Arritje si futbollist dhe sindikalist, UET vlerëson me Çmimin e Mirënjohjes Andi Lilën
Arritje si futbollist dhe sindikalist, UET vlerëson me Çmimin e Mirënjohjes Andi Lilën
Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale i akordoi Çmimin e Mirënjohjes UET ish-Futbollistit të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Andi Lila
Universiteti Europian i Tiranës ka vlerësuar kësaj radhe me Çmimin e Mirënjohjes një personalitet nga fusha e sportit. Ish- futbollisti i Kombëtares, Andi Lila, aktualisht drejtues i Sindikatës së Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë, është nderuar me motivacionin “Për arritjet personale në futbollin kombëtar dhe ndërkombëtar, për menaxhimin me sukses të të drejtave të lojtarëve të futbollit dhe për mbrojtjen e simboleve kuq e zi”.
Në ceremoninë e organizuar në ambientet e UET, me të pranishëm miq dhe kolegë të ish- futbollistit, drejtuesit e universitetit vlerësuan kontributin e tij, sidomos në atë të krijimit të sindikatës, me misionin e mbrojtjes së të drejtave të sportistëve dhe ish-sportistëve.
Presidenti i UET, Selami Xhepa, si një njohës i mirë i ekonomisë, nuk doli jashtë termave të fushës. Ai u shpreh, se në fushën e sportit konkurrenca është evidentuese e njerëzve të suksesshëm dhe e gjitha arrihet përmes një gare të ndershme. Xhepa vlerësoi misionin e Lilës për të pasur një rol në shoqëri në mbrojtjen e komuniteti të sportit.
“Unë nuk jam i fushës së sportit, por ajo që më impresionon më shumë, përveçse emrit personal si një lojtar i afirmuar, është edhe misioni që i keni vënë vetes për të pasur një rol në shoqëri, jo thjesht atë të përmbushjes së një ambicieje persona, sesa për të mbrojtur një komunitet njerëzish që janë të pambrojtur. Personalisht e vlerësoj jashtëzakonisht shumë këtë mision sindikal. Do të doja që në të gjitha industritë të kishim simbole të tilla, sepse vetëm lëvizje të tilla e bëjnë një shoqëri më të shëndetshme. Misionar të kësaj natyre i japin një rëndësi kauzës për të cilën luftojnë”, u shpreh Xhepa.
Rektori i UET, Tonin Gjuraj tha se UET ka dalë përtej rolit të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, duke u përpjekur të marrë përsipër edhe një rol të ri për të qenë sa më afër shoqërisë, duke identifikuar dhe vlerësuar personalitete në fusha të ndryshme të jetës. Gjuraj shtoi më tej, se për vlerësimin e Lilës nuk pati asnjë hezitim, pasi edhe vetë është një dashamirës i futbollit dhe i Kombëtares shqiptare.
“Vitet e fundit Andi ka qenë shumë aktiv dhe unë do ta vlerësoja shumë këtë rol të qytetarit aktiv, që njeh edhe detyrimet e përgjegjësitë që ne kemi ndaj shoqërisë, ose të paktën ndaj komuniteti që përfaqësojmë. Ka përballuar në mënyrë dinjitoze debatin publik për futbollin, mënyrën e financimit, me atë se çfarë duhet të ndodhë me klubet shqiptare të futbollit, në mënyrë që të shënojmë arritje të tjera. Si kryetar i Senatit Akademik në UET, nuk kam pasur asnjë lloj hezitimi për ta vlerësuar me këtë certifikatë”, nënvizoi rektori.
Ish- futbollisti, i cili e ka nisur sportin në moshën 10-vjeçare me një skuadër të Kavajës, për t’u aktivizuar pastaj me klube të tjera në vend dhe jashtë Shqipërisë, në vendet fqinje Greqi dhe Itali, e cilësoi çmimin një vlerësim të madh, duke shprehur dëshirën që nderime të tilla t’iu bëhen edhe sportistëve të tjerë.
“Jam i emocionuar për këtë mirënjohje që e marr nga Universiteti Europian i Tiranës. Është vlerësim shumë i madh. Mirënjohje të tilla, shpresoj që edhe sportistë të tjerë t’i marrin dhe t’iu bëjmë sa më shumë jehonë sportistëve dhe ish-sportistëve. Po shikojmë që shumë sportistë janë lënë në harresë nga shteti. Personalish,, me Sindikatën e Futbollistëve Profesionistë, kemi menduar një projektligj për statusin e sportistit elitar pas karrierës, që do ta depozitojmë shumë shpejt në Kuvend. Sportistët dhe ish- sportistët duhet të nderohen, pasi janë një dritë që të rinjtë tanë duhet të ndjekin”, tha Lila.
Sindikata e Futbollistëve Profesionistë është krijuar në korrik të 2019-ës. Lila tregoi se idenë e mori që në vitin 2015, por ende nuk ishte i bindur për këtë iniciativë derisa preku nga afër sindikatat në Greqi. Për të pasur një shoqëri sa më të shëndetshme, ai kërkoi që të rritet vëmendja ndaj sportit, të investohet në këtë fushë, në mënyrë që të përfshihen sa më shumë të rinj.
“Në vitin 2015 unë luaja në Itali, ku ekipi i Parmës falimentoi dhe Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Italianë na u gjend pranë. Në atë kohë presidenti i Klubit më thotë: “Në Shqipëri nuk ekziston një sindikatë, sportistët shqiptarë janë të pambrojtur, pse nuk e krijon?”. Të them të drejtën, fillimisht e pashë me çudi. Më vonë u riktheva në Greqi, që është një vend sindikalist. Ativizohem seriozisht me sindikatën greke dhe bëhem pjesë e anëtarësisë. Pashë se çfarë solidariteti kishin ata me njëri- tjetrin. Shqipëria nuk është vend i tillë. Ne të rinjtë duhet ta ndryshojmë këtë mentalit dhe këtë psikologji. Duhet të promovojmë sa më shumë sportin që të rinjtë shqiptarë të largohen nga rrugët e këqija”, tha Lila.
Përgjegjësi i Departamentit të Psikologjisë, Edukimit dhe Sporteve, Edi Puka tha se aktivitete të tilla janë mjaft të dobishme për programin e sportit në UET, për të marrë mbështetjen e profesionistëve dhe për të dhënë shembuj frymëzues për studentët.
Programi i sportit në UET është hapur për herë të parë në vitin 2018. Edhe pse në një kohë të shkurtër, ai numëron një numër të lartë studentësh, si dhe disa arritje të konsiderueshme. Viti i katërt akademik nisi me pjesëmarrjen në dy aktivitete të rëndësishme, në Martonën e Tiranës dhe në Kampionatin e Universiteteve, ku studentët e UET u renditën në vendin e dytë.