Rrjeti i Ekselencës, kontributi që vjen nga 100 më të mirët

Universiteti Europian i Tiranës prej vitesh ka pasur një sistem të shumëllojshëm bursash, i cili ka për synim të mbështesë një kategori të gjerë studentësh, që nga ata ekselentë, tek ata të talentuar, të pasionuar ndaj humaniteteve apo edhe në nevojë për një mbështetje ekonomike. Kjo traditë e përkrahjes së më të mirëve ka kontribuuar që prej themelimit të universitetit, në krijimin e cilësisë, standardit dhe prestigjit që UET gëzon sot. Plot 500 bursa akordohen çdo vit dhe kategoritë janë të ndryshme, duke filluar që nga bursat e Ekselencës, bursat “Kadare” apo bursat “Pashko”. Studentët me rezultate të shkëlqyera akademike janë përfitues të bursës së Ekselencës. Në gati 13 vite jetë në tregun e arsimit të lartë, UET është kujdesur që të promovojë maksimalisht këtë kategori studentësh dhe ka ftuar vazhdimisht ekselentët e maturës shtetërore të jenë pjesë e tij me anë të bursave të akorduara për ta dhe mbështetjes për projekte dhe angazhime akademike. Shumë prej këtyre maturantëve që kanë përfituar bursën e Ekselencës vitin e kaluar, por dhe studentët të cilët kanë ruajtur kriterin e mesatares së lartë që kjo bursë parashikon përgjatë viteve të studimit, janë pjesë e Rrjetit të Ekselencës.

Ky grupim i më të mirëve, është pjesë e traditës së konsoliduar prej vitesh të vlerësimit të ekselentëve, të cilët janë edhe “ambasadorët” e universitetit. Edhe këtë vit, Rrjeti i Ekselencës është mbledhur për të zhvilluar një fokus-grup, i cili kishte për qëllim të përfshinte opinionin e tyre në hartimin e politikave dhe mundësive të reja për të zhvilluar edhe më tej institucionin. Këta studentë janë pa dyshim krenaria e institucionit dhe kjo është arsyeja përse UET është në kontakt të vazhdueshëm ta, edhe pas përfundimit të shkollimit. Nëse në një universitet vijnë studentët më të mirë, nuk ka stimul më të mirë që vetë universiteti të jetë në nivelin më të mirë.

“Natyrisht kur flitet për universitetin ka shumë elemente që e bëjnë një universitet të mirë, por në fakt një nga treguesit më të rëndësishëm është suksesi juaj, është çfarë ndodh me ju në tregun e punës. Nuk mjafton vetëm emri i universitetit, por shumë e rëndësishme është edhe sa ju arrini të bëheni markë. Nëse në 13 vite UET ne kemi mundur të ndërtojmë të gjithë bashkë një universitet, i cili është sot një markë në tregun shqiptar, dhe për ne sot prioritet është që studentët tanë të kthehen në një markë të rëndësishme në tregun e punës në Shqipëri. Natyrisht kjo gjë varet nga një sërë faktorësh, veçanërisht nga i gjithë bashkëpunimi dhe bashkëveprimi me ju”, është shprehur zv.rektorja për Zhvillimin Institucional dhe Studentët, Prof. Dr. Ermira Qosja.

Studentët ekselentë janë ndër më aktivët jo vetëm në auditor, por edhe në jetën studentore, me pjesëmarrjen në aktivitete, në klube studentore, në debate, por edhe në sjelljen e risive në jetën studentore. Ata janë jo thjesht individë me rezultate akademike të larta apo aftësi profesionale të lakmueshme, por janë edhe një pasuri kombëtare, pasi përgatitja e tyre është faktor përcaktues në zhvillimin e shoqërisë. Universiteti Europian i Tiranës mbështet dëshirën e studentëve të shkëlqyer për të kontribuuar në aktivitete sociale apo konferenca shkencore. Rrjeti i Ekselencës ka për qëllim të mbledhë rreth vetes studentët më të mirë që kanë dëshirën dhe vullnetin për të bërë disa projekte të përbashkëta, për t’u evidentuar në fushën publike dhe sociale, ndaj edhe ky fokus-grup ishte mjaft i rëndësishëm për të kuptuar shqetësimet dhe kërkesat e studentëve. Për t’i inkurajuar studentët ekselentë në përfshirjen me sukses në tregun e punës pas diplomimit, universiteti do t’u mundësojë atyre një letër rekomandimi për punësim, nga Dekani i Fakultetit, si dhe nga një prej pedagogëve që i ka dhënë mësim gjatë viteve të studimit. Kjo iniciativë e institucionit është vlerësuar shumë nga studentët. Përgjatë fokus-grupit ata vetë kanë treguar eksperiencën e tyre gjatë viteve, si kanë përfituar nga bursa e studimit, si dhe mundësitë e tjera që universiteti ka ofruar për ta gjatë viteve të studimit, të tilla si shkëmbimet studentore me universitetet partnere perëndimore. Duke qenë se eksperienca ka treguar se ekselentët kanë qenë ndër përfaqësuesit më dinjitozë përtej kufijve të vendit dhe ambasadorë të filozofisë dhe standardit të UET, ekselentët do të kenë prioritet jo vetëm në shkëmbimet studentore, por edhe projekte të ndryshme me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar.


Është sugjeruar nga vetë studentët që komunikimi mes Rrjetit të Ekselencës të përforcohet me takime më të shpeshta, në mënyrë që të diskutohet mbi ide dhe të sugjerohet vazhdimisht mbi mënyrat se si mund të sigurohet një ecuri pozitive e institucionit në ofrimin e ofertës akademike dhe mundësive për studentët. Duke qenë të vetëdijshëm mbi rëndësinë e praktikës në formimin personal, krahas dijes teorike që përfitohet në auditor, ata kanë kërkuar nga universiteti që të krijojë më tepër hapësira në tregun e punës ku ata mund të përfshihen për internshipe të ndryshme. Për të kontribuuar në formimin e tyre përtej auditorit, Universiteti Europian i Tiranës do të krijojë mundësi të reja edhe në aspektin e trajnimeve disaditore, krahas atyre që janë zhvilluar deri më tani, nisur edhe nga fakti që tashmë institucioni përbëhet nga pesë fakultete. Gjithashtu, opinioni i tyre është mjaft i vyer dhe do të merret vazhdimisht në konsideratë, në lidhje me të ftuarit që do të zhvillojnë leksione të hapura apo që vijnë për një bashkëbisedim në forumet UET. Studentët ekselentë kanë ndarë me drejtuesit e universitetit opinionet e tyre paraprake në lidhje me disa nga emrat që do të dëshironin të shihnin në auditor, duke sugjeruar një sërë figurash të njohura, të cilat përbëjnë për ta interes si në aspektin e zhvillimit personal ashtu edhe atij profesional. Duke qenë se këtë vit oferta akademike e UET është zgjeruar në 75 degë dhe 125 profile, jeta studentore dhe ajo akademike do të jetë më e pasuruar. Opinioni i studentëve ekselentë është vlerësuar nga strukturat e universitetit, të cilët e cilësojnë këtë kontribut mjaft të vyer, për përforcimin e standardeve, cilësisë dhe markës së UET, por edhe për zhvillimin e mëtejshëm të institucionit. Shumë shpejt, Universiteti Europian i Tiranës do të zhvillojë edhe një aktivitet tjetër me Rrjetin e Ekselencës për të vlerësuar me certifikata mirënjohjeje 100 studentët më të mirë në përfundim të vitit akademik, për arritjet akademike dhe aktivizimin studentor. UET i mbështet studentët në mënyrë aktive në aktivitetet që ata duan të organizojnë, në hapësirën e duhur për të dhënë kontribut brenda universitetit, por edhe në aktivitetet jashtë tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *