Aplikimet praktike janë pjesë e studimeve në programet e studimit Bachelor dhe Master të Komunikimit në UET

Ky projekt është mbështetur nga Departamenti i Komunikimit, ndërsa e kanë iniciuar vetë studentët në kuadër të aplikimeve praktike për programin e tyre të studimit në Komunikimin me profile në Marrëdhënie Publike, Gazetari, Multimedia, Grafikë-Dizajn ose Marketing. Nisma e tyre do të vijojë me publikime të tjera në tema të komunikimit që u interesojnë studentëve të këtij programi studimi, duke u shoqëruar edhe me paraqitje në kanale dhe formate të ndryshme”.

Prof. Asoc. Dr. Belina Budini

Çfarë mund të bësh me Komunikimin? Kësaj pyetjeje praktike, lidhur me tregun e punësimit për ata që zgjedhin të studiojnë në drejtimet e lidhura me komunikimin, i janë përgjigjur vetë studentët e këtij programi në UET, duke u mbështetur në njohuritë e marra gjatë dy viteve të tyre të para studimit si edhe në përvojat e nisura tashmë në këtë fushë. Një prej këtyre përvojave është edhe vetë bashkëpunimi për të publikuar rreth kësaj teme në gazetën “Liberale”, si një mënyrë për të aplikuar aftësitë e tyre në të shkruarit me karakter publicistik. Ky projekt është mbështetur nga Departamenti i Komunikimit, ndërsa e kanë iniciuar vetë studentët në kuadër të aplikimeve praktike për programin e tyre të studimit në Komunikimin me profile në Marrëdhënie Publike, Gazetari, Multimedia, Grafikë-Dizajn ose Marketing. Nisma e tyre do të vijojë me publikime të tjera në tema të komunikimit që u interesojnë studentëve të këtij programi studimi, duke u shoqëruar edhe me paraqitje në kanale dhe formate të ndryshme. Qëllimi i tyre është që të eksperimentojnë jo vetëm me prodhimin e përmbajtjeve për media të ndryshme, por edhe me zhanret dhe format e paraqitjeve të tyre. Duke nisur nga ky projekt që paraqitet jo vetëm në print por edhe në formë grafike dhe video, për t’u shpërndarë më tej në rrjetet sociale. Studentët që janë bërë pjesë e këtij projekti kanë një qasje aktive ndaj studimeve, që është reflektuar që në auditor, por nuk përfundon aty. Mjaft aktivë edhe në klubet studentore si pjesëmarrës në Klubin e Komunikimit McLuhan, ata janë të prirur drejt angazhimit ekstra-kurrikular në forma nga më të ndryshmet brenda dhe jashtë UET. Përveç përvojës së instaluar tanimë të pjesëmarrjes në panaire, konkurse dhe evente të ndryshme kulturore e kreative, një pjesë e studentëve që ndjekin profile si grafike-dizajni apo multimediat kanë mundësinë t’u bashkohen studentëve të arteve në ekzpozitat e tyre në mjediset e UET si edhe shfaqjeve të ndryshme dhe aktiviteteve studentore që nuk kanë munguar as gjatë kësaj periudhe.

Në tërësi, këto lloj angazhimesh shërbejnë edhe për të kuptuar se si mund të jenë efektivë ata si komunikues që në mjediset universitare. Duke qenë se konsiderohet ende një fushë e re studimi, Komunikimi ka kësisoj përparësinë të jetë një nga programet më tërheqëse dhe ende i paeksploruar apo mbipopulluar. Një nga arsyet kryesore që i tërheq studentët drejt MP është pikërisht gama e gjerë e punëve që ata mund të bëjnë. Të gjitha kompanitë dhe organizatat sot kanë nevojë për shërbime te PR-it modern, ndaj kjo degë ofron mundësi – që nga puna me të famshmit ose markat e muzikës dhe të modës tek Marrëdhëniet Publike të konsumatorit si dhe puna në kompanitë e mëdha, qeveritë, politikanët ose shoqatat e bamirësisë apo organizatat aktiviste. Po kështu, MP shpien drejt aftësimit të specializuar si për shembull në sektorin financiar, që është më i paguari i industrisë; në lobim ose çështje publike; në përgjegjësinë sociale të korporatave. Komunikimi efektiv është pjesë e rëndësishme edhe e qeverisjes apo administrimit publik, ndaj MP përdoren gjithashtu për avantazh të drejtëpdrejtë politik dhe publik, ndërsa kanë marrë vend edhe më qendror në jetën politike. Kudo në botë jo vetëm që është rritur numri i të punësuarve të brendshëm të MP, por hezitimi i të shkuarës për të përdorur agjenci këshillimi është tejkaluar dhe qeveritë janë sot përdorues të rëndësishëm të shërbimeve të këtyre agjencive. Gradualisht, dijenia rreth funksioneve të specializuara të PR-it do të rritet edhe në Shqipëri.

Dega e studimit në tërësi ka natyrë mjaft praktike dhe është ndërdisiplinare. Nuk ka profil studimor që të jetë kaq i pasur me mundësi punësimi sa ai i Komunikimit dhe Marrëdhënieve Publike. Një gamë e tërë profesionesh lidhen pikërisht me një diplomë në komunikim, edhe në Shqipëri, që nga ai më klasiku i gazetarit dhe profesionistit të mediave tradicionale në televizion, radio dhe tani edhe në mediat e reja e portalet online, dhe deri tek pozicionet më të reja në industrinë e marrëdhënieve publike edhe në vendin tonë, si në zyrat e marrëdhënieve me publikun dhe mediat apo komunitetin edhe në administratën shtetërore dhe në pjesën më të madhe të kompanive private si në institucionet bankare, kompanitë telefonike dhe të telekomunikacioneve apo në sektorin e ri të marrëdhënieve publike digjitale.

Së fundi, kjo degë ofron mundësi të shumta zhvillimi dhe aftësimi jo vetëm për të talentuarit, por edhe për më ambiciozët dhe sipërmarrësit. Marrëdhëniet publike janë një nga sektorët më dinamikë e ndonjëherë kontroversial, por mjaft tërheqës sa i përket rritjes personale dhe profesionale. Ato të vendosin në qendër të zhvillimeve dhe shpesh lidhen me pozicione të rëndësishme drejtimi, duke qenë se janë shumë pranë vendimmarrjes së lartë në organizata dhe institucione. Punët në botën e Marrëdhënieve Publike janë diversifikuar mjaft, por janë gjithashtu mjaft konkurruese. Formimi solid kërkon zhvillimin e vazhdueshëm të aftësive. Studimet në programe studimi të Komunikimit, edhe në nivelin e Masterit Profesional, Shkencor dhe sidomos atë të Masterit Ekzekutiv janë të dobishme jo vetëm për ata që duan të gjejnë një punë në marrëdhënie publike, por edhe një punë më të mirë sesa ajo që kanë tanimë. Thellimi në shqyrtimet praktike që ndodh gjatë cikleve master të studimeve në komunikim dhe MP ka për qëllim të ndihmojë studentin që të bëhet një praktikues më i informuar, reflektues dhe i aftë. Kombinimi i qasjes së informuar ndaj industrisë dhe këshillave sa u përket aftësive praktike synon t’i ndihmojë studentët të ndjekin dhe të shijojnë përvojën e punës, të kalojnë me sukses intervistat dhe së fundi të arrijnë të kenë sukses në punën e dëshiruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *