UET diplomon brezin e dhjetë të studentëve Master

Në praninë e të ftuarve të nderit, pedagogëve dhe familjarëve të tyre, studentët e ciklit Master kanë festuar përmbylljen e rrugëtimit të tyre në përplotësimin e dijeve, duke hedhur kapelat në ajër si një simbol suksesi

Për çdo student ceremonia e diplomimit është një gur kilometrik në jetën e tyre, ndonëse sukseset që pasojnë mund të jenë të shumta. Edhe për studentët e ciklit Master për të cilët emocioni i hedhjes në ajër të kapelave nuk përjetohet për herë të parë, kjo ceremoni shënjon një moment të pazëvendësueshëm. Të diplomuarit e Masterit të Shkencave por edhe atij Profesional, nga të pestë Fakultetet e UET, në praninë e të ftuarve të nderit, pedagogëve dhe familjarëve të tyre, kanë festuar përmbylljen e rrugëtimit të tyre në përplotësimin e dijeve. Ky është brezi i dhjetë i të diplomuarve në ciklin Master.

Për herë të parë këto programe u hapën në UET në vitin 2009, një iniciativë e guximshme që erdhi pas tri viteve të themelimit, me qëllim krijimin dhe përforcimin e standardeve të cilësisë në edukim. Prej shumë vitesh tashmë, shumë studentë dhe shumë profesionistë i kanë besuar UET në zgjedhjen e tyre për thellimin e njohurive, për krijimin e horizonteve të reja në karrierën e tyre, ose për fitimin e një kompetence të dyfishtë. Diplomimi i këtij brezi përkon me një etapë të veçantë të universitetit, atë të dekadës së dytë, në të cilën oferta akademike është zgjeruar dhe ka përfshirë tashmë pesë fakultete. Me pothuajse të gjitha degët që përmbushin pritshmëritë e profesionistëve të së ardhmes, UET bëhet i pari universitet privat në vend që ofron një gamë kaq të gjerë disiplinash studimi.

Rektorja e Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Nevila Nika, duke përgëzuar të sapodiplomuarit, theksoi se e tashmja ofron për ta mundësi të shumta, dhe se suksesi varet nga dëshira dhe përkushtimi i tyre ndaj objektivave personalë.

“Ju jetoni vërtetë në një kohë që ne e kishim ëndërruar. Më parë jo vetëm që nuk shkonin të gjithë në shkollë, por nuk shkonin as atje ku donin. Ju keni zgjedhur degët dhe profesionet që do t’i ndiqni me dëshirë, nuk ju kanë imponuar e as nuk ka vendosur dikush tjetër për ju, kështu që vazhdoni ëndrrën tuaj! Bota e punës nuk është bota e shkollës. Është tërësisht diçka tjetër, por mos u ligështoni, edhe kur keni shefa “të këqij”, që do t’ju kërkojnë gjatë gjithë kohës llogari, do të keni edhe drejtues që edhe mund të mos ju pëlqejnë, por gjithsesi ju mos u ligështoni. Keni marrë më të mirën e mundshme, megjithëse e mira nuk ka fund. Festoni sot, e nesërmja do të jetë përsëri e bukur. Urimet më të mira për ju!”

Ndërkohë Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës u shpreh se tashmë, në përfundim të këtij cikli studimesh, përgjegjësia është e shtuar për secilin prej të diplomuarve, për një kontribut të vlefshëm për vendin dhe shoqërinë.

“Ne, brezi i deritanishëm, i këtyre viteve të transformimit të Shqipërisë kemi arritur të bëjmë diçka por çdo brez duhet të japë kontributin e tij për vendin dhe shoqërinë. Në këtë rrugëtim që kemi bërë edhe ne edhe prindërit tuaj deri më tani kemi pasur shumë arritje por njëkohësisht kemi bërë edhe gabime. Çdo brez pasardhës duhet të korrigjoj ato që ne kemi bërë gabim, sepse siç thotë një shprehje ‘e njëjta mendësi që i krijon problemet nuk mund t’i ndreqë dot ato’. Kështu që sfida juaj e së ardhmes do të jetë të merrni përsipër fatet e vendit, biznesit e industrisë, si dhe të realizoni ato çfarë ne nuk mundëm t’i bënim dot më mirë.”

Përgjatë kësaj ceremonie të ftuar të veçantë mbajtën edhe “commencement speech”, ose të quajtura ndryshe, “fjalimi i fillimit të jetës”. Këto fjalime, ashtu si në universitetet e mirënjohura ndërkombëtare, shërbejnë për të motivuar dhe frymëzuar studentët e sapodiplomuar në rrugëtimin e ri që i pret.
Minstria e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Znj. Elisa Spiropali, vlerësoi rolin e universiteteve në motivimin e të rinjve në rrugën e dijes.

“Formimin akademik nuk mund ta marrësh vetëm duke lexuar, patjetër mund të rrish në shtëpi dhe të lexosh, mund të marrësh ndoshta më shumë informacion sesa merr në një universitet, por është e pamundur të marrësh atë eksperiencën unike që merr në një universitet i cili të stimulon imagjinatën, të frymëzon dhe të jep ‘vegla’ për të përballuar të ardhmen. Dhe besoj këtë merrni ju në Universitetin Europian të Tiranës, dhe në shpresojmë që në të ardhmen të keni më shumë mundësi, më shumë shanse dhe të mund të jepni më shumë kontribut në shoqëri. E di që nuk është e thjeshtë shpesh, kur duket sikur nuk ke lidhjet e duhura, sikur nuk njeh njerëzit e duhur, sikur nuk jeni në partinë e duhur e me radhë, duket sikur dyert të mbyllen, por nuk është kështu. Talenti gjithmonë ia del. Puna gjithmonë shpërblehet.”

Ndërkohë edhe Presidenti i kompanisë së sigurimeve “Sigal”, Z. Avni Ponari injurajoi të sapodiplomuarit, duke vënë theksin tek rëndësia që ka guximi dhe meritokracia në “betejën” e tyre për sukses.

“Tregohuni të guximshëm, tregohuni kurajozë dhe drejtojuni me njohuritë tuaja ndërmarrjeve private për të qenë pjesë e stafeve të tyre. Dhe e dyta këshillë që unë doja tiu jepja është që: mos kërkoni poste drejtuese pa kaluar të gjitha shkallët e punës, sepse do gaboni për jetën tuaj dhe do jeni ju ata që do dëmtoni vetveten. Ngjitini shkallët ngadalë, ngjitini shkallët me kujdes, dhe kuptoni që puna fillon nga poshtë dhe nuk fillon nga lart, nuk fillon nga postet drejtuese. Dhe e fundit, tregu i punës ka shumë nevojë sot, ka shumë nevojë për ekspertë, ka shumë nevojë për njerëz që dinë të punojnë, për njerëz që marrin përsipër detyra, jo për njerëz të cilët kërkojnë që në një ditë të pasurohen apo në një ditë të arrijnë atë që duhet të arrihet për shumë vite. Megjithatë secili nga ju ka vizionin e tij, ka idetë e tij, ka bagazhet e tij, ka dëshirat e tij, të cilat mundësitë janë për ti realizuar dhe unë dua vetëm t’ju uroj suksese në rrugëtimin tuaj të ri.”

Sipërmarrësja e njohur Znj. Eleni Babameto, e cila drejton një nga kompanitë lider në vend “Teuta”,  përgëzoi të sapodiplomuarit për këtë sukses duke ndarë me ta jo vetëm historinë e saj, por edhe disa këshilla se si ata mund të ngjisin me sukses shkallët e karrierës

“Të përfundosh studimet Master në një universitet prestigjioz si UET është një arritje shumë e rëndësishme që ju jep siguri në hedhjen e hapave të tjerë në jetë dhe për këtë duhet të jeni shumë krenarë. Ju sot jeni të rinj dhe keni shumë ëndrra, dëshira dhe pasione, të cilat mëzi prisni që t’i realizoni në jetë e të bëheni sa më të suksesshme si për vete ashtu edhe për familjen e shoqërinë. Por nga ana tjetër askush nuk duhet të mendojë që suksesi është i lehtë dhe arrihet sapo fillon një punë. Mundohuni të punësoheni në një punë që ju përshtatet, që ju pëlqen dhe që më vonë ajo të kthehet në pasionin tuaj. Nëse arrini këtë, puna do t’ju duket e bukur, argëtuese, jo e lodhshme dhe do t’ju bëjë të suksesshëm. Një këshillë tjetër që mund t’ju jepja është të guxoni. Suksesi i përket atij që guxon. Një tjetër sugjerim për ju është përdorimi i informacionit që sot është mundësia ta keni në përdorim me bollëk dhe pa shumë shpenzime. Ju duhet të ndiqni se si bota dhe kompanitë po ndryshojnë në epokën e informacionit.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *