Për studentët e rinj në UET. Një doracak këshillash për orientim

Florian Çullhaj

Në nisje të vitit akademik 2018, kam shkruar një artikull mbi disa këshilla për studentët e rinj të degës së shkencave politike ne UET. Sot kam edhe disa këshilla të tjera, që ndoshta shumëkujt prej jush mund t’i  tingëllojnë të zakonshme, por prej perspektivës sime gjykoj, që janë të rëndësishme për t’jua komunikuar. Fatkeqësisht, edhe kësaj rradhe u drejtohem vetëm atyre, që ndjekin lëndë të shkencave politike, të vetmet që njoh mirë.

Mos humbni kohë!

Këshilla e parë, dhe mbase dhe më e zakonshmja është: fillo studio pa humbur kohë. Kurset janë shumë më të ngarkuara me literaturë dhe detyra të posaçme, sesa ato të shkollës së mesme. Ju nuk mund të përgatiteni vetëm në sezon. Është e nevojshme të studioni rregullisht, javë pas jave. Nëse e merrni “lehtë” pjesën e parë të vitit akademik, përpiquni të ndryshoni sa më shpejt. Presioni është i lartë dhe koha nuk pret. Nëse nuk i keni shënimet tuaja të përmbledhjes së leksioneve të para, gjejini sa më shpejt. Të paktën mund të ndiqni leksionet e javëve të fundit dhe mund të arrini të kuptoni shumëçka nga kursi. Pjesëmarrja në auditor është shumë e rëndësishme. E theksoj, shumë e rëndësishme! Përpiquni ta konsideroni pedagogun një udhëheqës në labirintin e lëndës, jo një kundërshtar ose një pengesë.

Orientohuni!

Këshilla e dytë ka të bëjë me orientimin brenda institucionit. Ju jeni në një Universitet kompleks për nga organizimi, të përbërë nga 5 Fakultete, 15 Departamente & Qendra Kërkimi, 50 Grupe Lëndësh, 75 Programe Studimi, 125 Profile, 750 Lëndë. E kuptoni kompleksitetin? Secila strukturë ka rregullat e saj, koordinatoren e saj, përfaqësuesin e saj për këshillimin tuaj. Kontaktoni menjëherë me ta, sepse janë kolegë të gatshëm për t’ju ndihmuar dhe e njohin shumë mirë strukturën.

Planifikoni!

Këshilla e tretë: Mundohuni ta shpërndani përgatitjen për kurset tuaja sa më mirë në kohë. Përpiquni të mos ngarkoheni duke i lënë të gjitha leximet për në sezon. E udhës është të formuloni një “plan rezervë”, sidomos në fillim ku edhe mund të ndodhë të dështoni në ndonjë lëndë. Në këtë rast nuk duhet t’ju kapë paniku dhe më e rëndësishmja nuk duhet humbur vetëbesimi, por menjëherë përvishuni punës dhe korrigjojeni.

Nuk ka vend për ndrojtje

Këshilla e katërt: Mos u frikësoni nga ato që nuk dini ose nuk kuptoni, fundja për këtë jeni në auditor, për t’i mësuar. Angazhohuni,  para së gjithash me kolegët e kursit tuaj, por edhe me këshilluesit e karrierës dhe me pedagogët. Secili pedagog ka orë të përcaktuara pritjeje për ju, shfrytëzojini ato. Tregohuni të mençur, paraqituni me probleme të sintetizuara, pasi të keni studiuar të gjithë materialin në dispozicion.

Njihuni me kolegët!

Këshilla e pestë: Njohja me kolegët e kursit është më e rëndësishmja. Studimi së bashku bën diferencën për të arritur cilësi të shtuar. Ekzistojnë mënyra të ndryshme për ta bërë këtë. Si fillim filtroni idetë e përgjithshme, e në vazhdim,  shqyrtoni çdo pikë e presje e leksioneve nëpër takime javore, ku ju mund të pyesni njëri-tjetrin dhe të diskutoni së bashku mbi temat më të vështira.

Kini besim!

Këshilla e gjashtë: Me pak përjashtime, viti i parë është plot me lëndë përgatitore (Hyrje). Kjo do ju duket, sikur po humbni kohë prapa reflektimeve abstrakte të padobishme. Kini besim (dhe jini pak modest)! Kurrikula është rezultat i një rregullimi të gjatë të strukturës së lëndëve të degës, që keni zgjedhur. Nëse ajo lëndë gjendet aty, ekziston një arsye e fortë, se përse gjendet aty. Nga ana tjetër, mos u kënaqni duke konceptuar kursin vetëm si një mjet për të marrë një notë, punoni sa më shumë për ta përvetësuar lëndën për rritjen tuaj intelektuale dhe profesionale.

A kam zgjedhur saktë?

Si përfundim, do të doja të trajtoja një temë delikate. A jeni të sigurt që keni bërë zgjedhjen e duhur? Fatkeqësisht nuk ekziston një orientim i saktë absolut. Deri në momentin, kur të jeni ulur në auditor, nuk mund ta mësoni nëse keni zgjedhur drejtë. Mund ta mësoni këtë vetëm duke e provuar veten me kurset e para dhe duke biseduar me kolegët më të vjetër. Megjithatë, bëni kujdes, mos e gjykoni zgjedhjen tuaj si jo të saktë, vetëm sepse keni “ngelur” në një kurs apo keni marrë një notë të ulët. Kam njohur dhjetëra studentë, që e kanë nisur keq dhe më pas kanë ecur shumë mirë. Analiza që duhet të bëni është më komplekse. Nëse e kuptoni, që nuk jeni në degën e duhur, mos reagoni keq; edhe të qëndroni aty për krenari është gabim, por edhe të demoralizoheni nuk është zgjidhje. Reagoni! UET ka afatet e tij për të ndryshuar degën pa humbur vitin. Por, nëse vendosni të ndryshoni pas afateve, planifikoni provimet tuaja, në mënyrë që ato t’ju njihen nga programi i ri që do të zgjidhni. Për këtë dhe sa më sipër ndihma në UET nuk do ju mungojë.

SUKSESE!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *