Momentet pas diplomimit, ja çfarë duhet të dimë

Periudha pas diplomimit është një moment tranzitor shumë i rëndësishëm, që për nga rëndësia shënjon si aspektin emocional ashtu edhe atë profesional.

Studentët e brezit të parë, të dekadës së dytë të UET, të cilët shijuan ditën e premte emocionet që u dhuroi Ceremonia e njëmbëdhjetë e Diplomimit për ciklin Bachelor, në shoqërinë e familjarëve, miqve dhe pedagogëve që kanë qenë mbështetje për ta gjatë viteve të studimit, përgatiten për të nisur tashmë një rrugëtim të ri. Periudha pas diplomimit është ndër më të rëndësishmet, për shkak se ky është momenti ku më së shumti fillon eksplorimi i hapësirave për të shpalosur talentin dhe potencialin personal. Pas tri viteve, përgjatë të cilave studentët kanë fituar njohuritë bazë, fillojnë tentativat e para për t’u bërë pjesë e tregut të punës, apo kualifikimi i mëtejshëm akademik, dhe cilado qoftë zgjidhja, ky është një moment, që për nga rëndësia, shënjon si aspektin emocional, ashtu edhe atë profesional.

Ndryshimet janë të shumta, por përshtatja me këtë dinamikë të re duhet të jetë prioritet për të gjithë ata të cilët nisin këtë rrugëtim të ri. Nëse auditorët nuk të kufizojnë në lëvizje, tregu i punës nuk ka të njëjtat specifika. Tranzicioni nga jeta studentore, në atë të një profesionisti që punon me kohë të plotë, mund të jetë e vështirë për të sapodiplomuarit, për shkak të angazhimit të pandërprerë që puna kërkon, “ngulitur” përpara një kompjuteri për orë të tëra e që jo pak herë të jep ndjesinë e mungesës së kohës së lirë.

Kjo jo pak herë krijon stres, ndaj është e këshillueshme që hapësira të tilla, si pushimi i drekës, të shfrytëzohen më së miri për t’u “rifreskuar” e krijuar energji të reja, ndërkohë që teksa mësojnë si të bëjnë punën e re, ata të cilët sapo janë diplomuar nuk duhet t’i druhen kërkimit të një mentori apo krijimit të shoqërive të reja dhe bashkëpunimet, pasi ky rrjetizim dhe kërkesa ndaj vetes është mënyra e vetme për të mësuar praktikisht profesionin, e për t’iu përgjigjur kërkesave të punëdhënësve, procedurave apo protokollit të punës. Ndonëse jo pak herë ndjesia e të pasurit dikë mbi kokë, mund të krijojë stres apo presion, “mbikëqyrja” e eprorëve mund të jetë një shans i mirë për t’u treguar atyre aftësitë personale dhe potencialin për t’u rritur në karrierë.

Njerëz të ndryshëm qëndrojnë në jetë në faza të ndryshme; largimi nga universiteti shoqërohet shpeshherë edhe me distancimin nga miqtë, por përpjekjet për t’i ruajtur këto marrëdhënie, si dhe ato për të krijuar të reja, mund të jenë fare mirë në përplotësim të njëra-tjetrës. Kjo kërkon daljen nga zona e rehatisë, si dhe angazhimin në hobi të reja.


Jeta pas diplomimit sjell të gjitha llojet e përgjegjësive dhe të gjitha në të njëjtën kohë. Për këtë arsye është e rëndësishme organizimi, krijimi i një axhende dhe rikujtesash për t’u dhënë prioritet angazhimeve më të rëndësishme. Telefonat apo shënimet janë një mënyrë e mirë për të bërë këtë organizim, si për përgjegjësitë në punë, ashtu edhe ato të rutinës personale, veçanërisht nëse të sapodiplomuarit kanë vendosur të jetojnë më vete.

Është pikërisht kjo koha më mirë për të mësuar rreth vetes dhe ndonëse është më e lehtë të thuhet se të bëhet, të mësuarit e të ndierit rehat me veten është shumë e rëndësishme. Pavarësisht nëse zgjedhja pas diplomimit në ciklin Bachelor, është puna në një kompani, studimi në Master, apo ndërthurja e të dyja, e rëndësishme është që koha të shfrytëzohet maksimalisht, ndërsa festohet “pavarësia” e re dhe mësohet më shumë për veten. Përshtatja fillon me hapa të vegjël.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *