UET, vendi ku kultivohet dashuria për profesionin

Ekselentët e Universitetit Europian të Tiranës, rrëfejnë mbi eksperiencën e tyre trevjeçare të studimit, sfidat dhe shpërblimet saj.

Studentët dhe dija kanë qenë që prej fillimit shtyllat kryesore të filozofisë së UET. Për vite me radhë, ky universitet ka investuar jo vetëm në cilësinë e mësimdhënies dhe ofertës së tij akademike, por gjithashtu edhe te studentët e tij, duke i mbështetur ata në mënyrë të vazhdueshme me bursa studimi apo nëpërmjet mundësive për mobilitet në universitete prestigjioze perëndimore, krijimin e urave të komunikimit me tregun e punës etj.

UET gjithashtu akordon çdo vit 500 bursa për ekselencën, Bursa Talenti, Bursa “Kadare” për degët sokratike, si dhe Bursa “Pashko” për ekselentët dhe që kanë specifika të ndryshme sociale dhe ekonomike në jetën e tyre. 4 studentët më të mirë të fakulteteve, të cilët përshëndetën në Ceremoninë e Diplomimit ishin; Xhesi Shkreta, studente e Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, Irini Zoica, studente e Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Elda Dedja, studente e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, si dhe Eriksen Mersinllari, studenti i Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës.

Xhesi Shkreta: UET, universiteti që të krijon besim dhe të motivon
Më lejoni t’ju përgëzoj për finalizimin me sukses të këtyre viteve të studimit, sa sfiduese aq edhe të bukura. Për mua është një kënaqësi dhe nder i veçantë që pas tri vitesh së qenë pjesë e Rrjetit të Ekselencës së UET, të flas përpara jush si studente ekselente e Fakultetit Ekonomik. Do të doja të falënderoja përzemërsisht stafin akademik për të gjithë ndihmën dhe suportin që na kanë dhënë, veçanërisht për besimin e treguar ndaj nesh. Po ashtu, do të doja të falënderoja familjen time, që më ka përkrahur gjithmonë në rrugëtimin drejt dijes. Jam shumë e lumtur që zgjodha të studioja në UET, pasi ai është universiteti që të krijon besim, të motivon dhe të ofron mundësitë më të mira për të studiuar dhe për t’u zhvilluar. Duhet thjesht t’i shfrytëzojmë këto mundësi. Shpresoj që edhe ju t’i keni shfrytëzuar në të mirën tuaj, po aq sa dhe unë. Suksese të mëtejshme në rrugën e dijes.

Elda Dedja: Karriera në arte, një akt rebelimi
Tek mendoj për tri vitet e studimit në UET, ajo çfarë gjithnjë më vjen ndërmend është se këtu kam mësuar shumë më tepër sesa disa teori të komunikimit apo parime të dizajnit. Kanë qenë tri vite të pasura me përvoja të jashtëzakonshme, që më kanë rritur shumë, në një kohë kaq të shkurtër. Kam njohur miqtë e jetës dhe njerëz prej të cilëve kam mësuar më shumë se prej çdo libri, kam qarë e kam qeshur, kam mësuar ta dua dhe ta vlerësoj veten, ta sfidoj atë në mënyrë të pareshtur dhe të mos i trembem dështimit, ndaj them pa drojë se për mua UET ka qenë një shkollë jete.
Kam qenë ndoshta jo më tepër se 2 vjeçe kur kam vizatuar për herë të parë, nëse mund të quhet vizatim… Ende e kemi në shtëpi tavolinën poshtë së cilës unë shtrihesha për të shkarravitur me orë të tëra, botën time të ngjyrave. Është një simbolikë e pasionit për artin, është si ai fari në mes të detit që kur humbas, më rikujton drejtimin, se kush jam, se çfarë dua të bëj në jetë dhe çfarë më bën të lumtur. Ka qenë pikërisht ky pasion shkaku i këmbënguljes sime për t’u bërë pjesë e UET dhe jam e lumtur për këtë zgjedhje, pasi këtu krejt natyrshëm pasioni u shndërrua në dashuri për një profesion. Ndiej mirënjohje për secilin prej pedagogëve tanë, që krahas detyrës së tyre primare për të na dhënë dije akademike, kanë qenë për ne miq e mentorë. Na kanë udhëhequr në një rrugëtim që nuk përfundon këtu, përkundrazi tani fillon. Unë besoj se ndjekja e një karriere në fushën e arteve vizuale është një akt rebelimi; kundër frikës, kundër normave sociale të paracaktuara, pritshmërive të të tjerëve apo pasigurive financiare. Fakti që ne jemi sot këtu, në pritje të hedhjes së kapelave në ajër, është një tregues i qartë se kemi notuar kundër rrymës, se jemi treguar të guximshëm.
Faleminderit! Faleminderit, atyre që kanë besuar te liria për të qenë vetvetja! Në këtë kuptim nuk mund të mos falënderoj familjen time! Shpresoj t’ju kem bërë sadopak krenarë!

Irini Zoica: Në UET kam kaluar momente që do të doja t’i përjetoja sërish
Në fakt, sot kam një bashkim ndjenjash. Ndihem e lumtur, së pari që po flas sot këtu dhe sigurisht që mbaruam një rrugëtim të gjatë, po shumë të bukur. Njëkohësisht jam e trishtuar pikërisht sepse këtij rrugëtimi i erdhi fundi. A ka pasur stres, lodhje?! Padyshim që po. Nëse nuk do të ishte kështu, nuk do të quhej universitet, por më besoni, ia ka vlejtur çdo sekondë. Kam kaluar momente që do të doja t’i përjetoja sërish. Dua të falënderoj UET dhe të gjithë pedagogët. Këtu ka disa pedagogë, me të cilët është privilegj të bësh mësim. Në fund e më të rëndësishmit dua të falënderoj prindërit e mi që ndodhen këtu sot. Faleminderit për çdo gjë. Pa ju nuk do të isha kjo që jam. Ua dedikoj çdo gjë ju. Suksese të gjithëve dhe sot duhet të jeni më krenarë se kurrë për veten tuaj!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *