25 gazetarë në projektin studimor të Institutit Pashko
25 gazetarë në projektin studimor të Institutit Pashko
Elda Dedja
Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në Universitetin Europian të Tiranës, në bashkëpunim me Insitutin Europian Pashko, kanë organizuar workshopin e parë, në një seri prej 6 takimesh,me temë “New Media Trends” ku të pranishëm ishin 25 gazetarë dhe specialistë të marrëdhënieve me publikun.
Veçanërisht vitet e fundit një sipërmarrës, drejtues biznesi apo konsumator pyet veten vazhdimisht se si mund të ecë në hapat e zhvillimeve të shpejta të ekonomisë dhe shoqërisë së sotme. Ndërkohë që trendet e aktualitetit mund të zhduken krejt papritur të nesërmen, të gjithë janë të shqetësuar për të mësuar sa më shumë në mënyrë që të zhvillohen përkrah ndryshimeve. Kjo dinamikë ekziston edhe kur bëhet fjalë për mediat dhe komunikimin e ditëve të sotme.
Interneti ka formësuar mënyrën se si sot njerëzit janë konsumatorë duke u lejuar mundësinë e gjetjes së informacionit në sekonda por pavarësisht kësaj të njëjtën kohë, mediat tradicionale janë të pranishme, si një pjesë integrale e përditshmërisë duke vijuar të jetë një mjet komunikimi. Sidoqoftë është e natyrshme që komunikimi në vetvete ka pësuar një zhvillim të caktuar gjatë gjithë historisë, për shkak të gjitha risive dhe zhvillimeve teknologjike të viteve të fundit, të tilla si interneti apo smartphone-ët, të cilat kanë ndikuar dukshëm jetën e përditshme të njeriut.
Pikërisht për të diskutuar në lidhje me këto trende e reja, Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në Universitetin Europian të Tiranës, në bashkëpunim me Insitutin Europian Pashko, kanë organizuar workshopin e parë, në një seri prej 6 takimesh, temë “New Media Trends” ku të pranishëm ishin 25 gazetarë dhe specialistë të marrëdhënieve me publikun. Në UET tashmë që prej vitit të kaluar në ofertën akademike përfshihet edhe gama e plotë e programeve të shkencave humane, duke filluar që nga letërsia, komunikimi, linguistika, gjuhësia, filozofia, historia etj.
Ky workshop është konceptuar si tryezë për diskutim, mbi tematika të ndryshme të aktualitetit në botën mediatike dhe trendeve që parashikohen për të ardhmen. Projekti konsiston në zhvillimin e pesë rasteve studimore mbi mënyrën se si krijohet dhe bëhet funksionale një kauzë sociale, politike apo fushatë e korporatave, në mediat e reja sot. Specialistët që marrin pjesë në “New Media Trends 2019” në përfundim të këtij cikli seminaresh do të prezantojnë gjetjet e studimeve të tyre.
Realitetet komplekse në të cilat jeton sot shoqëria jonë, ku forcat e globalizmit dhe ndryshimeve teknologjike po transformojnë rrënjësisht vetë natyrën e qytetërimit, kërkojnë një qasje inovative në lidhjen e kërkimit shkencor me edukimin dhe promovimin e një debati publik të mirinformuar, të paanshëm dhe në interesin më të mirë të publikut dhe interesave afatgjatë të vendit. Në këtë frymë, Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës, japin kontributin e tyre, me anë të zhvillimit të 5 aktiviteteve rinore të konceptuara si shkolla sezonale të ccdo fakulteti përgjatë harkut kohor të një viti, pjesë të së cilave është edhe organizmi që zhvillohet në uajin shkurt mbi shkencat humane.
Duke qenë se shumë iniciativa dhe kauza kanë lindur dhe janë zhvilluar nëpërmjet këtyre kanaleve të reja të komunikimit, është e rëndësishme që të kuptohet se si kjo mënyrë e re komunikimi impakton sot shoqërinë dhe jetën e gjithsecilit prej nesh kudo në botë. Në këtë takim u ngritën disa shqetësime, në lidhje me përdorimin e mediave të reja sot në Shqipëri, duke vënë theksin tek rëndësia që ka përmbajtja e asaj që komunikohet dhe jo vetëm mënyrës së si komunikohet. Sot rrjetet sociale i lejojnë gjithsekujt t’i japë zë një problematike apo iniciative të caktuar, për shkak se janë të aksesueshme lehtësisht, të shpejta në përçimin e mesazhit dhe të sakta në targetimin e audiencës.
Këto avantazhe shpesh kanë nxitur individët apo organizatat të ndërmarrin iniciativën e krijimit e një prezence online në mënyrë që të përfitojnë edhe nga ana ekonomike, duke rënë në këtë mënyrë pre e tundimit për të “servirur” lajme që konsumohen shpejt e pa ndonjë thellësi në mesazhin e tyre. Duke sjellë në vëmendje këtë fakt, gazetarët dhe specialistët e marrëdhënieve me publikun, u shprehën se po aq sa të dobishme mungesa e profesionalizmit në përdorimin e tyre, mund t’i shndërrojë mediat e reja në “armikun” më të madh të organizatës apo individit në fjalë. Megjithatë ata theksuan se në Shqipëri ndërgjegjësimi mbi këtë problematikë ka filluar tashmë, dhe se ndryshimet po vërehen në preferencat e audiencës për lajme domethënëse dhe nga burime të besueshme.