Tonin Gjuraj: Pasioni për mësimdhënien, mbi të gjitha

Prof. Dr. Tonin Gjuraj tregon mbi pasionin e tij për mësimdhënien dhe se si nuk është larguar asnjëherë prej auditorit, pavarësisht posteve të rëndësishme drejtuese që ka mbajtur ndër vite.

I sapokthyer nga studimet master në Central European University në Pragë, me një dëshirë për të sjellë në auditor një frymë të re dhe një këndvështrim ndryshe, ai zhvilloi ditën e tij të parë të mësimdhënies në universitet, në shtator të vitit ’95. Profesor Tonin Gjuraj tregon se kjo ditë mbetet në memorien e tij, për shkak të emocionit që i krijonte pasioni për mësimdhënien.

“Për herë të parë kam dhënë mësim në universitet në shtatorin e vitit 1995. Zhvilloja lëndën e shkrimit akademik dhe kontakti i parë me auditorin ka qenë me të rinjtë, me 18-vjeçarë që sapo kishin përfunduar shkollën e mesme. Unë atëherë e prisja me padurim këtë ditë, sepse mësimdhënien e kam pasur pasion dhe vijoj ta kem edhe sot”, shprehet Gjuraj.

Ai tregon se krahas emocionit pozitiv, kishte siguri në vetvete në këtë përballje të parë, kjo edhe për shkak se eksperienca e parë në mësimdhënie për të daton herët, që në moshën 22-vjeçare. Pas përfundimit të studimeve të larta, iu dha detyra e mësuesit në një nga gjimnazet e Rrethit të Tropojës.

“Unë e kisha pasion mësimdhënien, edhe sepse kisha një përvojë paraprake, pasi kur kam mbaruar studimet universitare jam emëruar mësues në Rrethin e Tropojës dhe kontaktet me nxënësit i kam pasur që në moshën 22-vjeçare. E kujtoj me shumë nostalgji atë ditë të parë në gjimnazin ‘Asim Vokshi’ në Bajram Curr, ku jepja gjuhën angleze. Kujtoj nxënësit e vitit të katërt, të cilët ishin shumë të pasionuar, e donin anglishten dhe e ndiqnin lëndën me shumë vëmendje. Gjithashtu gjatë studimeve universitare kam zhvilluar lëndë të karakterit pedagogjik dhe psikologjik dhe në këtë kuptim isha ‘i pajisur’ me shprehitë e mësimdhënies.”

Prof. Gjuraj thotë se për të kjo ditë e parë mbart edhe një simbolikë tjetër të rëndësishme, sepse lënda që ai do të jepte mësim, futej për herë të parë në auditorët shqiptarë, falë iniciativës dhe këmbënguljes së tij për ta përfshirë shkrimin akademik në kurrikulën mësimore.

“Sapo kisha përfunduar studimet e Masterit, në CEU në Pragë, dhe atje krahas lëndëve të formimit karakterizues, një lëndë shumë e rëndësishme ishte shkrimi akademik. Ndërkohë ne kishim probleme me të shkruarit, me mendimin kritik, dhe duke parë rëndësinë e kësaj lënde, unë i shpreha propozimin tim senatit akademik të universitetit, të cilët u treguan mbështetës për ta përfshirë atë në kurrikul. Rëndësia qëndronte veçanërisht te fakti që duke mësuar shkrimin e një eseje akademike, te studentët nxiteshin këto elemente, të menduarit kritik, kreativiteti dhe komunikimi”, tregon Gjuraj.

Në Shqipëri, i formuar në një shkollë perëndimore dhe literaturat që ai përdorte në orët e tij, ishin më bashkëkohoret dhe kjo përbënte për të një avantazh të rëndësishëm në procesin e mësimdhënies. Gjuraj thekson faktin që në auditor përpiqet gjithnjë t’i formësojë studentët duke inkurajuar te ta mendimin kritik dhe arsyetimin.

“Jam kujdesur gjithnjë që në auditor, veçanërisht në lëndët e shkencave sociale, t’i ndihmoj studentët të dallojnë qartë akumulimin e informacionit nga kuptimdhënia. Kam dashur gjithnjë që të forcoj te ta aftësinë e sintetizimit të informacionit, të përzgjedhjes po ashtu, pasi në një oqean pistash të pafundme të dhënash e të rejash ata duhet të jenë në gjendje të bëjnë dallimin mes një informacioni të rëndësishëm dhe të parëndësishëm, pasi i çon ata më pas drejt krijimit të dijeve të qëndrueshme”, thotë prof. dr. Tonin Gjuraj, i cili pas kthimit nga studimet në Universitetin e Oxford, në vitin ’98, vijoi të jepte mësim dhe për lëndë të tjera të karakterit shoqëror, si sociologjia.

Përgjatë viteve ai ka mbajtur detyra të rëndësishme drejtuese, por tregon se asnjëherë nuk është shkëputur prej auditorëve pavarësisht përgjegjësive të shumta që vijnë me postin.

“Kam pasur kontakte të përjavshme me auditorin, sepse lidhej me pasionin tim për mësimdhënien.”

Një eksperiencë mjaft interesante që shënjon karrierën e tij të pasur, është edhe fakti që ka qenë ambasador i Republikës së Shqipërisë në shtetin e Izraelit për dy vite.

“Unë vija si propozim nga bota akademike dhe pranova, sepse doja një sfidë të tillë. Kisha një njohje të Lindjes së Mesme, nisur edhe nga perspektiva ime sociologjike. Për atë pjesë të botës që është mjaft interesante nga pikëpamja socio-antropologjike, dhe ka qenë një eksperiencë diplomatike e jashtëzakonshme. Megjithatë edhe atje, unë nuk u shkëputa nga jeta akademike. Krijova kontakte me shumë pedagogë dhe universitete, kam dhënë edhe leksion në disa prej tyre. Në fund të ditës, mes pasionit për diplomacinë dhe pasionit për jetën akademike, predominoi kjo e dyta. Unë dhashë dorëheqjen nga pozicioni dhe erdha në UET, por kjo përvojë diplomatike më ka dhënë një kënaqësi shumë të madhe dhe ka lënë shumë gjurmë në formimin tim.”

Drejtues i Zyrës së Marrëdhënieve me Jashtë për rreth 11 vite pranë universitetit “Luigj Gurakuqi”, dekani i parë i Fakultetit të Shkencave Sociale në UET, zv.rektor më pas Prorektor, dhe për 8 vite Rektor i UET, Prof. Tonin Gjuraj ka një jetëshkrim të pasur, jo vetëm si pedagog. Në dekadën e parë të UET, Gjuraj ka udhëhequr një sërë procesesh të rëndësishme akademike, si akreditimi institucional me 5 vite me vlerësimin “Fully Met” apo finalizimi i procesit të riorganizimit dhe zgjerimit. Një periudhë gjatë së cilës institucioni ka shënuar arritje të shumta edhe në aspektin e ndërkombëtarizimit, krijimit dhe fuqizimit të rrjetit “Alumni” e shumë proceseve të tjera që kanë lindur si efekt pionier pikërisht në këtë universitet.

Sa i përket kësaj eksperience, ai thotë: “Konstantja e UET është ndryshimi. Ndryshimi në kuptimin e përshtatjes me praktika të reja, me modelet e reja, me arritjet që ka arsimi jo vetëm në Shqipëri, por në Europë e kudo, në mënyrë që t’u përgjigjemi sfidave që ka arsimi i lartë sot. Sot shkenca është mjaft komplekse, edukimi po ashtu, teknologjia avancon dita-ditës dhe synimi ynë ka qenë kahera orientimi i studentëve, në një botë që duket sikur është e pasigurt, ku të rinjtë janë të pakënaqur, nëpërmjet konstantes së ndryshimit të përmbushim ambiciet, interesat dhe pasionet e tyre”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *