Mina Skuqi: Angazhimi përtej auditorit në UET, shansi më i mirë…

Mina Skuqi: Angazhimi përtej auditorit në UET, shansi më i mirë për t’u rrjetëzuar

Mina Skuqi, ish-studente në UET, tregon mbi rrugëtimin e saj akademik nga Shqipëria në Belgjikë, si dhe eksperiencën e suksesshme profesionale të deritanishme.

Të zgjedhësh universitetin dhe degën për të cilën do të studiosh nuk është një vendim i lehtë për shumicën e maturantëve, kërkon prej tyre investim kohor për të kuptuar fillimisht prirjet dhe pasionet personale, sa qëndrojnë këto në raport me tregun e punës, si dhe cili është ai institucion që përmbush pritshmëritë dhe ambiciet e tyre. Një nxënëse e shkëlqyer me ambicie të mëdha për veten, për Mina Skuqin, ky vendim ishte mjaft i mirëmenduar, duke marrë në konsideratë jo vetëm dëshirat e saj, por edhe hapësirat që ofronte Shqipëria për një arsim cilësor.

“Në nisje të studimeve të mia, zgjodha UET për arsye të reputacionit të mirë të këtij institucioni. Kurrikula dhe stafi akademik ishin pikat më të forta, të cilat më bindën të vazhdoja studimet e mia në UET”, tregon Mina, e cila, ndër të tjera, thotë se ndër faktorët që ndikuan zgjedhjen e saj, ishin pikërisht infrastruktura dhe mundësitë që ofroheshin brenda kampusit të Universitetit Europian të Tiranës.
“Gjithashtu një plus i madh ishin ambientet dhe facilitetet, të cilat më ofroheshin. UET ka një kampus nga më të mirët në qytetin e Tiranës, një bibliotekë funksionale, një kafeteri, e cila ka dhe funksionin e mensës brenda ambienteve të universitetit, salla dhe auditorë të mirë dhe të pajisur me kushte optimale dhe një afërsi me pikat kryesore të qytetit”, thotë ajo.

Performanca akademike e Minës, por edhe angazhimi përtej auditorit, bënë që ajo të dallohej që herët për karakterin ambicioz, punëtor dhe të vullnetshëm. Pas përfundimit me sukses të tri viteve studimi në ciklin Bachelor për degën Juridik i Përgjithshëm, ajo vijoi studimet e saj në ciklin Master po prapë pranë Universitetit Europian të Tiranës për të Drejtën Private, ndërkohë që për thuajse katër vite ajo fitoi një eksperiencë profesionale pranë Parlamentit të Shqipërisë.

“Studimet e mia më dhanë një siguri në aspektin profesional, sepse ndihesha e përgatitur, të paktën teorikisht, t’i bëja ballë punës dhe të kisha njohuri të mira mbi profesionin tim dhe detyrat e mia të përditshme”, thotë Mina.

Mina e vlerëson eksperiencën në UET si mjaft të rëndësishme për formimin e saj. Tashmë në pozitën e një ish-studenti, që njëkohësisht është përballur me kërkesat e tregut të punës, sot ndodhet e pozicionuar suksesshëm në të, ajo u sugjeron studentëve që ta shijojnë në maksimum jetën studentore dhe të mundohen të përfitojnë sa më shumë prej mundësive që ofrohen për ta në Universitetin Europian të Tiranës.

“Një student në UET do t’i jepja këshillën të shfrytëzonte sa më shumë jetën studentore dhe të merrte sa më shumë nga eksperienca akademike që ofron ky institucion akademik”, thekson Mina.
Ndërkohë që vlerëson gjithashtu strategjitë e UET për të sjellë tregun e punës më pranë studentëve të tij. Duke qenë vetë pjesë e rrjetit ALUMNI, ajo e sheh këtë grupim si mjaft të dobishëm për të mundësuar këto ura kontakti dhe bashkëpunimi.

“ALUMNI të UET mund të gjenden thuajse në çdo kompani ose institucion me rëndësi në vend dhe krijimi i një rrjeti të tillë do të sillte një mundësi më tepër për studentët e rinj dhe punëkërkuesit e ardhshëm në tregun e punës.”

Ndërkohë u sugjeron fort maturantëve të zgjedhin të studiojnë në Universitetin Europian të Tiranës.
“Një maturanti do t’i thosha të ndiqte studimet në UET, sepse do të ketë tërë përkujdesjen dhe vëmendjen e nevojshme nga ana e një stafi akademik tejet të përgatitur dhe të dedikuar. Eksperienca që ofron UET si institucion ka qenë tepër pozitive dhe e mirë për jetën akademike të një studenti.”
Dëshira për të avancuar më tej në formimin e saj akademik, si dhe aktivizimi i vazhdueshëm, bënë që Mina të bëhej pjesë e një programi studimi të Këshillit të Europës dhe Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, i cili u drejtohej politikanëve të rinj, administratorëve publikë dhe lidëve të shoqërisë civile, nëpërmjet shkëmbimit të njohurive, trajnimit dhe gjenerimit të ideve të reja në një numër fushash të tilla si qeverisja e mirë në nivel qendror dhe lokal, zhvillimi i politikave publike, komunikimi politik etj. Ndërkohë që zgjodhi të avancojë më tej studimet e saj në Perëndim, duke ndjekur një Master Ndërkombëtar për Studime Europiane, në Bruksel, Belgjikë dhe aktualisht është pozicionuar si konsulente projektesh pranë kompanisë “Ernst&Young”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *