Profesori i edukimit Treska: Ky realitet i ri do të jetë një PROVË e vërtetë për sistemi arsimor

Profesori i Edukimit në Universitetin Europian të Tiranës Prof. Asoc. Dr. Tomi Treska në një intervistë të dhënë shpjegon se si do jetë roli i edukimit dhe i universiteteve në veçanti pas pandemsë botërore të Covid -19. Gjithashtu profesor Treska analizon se si sistemi arsimor në Shqipëri e përballoi këtë situatë. Perceptimi i tij është se sistemi arsimor shqiptar është pjesërisht i përgatitur për të përballuar sfidat post-CIVID-19. Ai shton se stafit mësmor dhe familjeve shqiptare nuk ju mungon dëshira dhe vullneti për të vijuar arsimimin dhe edukimin e fëmijeve edhe në këto kushte. E theksoj këtë fakt, sepse na duhet të ndërtojmë pikërisht duke u mbështetur në këtë faktor.

A do të ndryshojë qasja klasike e arsimit të lartë pas COVID-19? Nëse po, cili është parashikimi juaj?

Padyshim që qasja në arsimin e lartë pas COVID-19 do të ndryshojë. Besoj se për këtë askush nuk ka më dyshime. Mëndimi im është që COVID-19 ka krijuar tashmë një realitet të ri. Të gjithë sektorët duhet të përshtaten me këtë realitet dhe sigurisht që edhe arsimi në përgjithësi dhe arsimi i lartë po ashtu.
Ky realitet do të jetë një PROVË e vërtetë për individët, profesionistët, institucionet, organizmat, entitetet dhe autoritetet në të gjithë sektorin e arsimit të lartë. Prova e tyre është sa dhe si këta do të dijnë, do të duan dhe do të munden të përshtasin sistemet, kurrikulat, procedurat, standardet, kuadrin ligjor dhe administrativ, metodat e mësimdhënies, teknikat e tyre dhe mjetet me të cilat duhet të realizojnë misionin dhe shërbimin që kërkohet prej tyre.
Në një kuptim do na duhet të ndryshojmë, ose së paku të rishikojmë prioritetet tona dhe të gjithë sistemit të arsimit të lartë dhe në përputhje me prioritetet e rishikuara të ridizenjojmë pritshmëritë tona. Këtu përfshi padyshim edhe studentët, por edhe publikun e gjerë.
Të aftët, të vullnetshmit, të duruarit, të përgjegjshmit dhe profesionistët e vërtetë do ta përkthejnë gjithë këtë nevojë në sfidë që kërkon zgjidhje, dhe do të jenë të gatshëm të japin përpara se të kërkojnë, ndërsa të kundërtit me të parët do ta lëxojnë këtë kërkesë si pamundësi, fatalitet, fat të keq, do kërkojnë më shumë dhe më parë se të japin.
Brenda sistemit shqiptar të arsimit të lartë, perceptimi im është që në realitetin e ri, komunikimi mes pedagogut dhe studentëve do intensifikohet në kuptimin e dendësisë, të intensitetit, të formave dhe shpeshtësisë. Sa më tepër të rrallohet komunikimi face-to-face e pedagogut me studentët, aq me shumë do të forcohen dhe konsolidohen format e tjera të komunikimit. Une, në parim besoj tek përgjegjshmëria e stafit akademik të institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri, por veçanërisht tek përgjegjshmëria e stafit akademik të UET. Prej kësaj përgjegjshmërie unë shpresoj dhe pres me bindje rritjen dhe “shpërthimin” e kreativitetit profesional të stafit tonë.
Këto javë janë një indikator shumë domethënës se këto potenciale janë dominante në sjelljen e anëtarëve të stafit të UET. Kjo bindje mbështetet edhe tek feedback-u që na vjen nga studentët tanë, i cili na tregon se edhe tek ata përgjegjsia, përkushtimi dhe gatishmëria për të konsoliduar komunikimet me universitetin “e tyre” janë ëvërtet shumë inmpresionuese.

Cilat do të jenë efektet afat-shkurtra të arsimit të lartë pas COVID-19?

Përshtatja me kushtet e reja është efekti së pari afat-shkurtër, por edhe afat-gjatë nga COVID-19.
Çdo institucioni të arsimit të lartë në Shqipëri i duhet të adresojë dhe të gjejë zgjidhje për disa kërkesa themelore dhe bazike për ushtrimin e shërbimit të tyre.
Unë personalisht shoh dy grupe të mëdha në këtë drejtim:
A. Grupi i masave nëse institucionet e arsimit të lartë do të rihapen
B. Grupi i masave që edhe nëse institucionet e arsimit të lartë hapen, duhet të garantojnë shërbimin online, ose mësimin në distancë.
Këto masa sugjeroj të konceptohen si PARAKUSHTE për rifillimin e procesit akademik në auditor, por edhe për vijimin e procesit online.
Së pari është siguria maksimale e shëndetit të studentëve, stafit akademik dhe atij ndihmës dhe administrativ të institucioneve të arsimit të lartë. Për këtë organeve vendim-marrëse të këtyre institucioneve ju duhet të hartojnë plane masash të detajuara dhe të përgjegjshme, që lidhen jo vetëm me numrin e studentëve në auditor, por edhe numrin e personave në zyra, mënyrën e përdorimit të mjedisve të parbashkëta, përdorimin ose jo të maskave, dorezave, dizinfektantëve etj. Padyshim që barra kryesore për marrjen e këtyre masave dhe për zbatuedhmërinë e tyre ju takojnë së pari Senateve Akademike, Rektorateve dhe Dekanateve, por që duhen mbështetur financiarisht dhe administrativisht nga Bordet e Administrimit në nivel universiteti, por edhe Dekanati.
Së dyti për të përballuar efektet aktuale aftashkurtëra të COVID-19, institucioneve të arsimit të lartë ju duhet të rishikojnë Planet Kalendare Akademike, procedurat administrative, afatet e detyrimeve akademike të studentëve dhe pedagogëve, të përshtasin silabuset dhe procedurat akademike, të rishikojnë rregulloret e brendshme me sens krijimin e sa më shumë mundësive që studentët të realizojnë detyrimet e tyre akademike dhe kontraktuale, etj. Por të gjitha këto masa nuk duhet të prekin, madje duhet të garantojnë zbatimin maksimal të standardeve akademike arsimit të lartë.
Institucionet e arsimit të lartë kanë për detyrë të përshtasin, pasurojnë dhe zgjerojnë kapacitetet e tyre në fushën e teknologjisë nëpërmjet përdorimit të platformave lehtësisht të arritshme për studentët, por edhe të sigurta dhe shumëdimensionale.
Theksoj se UET ka bërë dhe po bën një punë të lavdërueshme dhe impresionuese në këtë drejtim.
Po ashtu institucionet e arsimit të lartë duhet t’i kushtojnë rëndësi të dorës së parë trajnimit dhe aftësimit në radhë të parë të anëtarëve të stafit të tyre akademik dhe atij administrativ për t’u familjarizuar sa më shpejt me përdorimin e këtyre plataformave dhe më aftësimin e tyre didaktik dhe metodik në fushën ë mësimdhënies online. Edhe në këtë drejtim UET vlen të përshëndetet, veçanërisht Zyra e IT e këtij universiteti, e cila ka ofruar disa trajnime në lidhje me përdorimin e platformës që ne aktualisht përdorim për mësimdhënien online (Microssoft-TEAMS), por i ka dhënë mundësi stafit akdemik të ndjekë disa trajnime specifike që lidhen drejtpërdrejt me mësimdhënien online në pikëpamje metodike dhe pedagogjike.

A është i përgatitur sistemi arsimor shqiptar të përballoje sfidat post-COVID-19?
Perceptimi im është se sistemi arsimor shqiptar është pjesërisht i përgatitur për të përballuar sfidat post-CIVID-19.
Mendoj se stafit mësmor dhe familjeve shqiptare nuk ju mungon dëshira dhe vullneti për të vijuar arsimimin dhe edukimin e fëmijeve edhe në këto kushte. E theksoj këtë fakt, sepse na duhet të ndërtojmë pikërisht duke u mbështetur në këtë faktor.
Këtë periudhë kam vrejtur se shumica dërmuese e mësimdhënësve, si në arsmin paruniversitar, ashtu edhe në arsimin e lartë ka treguar nivel të lartë përgjegjësie, përgjegjshmërie dhe gatishmërie për të vijuar dhënien e këtij shërbimi edhe në kushtet e pandemisë. Nga ana tjetër shoh me kënaqësi një shtim të mobilimit të familjeve dhe prindërve për të ndihmuar fëmijët e tyre gjatë zhvillimit të mësimit online dhe për të mbështetur stafin mësimor gjatë zhvillimit të orëve mësimore online. Këtë e kam vënë re edhe tek studentët, tek të cilët kam konstatuar një mirëkuptim maksimal jo vetëm të tyre si studentë, por edhe të familjeve dhe familjarëve të tyre për t’i mbështetur.
Sigurisht që realiteti i ri e vuri në provë të gjithë sistemin arsimor, kudo në botë. Por kjo provë është ndoshta më e vështirë dhe më sfiduese për vende si Shqipëria.
Në vlerësimin tim sistemi arsimor në Shqipëri është pjesërisht i përgatitur për të përballuar sfidat post-COVID-19.
Së pari mendoj se nevojitet një ndërhyrje emergjente, energjike dhe totale në aspektin teknologjik, infrastrukturor dhe logjistik. Me këtë dua të theksoj nevojën për pajisjen e institucioneve arsimore me rrjete të qëndrueshme teknologjike, pajisja e mësuesve me pajisje kompiuterike, po ashtu edhe i nxënësve. Krahas pajisjeve duhet që, si mësimdhënësit ashtu edhe nxënësit dhe studentët, të aftësohen seriozisht me aftësi për përdorimin e këtyre pajisjeve në funksion të cilësisë së mëimdhënies. Mësuesit në veçanti duhet të rritin kapacitetet e tyre për zhvillimin e mësimit online.
Po ashtu në aspektin logjistik dhe material, është thelbësisht e domosdoshme të dizenjohen me kujdes mjediset e institucioneve mësimore që të garantojnë maksimalisht distancën e kërkuar nga njëri-tjetri, sëbashku me të gjithë bazën tjetër materiale, si dizinfektuesit apo pajisje të tjera të nevojshme.
Së dyti sugjerimi im lidhet me rishikim urgjent të kurrikulave në të gjitha nivelet dhe ciklet e shkollimit. Duke patur parasysh standardet dhe kushtet e reja të zhvillimit të procesit mësimor, kurrikulat e çdo lënde duhet të rishikohen në mënyrë që të garantojnë plotësimin e standardeve të përmbajtjes dhe të vlerësimit. Lidhur ngushtë me problemet përmbajtësoreqëndron edhe pjesa metodologjike që lidhet me metodat, mënyrat, teknikat dhe instrumentet me të cilat do të përcillet përmbajtja e kurrikulës së rishikuar.
Së treti mendoj se ndërhyrja duhet të jetë po aq emergjente edhe në aspektin administrativ, procedurial dhe dokumentar. Është e udhës të rishikohen të gjitha sistemet që rregullojnë arsimimin dhe edukimin në shkolla dhe institucione të arsimit të lartë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *