Luiza Pinderi

Të prekësh ëndrrën në majë të gishtërinjve! Nuk është vetëm fat, është punë, pasion, përpjekje dhe këmbëngulje, deri sa të arrish atë që dëshiron e të mos ndalesh pavarësisht gjithçkaje. Dëshmia e gjallë e kësaj është Adela Muçollari, prima balerina e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, njëkohësisht pedagoge e Baletit në Universitetin Europian të Tiranës.

Emocionet e para të skenës i preku kur ishte vetëm 5 vjeç, ndërsa duartrokitjet për të vazhdojnë të dëgjohen ende në skenat kombëtare dhe ndërkombëtare. Vitin e kaluar Adela ishte pjesë e jurisë së kompeticionit të rëndësishëm ndërkombëtar të baletit dhe kërcimit, “Premio Roma Danza 2020”, ku për herë të parë Shqipëria shkoi në këtë konkurs, për të vlerësuar dhe gjykuar të rinj artistë nga e gjithë bota. Këtë vit, në këtë eveniment Adela ishte e ftuar speciale bashkë më vëllain e saj, Anxhelo Muçollari, ku përshëndetën me pjesën koreografike “Up stand down”, një duet mjaft i veçantë dhe i ndjerë, frymëzuar nga situata që po përjeton bota dhe njerëzimi për shkak të pandemisë Covid 19.

Energjia, optimizmi, pasioni dhe gjallëria që përshkruan Adelën, nuk mund të thuhet me fjalë. Por, do të përpiqemi të njohim më shumë prej saj, mbi punën, ambiciet, emocionet, në këtë rrëfim ndryshe mbi atë se çfarë Adela jetëson çdo ditë në skenë dhe në jetë, ndërsa mbetet shumë më shumë për t’u zbuluar në vazhdim.

Si lindi pasioni për baletin dhe si i kujtoni momentet e para të kërcimit në fëmijërinë tuaj?

Baleti në fillim ka qenë një pasion i mamit që kur ajo ishte e re. Një ëndërr e saj që nuk u realizua pasi mami vjen nga një familje tiranase dhe në atë kohë nuk mendohej që baleti ishte një profesion. Kështu që mami të gjithë dëshirën dhe pasionin e saj e trashëgoi tek unë dhe me pas tek Anxhelo (vëllai).

Mbaj mend fillimet e mija në Pallatin e Pionerëve ku nisi edhe rrugëtimi im drejt artit dhe më pas vazhdova studimet në Shkollën e Baletit.

Për herë të parë kam interpretuar “Vdekjen e Mjellmës” në moshën 5-vjeçare dhe ka qenë emocioni im i parë, sa që e mbaj mend edhe sot atë ditë aq magjike kur preka skenën dhe interpretova përballë publikut.

Pjesëmarrëse në shumë shfaqje brenda dhe jashtë vendit. Cilën kujtoni më emocionuesen dhe cilën më të vështirën?

Tashmë jeta ime artistike ka një dimension shumë të gjerë brenda dhe jashtë vendit. Më emocionuese do të kujtoja momentet e para kur fillova të interpretoja si Prima Balerinë e TKOB në një moshë shumë të vogël, ku shikoja sesi publiku im më dhuronte duartrokitje për minuta të tëra pa ndalim. Ka qenë një moment ku më kanë dalë lot nga sytë nga emocionet.

Një moment tjetër që do të citoja ka qenë kur fillova të interpretoja në Teatrot Ndërkombëtare, në ato skena magjike që të mbushin plot me ndjenjë me madhështinë e tyre.

Pjesa e vështirë… mendoj që ka gjithmonë momente të vështira në çdo punë, por unë e dashuroj jashtë mase punën time dhe ky pasion sfumon çdo gjë që mund të dalë gjatë rrugës dhe asgjë nuk është e vështirë.

Ju jeni prima balerinë e TKOB. Çfarë përmban ky pozicion në vetvete dhe çfarë përgjegjësish ka sjellë mbi ju?

Ky pozicion për mua është ajo çka unë kam punuar që fëmijë, të jem prima balerinë në shtëpinë time në TKOB. Të jesh prima balerinë do të thotë shumë disiplinë, shumë orë pune, shumë pasion për punën. Unë si natyrë jam shumë kërkuese dhe gjithmonë dua të jem perfekte në çdo gjë që bëj. Kjo më bën të kërkoj dhe të jem gjithmonë duke menduar për një shkallë më të lartë në karrierën time.

Si është të kesh bashkëpunëtorin dhe kolegun tënd më të ngushtë vëllain? A ka momente që keni ato ‘përplasjet’ gjatë punës në lidhje me shfaqjet?

Unë jam personi me më fat në ketë botë që kam Anxhelon në krah. Anxhelo për mua është gjithçka, bashkëpunëtori im, kolegu im, shoku im i ngushtë dhe pa dyshim vëllai im.

Përplasje nuk kemi pas asnjëherë. Ne funksionojmë shumë mirë bashkë. Anxhelo është një njeri me vlera të jashtëzakonshme dhe është një super talent që çdo skenë ka fatin ta ketë. Ne të dy jemi një, dhe gjithmonë do jemi 2 talente nën një mbiemër.

Vitin e kaluar keni qenë pjesë e jurisë së “Premio Roma Danza 2020”, ndërsa këtë vit u shfaq në këtë eveniment performanca juaj. Na tregoni më tepër mbi këto eksperienca. Si jeni ndjerë dhe vlerësimet që keni marrë?

Të jesh pjesë e jurisë ndërkombëtare është një vlerësim maksimal që mund të marrë një artist nga emrat më të shquar në Europë. Ka qenë një eksperiencë shumë e vyer për mua dhe kam mësuar shumë mbi koncepte të reja dhe kam shkëmbyer shumë ide për të ardhmen.

Këtë vit isha bashkë me Anxhelon si të ftuar special dhe kjo gjë të bën të emocionohesh kur edhe në këtë kohë që jemi, bashkëpunimet vazhdojnë edhe përtej kufijve. Për një artist është shumë e rëndësishme kur merr vlerësime maksimale dhe duartrokitjet e profesionistëve më të shquar.

Si e vlerësoni eksperiencën tuaj si pedagoge e Baletit në Universitetin Europian të Tiranës?

Të jesh pedagoge në UET është një eksperiencë në një tjetër dimension. Për mua është shumë e rëndësishme që ta zhvilloj pjesën e dijes sime tek brezi i ri.

Kam investuar shumë në formimin tim arsimor dhe dua që brezi i ri të marrë më të mirën dhe të ketë ecurinë e duhur drejt të ardhmes, dhe këtë përvojë padyshim që në këtë fakultet çdo talent do marrë më të mirën dhe do të  krijohet në një standard shume të lartë.

Cilat janë vështirësitë e të qenit një mentor? Çfarë ju sugjeroni gjithë djemve dhe vajzave që kanë pasion baletin dhe kërcimin?

Vështirësia më e madhe është që një mentor duhet të bëhet njësh me boten e studentit që të arrijë të nxjerrë më të mirën dhe më të veçantën nga çdo student.

Çdo artisti do t’i sugjeroja dhe t’i thosha që bota e artit është shumë e vështirë, do një punë dhe disiplinë shumë të madhe. Që të bëhesh një artist i madh mbi të gjitha duhet të jesh një njeri me një zemër të madhe.

Rrugëtimi juaj është i gjatë dhe i suksesshëm. Nëse hidhni vështrimin pas dhe kujtoni fillimet, a jeni tani pikërisht aty ku kishit ëndërruar? Dhe çfarë shihni ju për më tej?

Kjo është pyetja më e bukur. Adela është pikërisht aty ku kishte ëndërruar të ishte, prima balerinë e Shqipërisë. Gjithmonë punoj dhe investoj tek gjerat që dua me zemër dhe puna ime e palodhur më ka sjellë këtu ku jam. Rruga e artit është shumë e vështirë, por unë nuk dorëzohem në asnjë çast për atë gjë që dua.

Kam shumë gjëra që i kam vënë qëllim vetes dhe dita-ditës po punoj për të vazhduar më tej. Koha do zbulojë çdo ditë Adelën më shumë.

Me çfarë projektesh po merreni ndërkohë dhe cilat janë planet e ardhshme?

Janë projektet me TKOB që ne kemi në kalendarin tonë artistik. Gjithashtu, unë dhe Anxhelo kemi plot surpriza për 2020, edhe pse ky vit ka qenë pak ndryshe për shkak të Covid. Shpresojmë që situata të ndryshojë sa më shpejt për të gjithë ne, dhe të jemi sa më pranë duartrokitjeve të publikut që na mungojnë shumë.

1a232fe1-c161-492e-8dd9-32b8a492b223 2db5c352-e09d-4797-8e69-a5645db55a07 7aec15c0-508b-4a9c-8c57-1c1790d2c760 27a6f864-bdc5-4ee2-9437-65c248439fbd 354b6488-eb5c-4bc0-8155-8a41fe65881e 1272b30e-b3c4-4d4e-b52a-5ecd43fbe589 6718dc94-689f-4de0-b95d-6d1d696024d6 7725e411-6312-4631-8ab9-f85528d78aeb 1321123c-f33e-48a7-b525-58355a1785d7 ca71653e-1909-4346-a837-50619b5d0e18 e89448e5-e319-4102-81ba-f25d21aeaba8 e0890853-bdfe-4064-96c9-e6e06206045d f57a39d5-a007-4245-869d-c34eafbc4e04
<
>

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *