vetë universitetit, pesëmbëdhjetë vite duke botuar më shumë se një numër në vit. Gjithashtu ky është numri i pestë radhazi në gjuhën angleze me botime nga autorë shqiptar dhe të huaj”. Polis inkurajon studiuesit e rinj dhe kandidatët për doktoraturë në fazën e vonshme që të paraqesin artikuj për botim.
Prof. Dr. Drita Kruja theksoi revistën “Polis” si revistën shkencore më të vjetër të universitetit dhe me arritjet më të mëdha “arritjet më të mëdha të kësaj reviste janë indeksimet, në kuadër të kërkesës për indeksim dhe shpresojmë që në ardhmen kjo revistë të rankohet”. Zv. Rektorja e procesit akademik dhe kërkimit shkencor gjithashtu përmendi risinë që UET ka sjell për revistat e tij shkencore siç është website i këtyre revistave me të gjithë numrat, artikujt dhe një bord editorial mjaft prestigjoz me emra të njohur vendas dhe të huaj.
Znj. Mirela Muça, Drejtore e AKKSHI ndau në këtë promovim lajmin e ri rreth programit më të ri “Agjensia Kombëtare për Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit krahas programeve të veta për mbështetjen e kërkimit shkencor ka iniciuar një program për mbështetjen e revistave të kërkimit shkencor”. AKKSHI kontribuon në krijimin e infrastrukturës dhe instrumenteve të përshtatshme që zbatojnë politikat e kërkimit dhe zhvillimit në Shqipëri, duke promovuar aktivitete dhe sipërmarrje që zhvillojnë shkencën, teknologjinë dhe inovacionin dhe duke luajtur një rol lider në krijimin e kulturës së kërkimit shkencor. Ky projekt do të kontriubojë dhe motivojë në vazhdimësinë e kërkimeve dhe botimeve të revistave shkencore.
Përgjegjësi i Departamentit të Psikologjisë, Edukimit dhe Sporteve, Prof. Asoc. Dr. Edi Puka theksoi rëndësinë e përzgjedhjes së tematikës së këtij numri të revistës Polis “reformat në arsimin Shqiptar, reforma bën të mundur zhvillimin dhe ecurinë e çdo procesi”. Ai gjithashtu veçoi një tjetër risi të këtij botimi siç ishte edhe përfshirja e artikujve kërkimor nga pegagogët e sporteve në Universitetin Europian të Tiranës, risi prej eksperiencës dhe moshës së re që kanë.
Revistat shkencore të UET botohen dy herë në vit. Botimet janë: në gjuhën angleze, aplikojnë procesin ‘blind peer review’ dhe përmbushin standarde të mirëcaktuara strukturore.