Botohet numri i ri i revistës së Fakultetit të Ekonomisë në UET: “Agriculture… is Back!”
Fakulteti i Ekonomisë në UET promovoi numrin e ri të revistën shkencore “Economicus 20”, titulluar “Agriculture… is Back!”
“I vetmi kapital i vërtetë që kurrë nuk amortizohet, por vetëm shumëfishohet është toka”, kështu u shpreh presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Selami Xhepa, teksa citoi një doktrinë ekonomike të fiziokratëve francezë.
“Sipas tyre, çdo kapital tjetër fizik konsumohet, amortizohet, ndërsa e vetmja që është produktive në ekonomi mbetet bujqësia”, tha Xhepa në promovimin e numrit të njëzetë të revistës “Economicus”, titulluar “Agriculture… is Back!.
“Agriculture is here”, – tha Xhepa -“por po vjen mbrapa me një filozofi të re, dhe shpresoj që të gjithë ata që kontribuojnë në këtë sektor të kenë mundësi, të lenë gjurmët e tyre”.
Ky numër i ri i revistës, kushtuar një sektori shumë të rëndësishëm në ekonominë e vendit, si ai i bujqësisë dhe blegtorisë erdhi jo rastësisht, por e mori indicien nga “Shkolla e Biznesit UET”, e cila organizoi më herët edhe një takim në Dardhë të Korçës, me po këtë temë “Bujqësia është rikthyer”.
“Në fillim ishim pak skeptikë, por u mahnita shumë kur pashë që interesi i të rinjve ishte i jashtëzakonshëm. Ata ishin mjaft aktivë dhe kishin shumë interes për këtë temë që duket arkaike, por që në të vërtetë është mjaft moderne”, theksoi presidenti Xhepa.
Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit në UET, Elvin Meka në prezantimin që i bëri numrit të ri të revistës tha se, ky është një numër intrigues, për shkak të temës që ka.
Por gjithashtu ai tregoi se edhe tema të tjera mjaft interesante do të gjenden brenda revistës “Economicus 20”, e cila vjen nën logon e shtëpisë botuese UET Press.
“Është një datë e veçantë, pasi për herë të parë botimi i revistës i kalon Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit. Këtë herë ne kemi përgjegjësi dhe detyrë për të prodhuar këtë revistë me kompetencën e duhur. Kjo na bën më shumë aktivë, por njëkohësisht dhe me përgjegjësi më të madhe”, theksoi Dekani Meka.
Rexhep Uka: Edhe pas 30 vitesh, në Shqipëri ende nuk dimë ç’duhet të prodhojmë
Ish zv/kryeministri dhe ministri i parë i Bujqësisë pas vitit ’90, Rexhep Uka ishte i pranishëm në promovimin e këtij numri të ri të revistës “Economicus”, si një personazh me përvojë në këtë fushë.
“Ajo që ve re në UET, është klasi i lartë. Është një nivel për t’u admiruar. Më bëhet shumë qejfi që në këtë revistë ka një kapitull shumë të veçantë, për të cilin pretendoj që është sektori që unë njoh më mirë nga të gjithë.”, u shpreh Uka.
Ndërsa ndër mend i erdhi takimi i tij më i fundit mes ish-ministrash dhe specialistësh në fushën e agrikulturës.
“Bëmë një analizë për blegtorinë dhe bujqësinë, dhe vumë re një krizë shumë të madhe. Ende nuk është gjetur një përgjigje se, cili është faktori që ndikon”, tha ish-ministri i Bujqësisë, duke shtuar se, – “gjithmonë ka një hallkë kryesore”, dhe sipas mendimit të tij, – “për këto probleme më mirë se ekonomistët, askush tjetër nuk mund ta thotë fjalën”.
Uka e konsideron bujqësinë si një “çështje burrash” dhe jo dosido, por burrash të fortë.
“Sipërmarrja për të bërë një fermë bujqësore është jashtëzakonisht e vështirë dhe produkti bujqësor është jetik”, u shpreh ai më tej.
Ndërsa duke rrëfyer një bisedë me ish-presidentin turk, Turgut Ozal rreth asaj se çfarë mund të prodhohet në Shqipëri, tha se edhe sot pas 30 vitesh pluralizëm, shqiptarët ende nuk e kanë përcaktuar se çfarë mund të prodhojnë, pra ku mund të përqëndrohet ekonomia e vendit tonë.
Drita Kruja: Punimet shkencore t’i përfshijmë në silabuse, për të rritur cilësinë e mësimdhënies
Nga ana tjetër, zëvendësrektorja për Procesin Mësimor dhe Kërkimin Shkencor, Drita Kruja falenderoi profesor Selami Xhepën, i cili është edhe editori i revistës shkencore kushtuar ekonomisë.
“Ne po përgatisim indikatorë të matjes së performancës së kërkimit shkencor dhe tashmë vlerësimi me pikë, bashkuar me grantet kërkimore, do bëjë që secili prej jush të ketë interes për botime shkencore”, iu drejtua profesoreshë Drita Kruja, kolegëve të pranishëm në promovimin e “Agriculture… is Back!”.
Ndërsa këshilla e saj për stafin akademik ishte që të gjitha punimet të bëhen pjesë e silabuseve, në mënyrë që të rritet cilësia e mësimdhënies në auditorë.
Kruja rrëfeu se në revistë do të gjendjen gjithashtu edhe katër punimet më të mira të studentëve te masterit me bashkëautorë udhëheqësit e tyre.