Maturantët në auditorët e UET njihen me ofertën akademike

Në një tour të zhvilluar në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, në kuadrin e këshillimit të karrierës, maturantët u njohën me ofertën akademike, bursat që mund të përfitojnë, si dhe jetën studentore të UET.

Dilemat e maturantëve janë të shumta kur bëhet fjalë për zgjedhjen e degës apo universitetit dhe jo pak herë ekziston një lloj pasigurie në lidhje me atë që eksperienca e të studiuarit në universitet ofron për ta. Në këtë momente është shumë e nevojshme që ata të marrin këshillimin e duhur, në mënyrë që të bëjnë zgjedhjen më të mirë për veten. Bashkëpunimet midis UET dhe gjimnazeve në të gjithë Shqipërinë, në fakt nuk janë një risi, por një traditë tashmë e mirëkonsoliduar prej disa vitesh. Universiteti Europian i Tiranës, në kuadër të këshillimit të karrierës dhe ditëve të informimit të maturantëve, organizon çdo vit aktivitete promovuese, informuese, si dhe argëtuese për maturantë nga e gjithë Shqipëria.


Një nga traditat më interesante në këtë kontekst është UET Tour, gjatë të cilit maturantë të gjimnazeve nga i gjithë vendi vizitojnë Universitetin Europian të Tiranës, ku ndjekin edhe orë të ndryshme leksioni e seminari. Kanë qenë pikërisht maturantët nga gjimnazi “Isa Boletini”, të cilët ditën e djeshme, në kuadër të këshillimit për karrierë janë bërë pjesë e leksioneve të hapura në UET. Në një tour të zhvilluar në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, ata u njohën me ofertën akademike, bursat që mund të përfitojnë, si dhe jetën studentore që karakterizon këtë institucion. Vizita në kampusin e universitetit është shumë e rëndësishme, pasi në këtë mënyrë maturantët mund të kuptojnë më mirë se çfarë mjedisi akademik kërkojnë për të ardhmen dhe a përshtatet universiteti me interesat dhe ambicien e tyre. Ata kanë mundësinë të përjetojnë eksperiencën e të qenët student, duke parë si funksionon në të vërtetë një orë leksioni, si komunikojnë pedagogët dhe si është atmosfera e një dite të zakonshme në universitet.
“Këshillimi i karrierës është një proces shumë i rëndësishëm, që ka për qëllim t’i orientojë dhe ndihmojë maturantët të bëjnë zgjedhjen e duhur për profesionin e tyre të ardhshëm, falë informimit mbi mundësitë e ndryshme të studimit që ata kanë, si dhe eksplorimit të secilës prej këtyre alternativave. Në këtë kuadër, gjatë UET Tour, maturantët bëhen pjesë e orëve të ndryshme të leksionit apo seminareve, si dhe zhvillojnë një vizitë në ambientet e universitetit. Në këtë mënyrë ata njihen me mundësitë e studimit në degët e shumta që UET ofron në pesë fakultetet e tij, me bursat e studimit dhe mundësitë e financimit, duke marrë përgjigje për të gjitha pyetjet që mund të kenë, në lidhje me këtë vendimmarrje të rëndësishme në këtë fazë të jetës së tyre”, thotë zv.rektorja për Zhvillim Institucional dhe Studentët, në UET, Prof. Dr. Ermira Qosja.


Maturantët janë prezantuar me ofertën akademike të UET, e cila këtë vit të ri akademik është universale. UET, si një universitet i madh, ofron jo vetëm një gamë të gjerë zgjedhjesh prej 75 degësh dhe 125 profilesh nga pesë fakultetet e tij, por edhe mundësi të shumta akomodimi për të gjithë falë bursave, financimit të studimit, si dhe jetës dinamike studentore që e karakterizon. Maturantët tanimë mund të zgjedhin të studiojnë nga fusha të ndryshme, që nga humanitetet, te shkencat mjekësore teknike, inxhinieritë, biznesi, informatika, marrëdhëniet ndërkombëtare, shkencat juridike, politike etj. Risi për këtë vit akademik krahas degëve të reja janë edhe Diplomat Profesionale dyvjeçare. Të gjitha këto mundësi studimi i kanë prezantuar dekanët dhe përgjegjësit e fakulteteve përkatëse. Ndërkohë maturantët ishin të interesuar edhe për bursat që UET ofron. Kategoritë janë disa, që nga bursat e Ekselencës, bursat “Kadare”, bursat “Pashko” etj., dhe maturantët janë njohur me kriteret përkatëse. Universiteti Europian i Tiranës synon të bëjë pjesë të tij maturantët më të mirë, si dhe t’i japë një shans për të studiuar gjithkujt që e dëshiron dhe për këtë arsye ka një sistem të gjerë dhe të shumëllojshëm bursash, të cilat mbështesin ekselentët, të talentuarit, liderët e së ardhmes, si dhe të rinjtë, të cilët ndodhen në kushte të vështira sociale ekonomike. Krahas bursave të studimit, maturantët janë njohur edhe me mundësitë e studimit jashtë vendit për të paktën një semestër, falë skemës së shkëmbimit studentor Erasmus+, si dhe jetën dinamike studentore që karakterizon këtë institucion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *