Përparim Fuga, 50 vitet e mësimdhënies

Një nga pedagogët ‘senior’ të Universitetit Europian të Tiranës, profesor Përparim Fuga shënon këtë vit 50-vjetorin e mësimdhënies për herë të parë në një auditor universiteti.

 Për të ishte viti i pestë i studimeve për fizikë, kur përjetoi për herë të parë ndjesinë e mësimdhënies në një auditor universitar. Në vitin 1969 për shkak të kërkesës për pedagogë, veçanërisht në shkencat natyrore, 5 studentët më të mirë të vitit të pestë të degës së fizikës, por edhe të asaj të matematikës, u përzgjodhën për të qenë asistentë pedagogë. Profesor Përparim Fuga, e përshkruan ditën e tij të parë të mësimdhënies në auditor, si një ditë të bukur shtatori, ku pavarësisht emocioneve të veçanta, që kjo përgjegjësi e re i dhuronte, gjithçka shkoi siç duhej.

Mes studentëve të përzgjedhur isha dhe unë. Këtë detyrë, mua më ra fati ta ushtrojë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe atë të Inxhinierisë së Ndërtimit. Në atë kohë, të dyja këto fakultete ishin të preferuara dhe në përgjithësi kishte studentë shumë të mirë. Duke qenë vetë student i vitit të pestë, nuk ishte shumë e thjeshtë dita e parë në auditor, sepse përveç emocioneve si asistent lektor, kisha dhe emocione, që isha përpara kolegëve të mi studentë. Megjithatë e mbaj mend si një ditë e bukur shtatori, që kaloi shumë mirë. Meqenëse isha ende student bëja kujdes të ruaja autoritetin e pedagogut në klasë, por njëkohësisht i njihja mirë studentët dhe mënyrën se si ata mendonin, ndaj edhe mundesha t’i menaxhoja ata.
Eksperiencat që pasuan në mësimdhënie ishin të shumta dhe të ndryshme, edhe në ato, që mund të konsideroheshin si universitet i “natës”, ku studentët u drejtoheshin auditorëve përgjithësisht pas një dite të lodhshme pune për ta.

“Kam dhënë mësim edhe në filiale, si në Tiranë ashtu edhe në Durrës, për degën e kimisë, por këtu mësimdhënia kishte një specifikë tjetër, pasi përballeshe me njerëz, që kishin dëshirën për të mësuar, por që gjithë ditën e kishin kaluar në punë e më pas vinin të lodhur, uleshin në banka e përpiqeshin të bënin punën e tyre, e të mësonin.

Tregon, se krahas punës së palodhur dhe ekselencës, që e karakterizonte që në vitet e studimit në universitet, një nga faktorët më të rëndësishëm në formimin e tij si pedagog ka qenë mësimi nga eksperienca e profesorëve të nderuar, të cilët që prej asaj dite shtatori të vitit ’69 u bënë kolegët e tij. Tashmë pas 50 vitesh, në auditorët, ku ai ka dhënë mësim kanë kaluar disa breza, e sa i përket ndryshimeve mes tyre, ai shprehet:

“Çdo brez ka studentët e vetë shumë të mirë, të cilët të mbeten në kujtesë, që e kanë merituar notën plotësisht dhe, që sot vërtetë janë bërë dikushi. Ka një dilemë, para së cilës ne vihemi shpesh, kur ka qenë më e mirë shkolla, para apo pas ’90-s? Për hir të së vërtetës, sot infrastruktura është më e mirë, pajisja me tekste është më e mirë. Në kohën kur ne ishim studentë mbanim shënime gjithë kohës, në seminare dhe leksione, nuk kishim kompjutera apo internet, kishim literaturë të kufizuar, infrastrukturë jo gjithnjë optimale, etj. Këto të gjitha sot janë kapërcyer, ndërsa sa i përket pedagogëve, nuk mund të them, që atëherë dinin më pak e tani dinë më shumë, por bota ka evoluar dhe sigurisht, që pedagogët e sotëm kanë më shumë mundësi, për shkak se metodat e mësimdhënies kanë avancuar, mundësia që ke të punosh me studentin në mënyrë interaktive është rritur. Unë jam i mendimit, se atë kohë figura e pedagogut ishte më e “rëndë”, pedagogu më kërkues, më i rreptë, në sensin e mirë të fjalës; në këtë sens unë them, që ne sot këtu çalojmë, dhe këtu çalon i gjithë procesi”, – shprehet Fuga ndërkohë që vë theksin tek një tjetër problematikë.

Frekuentimi në një masë të gjerë i universitetit, për të cilën shprehet se: ”Sot të gjithë e kanë këtë tendencë, që duan të hyjnë në shkollë të lartë dhe ta mbarojnë atë. Në atë kohë, por edhe sot aplikohet kufizimi në hyrje në arsimin e lartë, por unë personalisht do isha i një parimi tjetër, kufizimi në dalje. Unë besoj, se i duhet dhënë mundësi kujtdo, që dëshiron dhe ka mundësinë të hyjë në universitet; por ai student që del me një diplomë, duhet të jetë i garantuar, që e meriton këtë diplomim. Këtu ne gjithashtu çalojmë sot.”

Ndonëse akademia është një nga kolonat ndërtuese më të rëndësishme në karrierën e pasur të profesor Fugës, arritjet e tij nuk ndalen thjesht në aspektin e pedagogut apo studiuesit. Pas përfundimit të studimeve 5 -vjeçare, ai thelloi njohuritë në fizikën bërthamore e më pas në fizikë neutronesh, por tregon, se më pas puna e bëri që të ndiqte një sërë specializimesh, në mënyrë të veçantë me problemet që lidheshin me verifikimin e materialeve bërthamorë, të sigurisë etj.

Në jetëshkrimin e tij të pasur bëjnë pjesë edhe puna para viteve ’90 për aplikimin e arritjeve të fizikës bërthamore në vend pranë Institutit të Fizikës Bërthamore; veprimtaria studimore e organizuese pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; puna si inspektor pranë IAEA-s gjatë viteve 2003-2010, dhe më tej angazhimi si profesor në Universitetin Europian të Tiranës, ku lekton statistikën e avancuar. Në vitin 2005, ndërkohë që Fuga punonte pranë Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAES), kjo agjensi e specializuar e OKB-së, e njohur si një “watchdog”, që siguron bashkësinë ndërkombëtare për përdorimin paqësor të energjisë bërthamore dhe mospërhapjen e armëve bërthamore, u nderua me çmimin Nobel për Paqen për “përpjekjet e saj në parandalimin e përdorimit të energjisë bërthamore për qëllime ushtarake”.
“Njeriu përpiqet të mësojë vazhdimisht...”, – shprehet profesor Përparim Fuga.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *