Department’s Book Review në UET/ Xharo ngjall debat me “Paradigma e Sigurisë”: Kemi nevojë për specialistë të fushës
Department’s Book Review në UET/ Xharo ngjall debat me “Paradigma e Sigurisë”: Kemi nevojë për specialistë të fushës
Eksperti i Sigurisë, Kristaq Xharo promovon librin e tij më të ri “Paradigma e Sigurisë”, një botim nga UET Press
Kristaq Xharo, ekspert në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe marrëdhënieve ndërkombëtare sjell “Paradigma e Sigurisë”, një libër i ri nga shtëpia botuese UET Press, jo vetëm për studentët, por për të gjithë mjedisin shqiptar, duke ngjallur diskutime dhe refleksione.
“Paradigma e Sigurisë” vjen si një prodhim i Ditëve të Studimeve Shqiptare, konferenca më e rëndësishme e Universiteti Europian të Tiranës e cila ka si synim ndarjen e eksperiencave, ideve dhe më pas reflektimin rreth temave të caktuara.
Zëvendësrektorja për Procesin Mësimor dhe Kërkimin Shkencor, Drita Kruja tha se profesor Xharo ka sjellë një përmbledhje të punimeve nga viti 2015-2020 me reflektime të gjithë diskutimeve dhe ideve që janë ndarë në DSSH.
“Këto punime nuk janë më ato punime fillestare, në ditën e prezantimit në konferencë, por janë reflektime të gjithë atyre diskutimeve dhe ideve që janë ndarë në DSSH. Them që ky është një fillim shumë i mbarë, dhe kjo duhet të ndiqet nga të gjithë ne. Është diçka shumë e mirë dhe për silabusin tonë, pasi duhet t’u referojmë edhe punime të UET studentëve”, u shpreh ajo.
Me një karrierë të pasur në mësimdhënie në fushën e sigurisë e mbrojtjes, si dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Prof. Dr. Kristaq Xharo tha se, UET është i vetmi institucion në Shqipëri, i cili trajton kurrikula të sigurisë në të treja nivelet e studimit.
“Sensibilizimi akademik dhe debati është në një nivel të tillë që duhet të kapërcejë muret e universitetit”, u shpreh pedagogu i UET, duke sugjeruar që të ketë një lidhje të ngushtë mes institucioneve dhe akdemikes.
“Diku në libër kam përmendur që janë zyrtarisht rreth 35 mijë persona që punojnë në territorin e sigurisë. Të gjithë këta kanë nevojë patjetër për specialistë për t’i orientuar për fushën”, vijoi më tej.
Ndërsa profesor Fatos Tarifa i sugjeroi kolegut Xharo që kontributin e dhënë në teori për çështjet e sigurisë mund t’ua sugjeroje edhe organeve më të larta të shtetit.
Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Sociale të Aplikuara, Ervis Iljazaj theksoi rëndësinë e pakët që ka siguria njerëzore për shtetin shqiptar.
“Ajo që konstatoj është që shteti shqiptar merret me art, sport, kulturë që ndoshta nuk janë as detyra e tij, por janë çështje të shoqërisë dhe me sigurinë njerëzore, që është çështja ekskluzive se për çfarë ekziston sipas konstatimit tuaj të librit merret pak ose aspak fare dhe kjo është një kontradiktë e madhe për sa i përket shtetit shqiptar”, u shpreh Ilazaj në takimin e Department’s Book Review.
Libri me parathënie të pedagogut të UET, Blendi Lami vjen si një botim i përfshirë në kolanën “Ese, ide, debate” të botimeve UET Press.
Bashkëbisedim me Fakultetin e Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare mbi librin “Paradigma e Sigurisë”
Suela Mino: Sot mblidhemi për të diskutuar botimin e fundit të profesor Kristaq Xharo, “Paradigma e Sigurisë”, që është një vlerë e shtuar në kolanën e botimeve UET Press, pasi sjell kontributin e një pedagogu të UET, por edhe një esencë nga një platformë që është e rëndësishme jo vetëm për korpusin UET, por për të gjithë mjedisin shqiptar dhe është fjala për diskutime, trajtesa, refleksione që vijnë nga një organizim siç është DSSH dhe që mëton të sjellë një vlerë të shtuar në mjedisin shqiptar. “Paradigma e Sigurisë” sheston një argument të rëndësishëm siç janë çështjet e sigurisë duke sjellë në këndvështrime të ndryshme. Duke nisur me çfarë nënkuptojmë me çështje të sigurisë, si profilohen ato në mjedisin e sotëm, jo vetëm shqiptar, por edhe në atë ndërkombëtar, jemi në kornizën e një profesioni apo jo. Librin ne e kemi përfshirë në kolanën “Ese, ide, debate”.
Drita Kruja: Është kënaqësi që promovojmë një produkt të dalë nga DSSH-ja. Ditët e Studimeve Shqiptare është konferenca më e rëndësishme e UET dhe synimi i saj është ndarja e eksperiencave, ideve dhe më pas reflektimi. Ky është edhe roli i konferencës. Profesori ka sjellë një përmbledhje të punimeve nga viti 2015-2020. Këto punime nuk janë më ato punime fillestare në ditën e prezantimit në konferencë, por janë reflektime të gjithë atyre diskutimeve dhe ideve që janë ndarë në DSSH. Them që ky është një fillim shumë i mbarë dhe kjo duhet të ndiqet nga të gjithë ne. Është diçka shumë e mirë dhe për silabusin tonë pasi duhet t’u referojmë edhe punime të UET studentëve.
Blendi Lami: Libri tenton të depërtojë në shumë aspekte, pasi vjen nga një personazh i cili është produkt institucional tipik shqiptar, në kuptimin që është individ i formuar në shkollën akademike ushtarake me kontribute të mëdha në NATO dhe në institucione të tjera ndërkombëtare. Me kontribute të mëdha edhe me misionet që ka ndërmbarrë Shqipëria në Afganistan dhe në Irak, e me kontribute të mëdha akademike. Dhe i gjithë ky gërshtetim bën që profesor Kristaqi të quhet produkt institucional shqiptar. Duke marrë në konsideratë faktin që ne jetojmë, lëvrojmë, përjetojmë një mjedis sigurie shumë të brishtë, ai që quajmë ne problem kërkimor, apo shtysa për të depërtuar në shkrime akademike, profesor Kristaqit i vjen nga formimi dhe aktualiteti, të cilat të shkrira në një unë mund ta identifikoj si një “mllef akademik”. Mllef jo për të sharë, për të ofenduar, por për të marrë vendime të caktuara në lidhje me shumë realitete shqiptare.
Ky parashtrim që bëra më çon të pika e tretë që profesor Kristaqi tenton të depërtojë me shkrimet e tij, por edhe më gjerë, që është domosdoshmëria për të hartuar një strategji jo vetëm shtetërore, por edhe kombëtare. Jo vetëm që është domosdoshmëri, por ne (shteti) duket sikur bëjmë hapa pas, në vend që të shfrytëzojmë asetet tona, aq sa kemi. Duke qenë se ky këndvështrim vjen nga një personalitet që e njeh mirë këtë terren, që jo vetëm e ka studiuar, por e ka përjetuar, detyrimisht ai “mllefi” është i justifikuar.
Duke qenë se jemi në UET duhet ta orientojmë sigurinë si një profesion.
Bazuar në këto që thashë, ku po shkojmë në këtë dimensionin e sigurisë që ka marrë/ose nuk ka marrë si detyrë Shqipëria?
Kristaq Xharo: Libri vjen për të sensibilizuar mendimin, për të zgjeruar debatin dhe për të afruar me ide të reja në çështje të sigurisë. Deri sa të filloja punën në UET kam qenë partizan dhe viktimë e një modeli të sigurisë tradicionale, klasike e cila bëntë mbrojtjen e sovranitetit, në kuptimin territorial, të një rreziku të jashtëm. Kishim kaluar Luftën e Ftohtë dhe ka ardhur një koncept tashmë që siguria e tradicionale duhet të bëhet pjesë e konceptit bashkëkohor të sigurisë, sepse të tjera mbrohen dhe të tjera çështje dhe rreziqe ne përballemi. Edhe siguria ekonomike, juridike, shëndetësore, fizike, etj të gjitha këto mund të bëhen pjesë e një koncepti më të gjerë, pikërisht në këtë kohë ku e gjejmë ne veten. Ne kemi aktualisht institucione që përgatitin specialistë për sigurinë kryesisht monopol shteti. Kemi “Akademinë e Mbrojtjes” dhe “Akademinë e Sigurisë”. Por të cilat ofrojnë specialistë në fushat përkatëse? Ndërsa nëse do të flisnim për llojet e sigurisë ne kemi të punësuar autodidaktë nëpër këto pozicione, por jo të shkolluar dhe të arsimuar. Del një nevojë, ku përgatiten. Unë mund të them që UET është unik nga kurrikulat, më të mira dhe të ngjashme me ato të vendeve perëndimore.
Qëllimi nuk ishte që unë të zbuloja çështje të pazbuluara më përpara për sigurinë, por ato që tashmë ishin bërë kritike edhe në arenën ndërkombëtare, t’i sillnim në këndvështrimin tonë. Ne jemi dëshmitarë të krizave të forta, siç ishte tërmeti apo pandemia. Të dyja bënë thirrje për siguri. Njerëzit u trembën dhe siguria nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një koncept për t’u ndierë i sigurt, larg frikës, por pikërisht ishim në kufij natyrore, kush u afrua ne nuk patëm mundësi. Pra konkluzioni që unë kam arritur është që ne të jemi reflektivë përpara se të jemi proaktivë në parashikimin dhe matjen e masave për t’u ndjerë në vështirësi sa më pakta i kemi të gjitha mundësitë. Pra dilema ime ka qenë e para siguria, koncepti i saj, zgjerimi i saj. Ajo që ndodhi në OKB pas Luftës së Ftohtë që me siguri nuk ishte vetëm lufta, mbrojtja, por me siguri edhe çështje të tjera, tek ne ende. Shikoni me kujdes Këshillin e Sigurisë nga Republika e Shqipërisë është i të njëjtit format si para viteve ’90. Nuk ka ndryshuar asgjë. E kam krahasuar atë me vende të tjera. Kjo do të thotë se në radhë të parë ndryshimi duhet të ndodhë në mendim, e më pas në politika dhe ne institucione dhe deri në zinxhirin e fundit.
Ervis Iljazaj: Ky libër është një kontribut shumë i rëndëishëm për studentët dhe kolegët. Makiaveli thotë se “dy qëllimet kryesore në jetë të njeriut janë të sigurojë jetën e tij dhe të familjes dhe të sigurojë të ardhurat ekonomike për vete dhe për familjen”. Problematikat e sigurisë sot janë globale, terrorizmi është global, pandemia është globale etj. Çfarë mund të bëjë Shqipëria kur fenomene të tilla janë globale, ose çfarë mund të bëjnë qeveritë nacionale kur fenomenet janë globale?
Kristaq Xharo: Në shkrimin tim të tretë në këtë libër kam përmendur diçka “zanafilla e një konflikti”. Përqëndrohem tek lindja e mesme dhe tek konflikti midis ISIS dhe koalicionit. Është interesante pasi në radhët e ISIS-it janë 86 vende të botës, në radhët e koalicionit që u formua për të luftuar ISIS-in merrnin pjesë 64 shtete, të cilat jo vetëm me mjete konvencionale, por edhe me të shprehur vullnetin u rreshtuan ndaj luftës kundër terrorizmit. Është interesante që edhe Shqipëria edhe Kosova u ndodhën në të dyja frontet. Në njërin krah, në mënyrë formale ne ishim pjesë e koalicionit, nga krahu tjetër mbi 400 persona nga Kosova dhe mbi 200 nga Shqipëria, ishin si luftëtarë, apo vullnetarë. Kontributi i vendit tonë mund të jetë goxha i vlerësuar. Dua të tregoj një fakt që nuk është kofidencial. Trupat amerikane dilnin më misione vetëm me katër shtete, Australi, Angli dhe Shqipëri, pasi kishin krijuar besueshmëri e cila nuk vinte vetëm se ti ishe i bindur në atë që bëjë, por vinte edhe nga standardet dhe kapacitetet.
Fatos Tarifa: Ky kontribut që jepet në teori të çështjeve të sigurisë në cilësinë e një eksperti të çështjes mund t’ua sugjeroje organeve më të larta të shtetit. Në këtë departament mund të bëhet që disa njerëz të fokusohen dhe të profilizohen në çështje të sigurisë dhe në të ardhmen të bëhet një studim jo vetëm në kuadrin e DSSH për çështje të sigurisë. Me përvojën tuaj ushtarake dhe teorike, unë nuk do gjeja një person tjetër që të shkruante më mirë dhe ju përgëzoj.
Suela Mino: Ju jeni profesionistë dhe diskutoni në nivele të fushës, por mund të them dy gjëra duke qenë jashtë fushës. Jemi përpjekur që ky tekst të vijë nëpërmjet një teksti të strukturuar mirë me një gjuhë të artikuluar pastër. Flasim për dy linja. Ka dy hulli se si ju e shihni kontributin që mund të jepni personalisht. Një adresim publik përballë institucioneve për të ngacmuar mendim dhe reflektim. Dhe linja e dytë është ajo që kemi më shumë në dorë në nivel institucional. Ndryshimi i qasjes për të kontribuar në nivel akademik. Si e shohin universitetet dhe çfarë duhet të bëjnë ata. Në libër ju e sillni përveç këtij stadit që është konkret edhe materiale nga kurrikulat të universiteteve të tjera për të ndezur një dritë që çështje të sigurisë të shihen ndryshe, të investohen ndryshe, së pari në atë mjedisin ku ju keni më shumë akses që është mjedisi universitar. E shihni si një instrument që mund të funksionojë, mund të prodhojë? Është sensibiliteti i duhur që të reflektohet në këtë pikë?
Kristaq Xharo: Mund të them që UET është i vetmi institucion në Shqipëri që trajton kurrikula të sigurisë në të treja nivelet e studimit. Sensibilizimi akademik dhe debati është në një nivel të tillë që duhet të kapërcejë muret e universitetit. Mund të shkojmë më tepër duke reflektuar edhe në mendime konkrete. Diku në libër kam përmendur që janë zyrtarisht rreth 35 mijë persona që punojnë në territorin e sigurisë. Të gjithë këta kanë nevojë patjetër për specialistë për t’i orientuar për fushën. Pra unë jam për një lidhje të ngushtë të institucioneve me akademiken.
Ervis Iljazaj: Kush e njeh filozofinë politike e di mirë që një nga arsyet ose funksionet kryesore për të cilat është ndërtuar shteti si entitet, në të gjitha doktrinat është siguria njerëzore. Ndërkohë ajo që konstatoj unë është që shteti shqiptar merret me art, sport, kulturë që ndoshta nuk janë as detyra e tij, por janë çështje të shoqërisë dhe me sigurinë njerëzore, që është çështja ekskluzive se për çfarë ekziston sipas konstatimit tuaj të librit merret pak ose aspak fare dhe kjo është një kontradiktë e madhe për sa i përket shtetit shqiptar. Po ta vesh re në shtet e tjera çështjet e sigurisë as nuk diskutohen fare, merren si të mirëqëna.
Juelda Lamçe: Ju falenderoj jo vetëm për publikimin që keni sjellë, por mbi të gjitha për propozimin për rishikimin e kurrikulave, pasi prej kohësh po merremi dhe përpiqemi të rritim cilësinë, jo vetëm duke parë mundësinë e hapjes së programeve të reja, por edhe duke riparë mundësinë e rishikimit të atyre programeve apo profileve që mund të përshtaten sa më mirë me tregun e punës dhe ndërkombëtarizimit. Përshirja e programeve të vendeve të tjera në këtë përmbledhje dukej me shumë interes dhe vjen në një moment të përshtatshëm për zhvillimin e mëtejshëm të UET në terma të cilësisë.